Pse Kushtetuesja e cilësoi pa efekt juridik Dekretin e Osmanit dhe nuk e shpalli antikushtetues
Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës ka shkruar lidhur me aktgjykimin e djeshëm të Kushtetueses dhe cilësimin e Dekretit të presidentes Vjosa Osmani si një vendim që s’prodhon efekt juridik.
Sipas tij, një kualifikim i tillë kërkon një lexim më të kujdesshëm sesa thjeshtë të cilësohet si “antikushtetues”.
“Në pamje të parë, mund të duket si shmangie terminologjike, por në të vërtetë kemi të bëjmë me një zgjedhje të qëllimshme juridike që lidhet drejtpërdrejt me konceptin e pavlefshmërisë absolute të aktit(dekretit).
Në doktrinën e së drejtës administrative dhe asaj kushtetuese, pavlefshmëria absolute karakterizohet nga një element thelbësor: akti nuk prodhon efekt juridik që nga momenti i nxjerrjes së tij. Ai konsiderohet juridikisht i paefektshëm që nga inicimi dhe trajtohet sikur të mos kishte hyrë kurrë në rendin juridik”, shkruan ai.
Sipas tij, një konstatim i tillë tregon se Gjykata ka materializuar në praktikë efektin e pavlefshmërisë absolute të dekretit të Osmanit.
“Formulimi “nuk prodhon efekt juridik” përfaqëson një standard funksional të nullitetit ngase akti nuk hyn në rendin juridik, nuk prodhon pasoja dhe nuk ka nevojë të “rrëzohet”, sepse juridikisht nuk ka vepruar/ekzistuar kurrë”, ka shkruar Bugaqku.



