 
                    Pse bëkan koalicionet nëpër komuna, e jo edhe për qeveri?
Kosova rrezikon t’i provojë edhe një palë zgjedhje – të tretat – brenda 2025-tës, për shkak të pamundësisë së partive politike për të arritur konsensus në nivelin qendror. Mirëpo, duket se inatet dhe mospajtimet ekzistojnë vetëm në atë pikë, pasi në nivelin lokal përfaqësuesit partiakë janë duke bashkëpunuar dhe duke lidhur koalicione për balotazhin e 9 nëntorit. Çfarë tregon kjo?
Koalicionet mes partive politike në nivelin lokal kanë ndodhur edhe në të kaluarën, e po ndodhin edhe tash. Për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, Lëvizja Vetëvendosje (LV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) arritën koalicion në Vushtrri.
LDK-ja dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) bënë koalicion në Fushë-Kosovë. LV-ja dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) lidhën koalicion në Fushë-Kosovë, Prizren e Junik.
Në parim, nuk do të duhej të ishte problem që partitë bashkëpunojnë. Bile, kjo linjë do të duhej të ndiqej edhe në nivelin qendror.
Por, këtë herë, larg duartrokitjeve, koalicionet për balotazh po priten me befasi, po gjykohen dhe po dënohen – me raste edhe nga vetë liderët partiakë.
Për Visar Ymerin, drejtor ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, situata është e qartë: dinamikat politike janë të ndryshme mes nivelit qendror dhe atij lokal, mirëpo koalicionet aktuale janë vështirë të kuptueshme, për shkak se polarizimet në nivel qendror janë shumë të mëdha. “Në njërën anë ka parti, të cilat LV-ja thotë se janë bashkëpunëtore të [Millan] Radoiçiqit e kështu me radhë, dhe në anën tjetër i kemi partitë e ish-opozitës, siç është shembull AAK-ja, që thotë se puna e kryeministrit [në detyrë, Albin] Kurti ka qenë në interes të Serbisë dhe Rusisë. Atëherë si është e mundshme që këto akuza të përafrohen dhe të urëzohen në këtë mënyrë në nivel lokal? Kjo e bën të pakuptimtë”, thotë Ymeri për Radion Evropa e Lirë (REL).
Për njohësin tjetër të çështjeve politike, Agon Maliqi, këto koalicione, që po bëhen kryesisht në komuna të vogla, nuk tregojnë për ndonjë trend. Sipas tij, partitë detyrohen të bëjnë kompromise që ua dikton realiteti, që të mos ketë acarime brenda degëve. “Ka prijës lokalë që kanë prioritete tjera prej nivelit qendror, dhe ata mendojnë ndryshe, ndërsa niveli qendror është shpesh në pozitë që, nëse ua prish qejfin, le të themi, rrezikon ta humbë gjithë degën, ajo të shkrihet në një parti tjetër”, thotë Maliqi për REL-in.
Mospajtimet e qendrave partiake për koalicionet
Lajmet për koalicionet nuk u pranuan lehtë nga qendrat e disa partive.
Shembull, vetë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, doli kundër marrëveshjes së arritur mes LDK-së dhe LV-së në Vushtrri. “Reagimi i selisë më shumë ka pasur të bëjë me mënyrën se si u shpall koalicioni, me prezencën e Kurtit aty, që e krijoi një efekt nacional. U perceptua prej LDK-së si poshtëruese, apo si presion i LV-së ndaj LDK-së për negociatat që mund t’i kenë pasur për nivelin qendror”, vlerëson Maliqi.
Edhe Time Kadrijaj nga AAK-ja tha publikisht se për koalicionet me LV-në nuk ka qenë në dijeni selia, dhe i ka dënuar ato.
Partitë nuk ishin të qasshme kur REL-i provoi të merrte nga një koment prej tyre.
Ymeri beson se ndonëse asnjëra parti politike nuk duket se ka autonomi të plotë në degët e veta, kryetarët e degëve duhet t’i kenë parasysh interesat e gjithë partisë. “Degët e partive politike nuk duhet të harrojnë se janë pjesë e një partie politike, e cila nuk e ka në këndvështrim vetëm njërën prej komunave, por tërë të ardhmen e partisë”.
Sipas tij, jo rrallëherë këto koalicione lidhen për interesa personale, për ndarje të pushtetit në nivel lokal, i cili jo domosdo e ka interesin e qytetarit si synim të parë.
Për Ismet Kryeziun, drejtor ekzekutiv në Institutin Demokratik të Kosovës, partitë nuk mund ta ndajnë me thikë qeverisjen kombëtare nga ajo lokale. “Cila është logjika politike nëse në nivelin kombëtar përçahen, armiqësohen dhe nxisin pothuaj përplasje civile, ndërsa në nivel lokal sillen sikur janë bashkëpunuese ‘për të mirën e qytetarit’? Nuk mund t’i lësh qytetarët një vit pa institucione, pa Kuvend e pa qeveri funksionale, e pastaj të thuash se në komuna po bashkëpunojmë për nevojat e tyre”, u shpreh ai në Facebook.
Balotazhi do të zhvillohet në 18 komuna. Tjerat i kanë zgjedhur kryetarët e vet qysh në raundin e parë, më 12 tetor.
Vëmendjen kryesore më 9 nëntor pritet ta marrin garat në Prishtinë (LDK – LV), Prizren (PDK – LV), dhe Mitrovicë të Jugut (LV – PDK).
Çfarë i ul tensionet partiake?
Partia që fitoi më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, LV-ja, provoi ta formonte qeverinë e re të Kosovës më 26 tetor, por pa sukses.
Meqë edhe partitë tjera të mëdha shqiptare u deklaruan se nuk i kanë numrat për ta krijuar një shumicë, Kosova duket se i ka të pashmangshme zgjedhjet e parakohshme.
Rruga prej shkurtit deri në fund të tetorit ishte e mbushur me akuza të panumërta dhe polarizime të skajshme.
Të shumtë janë ata që kanë dilema nëse procesi i ri eventual do të prodhonte rezultate të reja.
Për njohësit e çështjeve politike, çelësi qëndron te ndryshimi radikal në qasje. “Rezultati mund të mos ndryshojë, por sjellja e partive politike duhet të ndryshojë, karshi nevojës urgjente që Republika e Kosovës e ka për të pasur institucione funksionale. Ne si qytetarë, duhet ta kuptojmë qartë që përgjegjësia bie mbi palët që e kanë pasur mundësinë dhe pushtetin më të madh”, vlerëson Ymeri.
 
                        


 
                                         
                                         
                                         
                                         
                                        