PSE EDHE PAS KREJT KËTYRE AVENTURAVE, NJERËZIT ENDE E DUAN ALBININ?

07 maj 2025 | 15:15

Nga: Prof. Jeton Kelmendi PhD

Mbase mund të duket diçka e thjeshtë, por në fakt jo, është një fenomen politik dhe psikologjik që po ndodh me shioqërinë tone. Në politikën moderne të Kosovës, pak figura kanë gjeneruar polarizim dhe pasion njëkohësisht si Albin Kurti. Shto faktin se kjo po ndodhë në kohën e teknologjisë, ku gjithëçka mund të manipulohet, por edhe zbulohet fare shpejt. Megjithatë, ajo që ngre më shumë pikëpyetje nuk është vetëm rruga e tij politike apo taktikat që përdor, por fakti që një numër i madh qytetarësh vazhdojnë ta mbështesin atë, pavarësisht zhgënjimeve, dështimeve dhe veprimeve të tij të shpeshta që shkelin parimet demokratike ose premtimet fillestare. Ky tekst nuk ka për qëllim një gjykim moral apo politik të Kurtit, por një analizë të thelluar të arsyeve pse mbështetja ndaj tij mbetet e qëndrueshme – dhe çfarë thotë kjo për shoqërinë tonë.

Kulti i liderit dhe personifikimi i shpresës

Në një shoqëri që ka kaluar tranzicione të dhimbshme, luftë, korrupsion sistemik dhe dështime të njëpasnjëshme të klasave politike, shpresa kolektive është e lodhur. Në këtë zbrazëti shprese, Albin Kurti hyri me retorikën e tij revolucionare, me një moral absolut dhe një përçmim të hapur ndaj elitave të vjetra politike, por edhe elitave të çfarëdo fushe. Ai nuk u paraqit si një politikan i zakonshëm, por si një shpëtimtar moral. U shkarravit nëpër rrugët e Kosovës, duke u kacafytur me policinë për goxha do vite. Për një pjesë të popullatës, kjo përfaqësonte jo vetëm ndryshim politik, por shpresë metafizike – një besim irracional, emocional dhe pothuajse religjioz. Në këtë aspekt, shumë njerëz nuk duan ta shohin Albinin si një politikan të zakonshëm. Ata duan që ai të mbetet simboli i pastrisë, i dëlirësisë ideologjike, dhe për këtë arsye, çdo kritikë ndaj tij, çdo dështim apo veprim i diskutueshëm, relativizohet ose mohohet. Ai është bërë më shumë një mit i gjallë se sa një lider real. Por si ka mundësi të ndodhë kjo?

Një logjikë e thjeshtë të çon tek një konstatim relevant. Dorëzimi i arsyes dhe lidhja emocionale me përsonin e pagabueshëm Albin Kurti. Kur qytetarët e një vendi dorëzohen nga arsyeja, ata dorëzohen edhe nga vetë politika. Në vend të analizës së politikave publike, vendimeve konkrete dhe rezultateve, ata udhëhiqen nga emocioni, nga lidhja personale me figurën e liderit. Në rastin e Kurtit, shumë qytetarë e kanë zhvendosur dashurinë për vendin tek një individ – tek Albin Kurti. Ata nuk e duan më Kosovën si ide dhe projekt kolektiv, por e duan Albinin si mishërim të kësaj ideje. Kjo është një formë e identifikimit emocional që kalon përtej racionalitetit. Ky dorëzim i arsyes ndodh për shkak të një varfërie të thellë kulturore dhe arsimore, një mungesë të edukatës qytetare dhe politike, dhe një konsum të vazhdueshëm të narrativave propagandistike që identifikojnë çdo kritikë ndaj Kurtit si një sulm ndaj vetë kombit. Kur mendimi kritik fshihet dhe stigmatizohet, atëherë mbështetja politike bëhet e verbër.

Kultura e viktimës dhe retorika e përjashtimit

Një tjetër shtyllë që mban të gjallë mbështetjen për Kurtin është ndjenja kolektive e viktimizimit. Ai ka përdorur me mjeshtëri një gjuhë që e paraqet veten si viktimë të sistemit, të mediave, të ndërkombëtarëve, të opozitës, dhe më vonë edhe të bashkëpunëtorëve të vet. Ky narrativ përputhet me një ndjenjë të përhapur në shoqëri – se të gjithë janë kundër nesh. Kjo e ndihmon të ndërtojë një ndarje të ashpër mes “ne” dhe “ata”: ata që janë me Albinin dhe ata që janë kundër popullit. Kështu, çdo kritikë politike interpretohet si tradhti, dhe çdo debat demokratik si sabotim. Kjo retorikë e përjashtimit ushqen një fanatizëm politik që nuk njeh as moralin bazik të dyshimit apo analizës kritike.

Njerëzit duan të besojnë, jo të analizojnë

Në një shoqëri të tejmbushur me informacion, manipulime dhe konfuzion, është më e lehtë të mbështetesh në një figurë që pretendon se di gjithçka për ty dhe për të ardhmen tënde. Kurti ka ndërtuar një narrativ që e vendos veten si interpretues të vullnetit popullor. Në thelb, ai thotë: “Unë e di më mirë se ju çfarë ju duhet.” Kjo është një formë e paternalizmit politik që në kontekste të caktuara funksionon si shpëtim për njerëzit që kanë hequr dorë nga pjesëmarrja aktive në politikë. Kur qytetarët nuk ndihen më aktorë politikë, por spektatorë të çoroditur, atëherë ata kërkojnë një udhëheqës që mendon për ta. Pra kjo i bie se qytetarët nuk i duhen padronit Kurti si emra, por si numra, sepse numrat po i mungojnë edhe tani ne Kuvend.

Një pjesë tjetër e rëndësishme për të kuptuar këtë besnikëri të verbër është pritja e gjatë për një fitore që nuk ka ndodhur kurrë. Pavarësisht dështimeve konkrete në ekonomi, drejtësi, arsim, shëndetësi apo në politikën e jashtme, njerëzit vazhdojnë të presin. Ata nuk e shohin këtë si dështim, por si një rrugë të gjatë drejt diçkaje që vërtet ka vlerë. Në këtë mënyrë, pritja bëhet formë e durimit ideologjik, një lloj sakrifice e përhershme për një të ardhme që gjithmonë është përpara. Edhe nëse nuk vjen, mjafton pritja…

Manipulimi i thjeshtësisë: Populizmi si strategji

Kurti ka ndërtuar një populizëm të sofistikuar në pamje të jashtme, por të thjeshtë në përmbajtje: ai kundër të gjithëve. Ky është një diskurs që nuk kërkon shumë përpjekje për ta kuptuar, sepse funksionon mbi ndjenjat bazike të zemërimit, zhgënjimit dhe ndarjes. Në këtë mënyrë, ai nuk kërkon që njerëzit të mendojnë, por vetëm të ndihen. Në një shoqëri ku ndjenja mbizotëron mbi mendimin, kjo është një strategji e suksesshme. Tani shtrohet pyetja se çfarë shoqërie jemi ne?

Në ketë kontekts një aspekt i rrezikshëm i këtij fenomeni është që ai minon vetë institucionet. Kur një pjesë e madhe e popullit fillon të besojë më shumë në një individ sesa në sistem, atëherë demokracia rrezikon të kthehet në autoritarizëm të butë. Kjo është arsyeja pse shumë vendime të tij që dëmtojnë pavarësinë e institucioneve nuk kritikohen nga qytetarët – sepse për ta, Kurti është më i rëndësishëm se institucionet.

Një dashuri që lind nga humbja e vetvetes

Pse njerëzit ende e duan Albinin? Sepse shumë prej tyre kanë hequr dorë nga vetja. Kanë hequr dorë nga mendimi kritik, nga angazhimi qytetar, nga kërkimi i së vërtetës. Dashuria për Albinin nuk është thjesht besim në një politikan, por një projektim kolektiv i një dëshire për shpëtim, për pastërti, për drejtësi që nuk është arritur kurrë.

Në këtë kontekst, nuk është çudi që shumë njerëz e konsiderojnë të paprekshëm. Ata e kanë vendosur atë në një vend që nuk i përket një politikani – por një profeti. Dhe kur një njeri kthehet në profet, atëherë çdo fjalë e tij bëhet e vërtetë, çdo dështim bëhet sakrificë, dhe çdo kritikë bëhet herezi. Shih sindromin Albin baba.

Ky nuk është faji vetëm i Albin Kurtit. Ky është faji i një shoqërie që nuk i mësoi vetes si të mendojë, por vetëm si të ndjejë. Një shoqëri që ka nevojë të zgjohet nga ky trans i gjatë emocional – përndryshe, ajo do të mbetet gjithmonë rob i liderëve që dinë të flasin, por nuk dinë të qeverisin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmet izraelite në të gjithë Gazën vranë të paktën 59…