PS shpall fitoren në Kukës, demokratët me humbje më të thellë se në zgjedhjet e 14 majit

25 shtator 2023 | 11:39

Partia Socialiste ka shpallur zyrtarisht fitoren në Bashkinë e Kukësit, ku me vetëm katër kuti të mbetura për t’u numëruar, ndryshimi është prej mbi 5 mijë votash.

Kështu, me 70 nga 74 kuti të numëruara, kandidati socialist Albert Halilaj ka arritur të marrë 12 mijë e 44 vota, përkthyer në 63.5%, krahasimisht me kandidatin opozitar të koalicionit Bashkë Fitojmë, Emri Vata, i cili ka marrë 6 mijë e 924 vota, ose 36.5% të totalit.

Me kutitë e mbetura është i pamundur kthimi i rezultatit.

Këtë fitore ndërkaq e kanë festuar socialistët e Kukësit, ku drejtuesi i majtë i qarkut, Pandeli Majko, ka mbajtur edhe një fjalë të shkurtër.

“Kjo është fitore e një djali që fiton në Kukës dhe që do tu shërbejë të gjithëve pa asnjë dallim partiak. I kemi një borxh të madh Kukësit. Ky borxh nuk shpërblehet me fjalë, por me vepra”, theksoi Majko pasi rezultati nuk mund të kthehet.

Nga ana tjetër, kryeministri i vendit, Edi Rama, e ka etiketuar fitoren e thellë si detyrim për të bërë më shumë vepra në bashkinë veriore.

“Kur janë numëruar pak më shumë se gjysma e kutive të votimit, kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Kukësit ka një avantazh të pakthyeshëm prej thuajse 3 mijë votash, i cili do të thellohet ende deri në kurorëzimin e një fitoreje shembullore, që flet qartë për besimin dhe për pritshmërinë e qytetarëve kuksianë ndaj nesh, si edhe për detyrimin tonë të madh ndaj tyre, për të bërë shumë më shumë akoma për Kukësin”.

Kështu ka shkruar kreu i PS-së në llogarinë e tij në Facebook.

Nëse bëhet krahasimi me zgjedhjet e 14 majit, kandidati i atëhershëm në Kukës për të djathtët, Admir Sinamati, arriti të merrte 9 mijë e 592 vota. Pra, mbi 2 mijë vota më shumë se sa Emri Vata sot.

Teksa, socialistët, atëherë me Safet Gjicin do të merrnin fitoren me 11 mijë e 632 vota. Por, sot, numrat e tyre janë konsoliduar edhe më shumë, me mbi 500 vota plus në Kukës.

Zgjedhjet e pjesshme u mbajtën në Kukës pasi Gjici, si i mandatuar për herë të dytë, u përfshi në një skandal videoseksual, duke çuar më tej shkarkimin e tij nga detyra dhe duke u arrestuar më pas për shpërdorim detyre dhe përfshirje në korrupsion.

Ende sot, ai pret një vendim për fatin e tij.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Grupi i personave të armatosur që ka sulmuar pjesëtarët e…