Pse Liqeni i Ujmanit nuk duhet të jetë pjesë e dialogut me Serbinë dhe cilat janë dilemat e këtij procesi?

04 janar 2021 | 12:57

Dr. sc. Ferat Shala

Sikurse dihet tashmë, Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e ShBA-së, kanë nënshkruar një marrëveshje për normalizim ekonomik të marrëdhënieve, në kuadër të së cilës “të dyja palët do të bien dakord të punojnë me Departamentin e Energjisë në ShBA dhe subjekte të tjera të Qeverisë së ShBA-së në një studim të fizibilitetit për qëllimet e shfrytëzimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si burim i besueshëm i ujit dhe energjisë”. Nga ajo që është prezantuar dhe që është thënë deri me tani, janë disa çështje që duhet të sqarohen dhe të bëhen të ditura lidhur me këtë resurs ujor të rëndësishëm të Kosovës. Duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj çështje për Kosovën, e shoh të arsyeshme që të shpreh opinionin dhe qëndrimin tim për këtë temë duke sjellë disa argumente dhe duke ngritur disa dilema për prapavijë e këtij procesi. Fillimisht duhet sqaruar se Liqeni i Ujmanit është një ndër resurset natyrore më të rëndësishme të Kosovës. Dhe kur flasim për resurset natyrore të Kosovës dhe obligimet institucionale për mbrojtjen e tyre atëherë domosdoshmërisht duhet ti referohemi nenit 122 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës i cili thotë: Pasuritë natyrore si ujërat, hapësira ajrore, pasuritë minerare dhe pasuritë e tjera natyrore, janë të përcaktuara me interes të veçantë për Republikën e Kosovës, dhe gëzojnë mbrojtje”. Sikur shihet, ky nen përcakton qartë autorizimin kushtetues për Kuvendin e Kosovës dhe institucionet e tjera shtetërore që ta garantojnë mbrojtjen e këtij resursi. Thelbi i marrëveshjes së Uashingtonit që ndërlidhet me Liqenin e Ujmanit është pjesa ku flitet për “shfrytëzimin e përbashkët të liqenit”. Andaj pikërisht në këtë pikë janë të fokusuara edhe debatet që nxisin dilemat për prapavijën e kësaj marrëveshje dhe qëllimin final të saj.  Përmes këtij opinioni do të mundohem të sjellë disa fakte për gjendjen reale që ndërlidhet me disa nga çështjet që janë të përcaktuara në marrëveshje. Le t’i marrim me radhë disa nga to dhe të shohim si janë faktet dhe argumentet ne dispozicion.

Liqeni i Ujmanin dhe menaxhimin aktual i tij?

Përveç bukurisë së tij, liqeni konsiderohet ndër asetet me rëndësi strategjike nga e cila varet ekonomia e vendit. Penda e Ujmanit është ndërtuar midis viteve 1979-1984 dhe ka një sipërfaqe prej 11.9 kilometrash katrorë dhe 370 milionë kub ujë. Ndërmarrja publike “Ibër-Lepenci” që menaxhon me Liqenin e Ujmanit dhe me infrastrukturën përcjellësi të tij është themeluar qysh në vitin 1967. Në fillim të viti 2008, ndërmarrja është shndërruar në ndërmarrje të ekonomisë së ujërave “Ibër-Lepenci”, shoqëri aksionare 100 për qind nën pronësinë e Qeverisë së Kosovës. Ndërmarrja “Ibër-Lepenci” ka mbi 200 të punësuar dhe është ndër ndërmarrjet publike më të suksesshme të Kosovës dhe me afarizëm pozitiv dhe stabil që vazhdimisht ka ndihmuar buxhetin e Kosovës. Liqeni i Ujmanit gëzon edhe statusin e zonës së mbrojtur ujore me rëndësi të veçantë të shpallur nga Qeveria e Republikës së Kosovës me propozimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

 Si qëndron puna me pronësinë e Liqenit të Ujmanit dhe ndërtimin e tij dhe a ka hapësirë të flitet për përdorimin e përbashkët?

Sipas dokumentacionit që posedon Ndërmarrja “Ibër Lepenci”, dhe i cili mundë të gjinden edhe në arkiva përkatëse, Liqeni i Ujmanit është në pronësi të kësaj ndërmarrje, në të gjithë territorin ku ai shtrihet. Pra ekziston dokumentacioni i elaboratit të shpronësimit, në pjesën e Kosovës dhe në pjesën e Serbisë që tregon se i tërë liqeni është pronë e ndërmarrjes “Ibër Lepenci”, aksionar i së cilës me 100% të aksioneve është Republika e Kosovës, dhe asnjë dokument tjetër nuk mund të dëshmojë të kundërtën.  Prandaj në një situatë e tillë çështja e përdorimit të përbashkët nuk mundë të jetë temë e diskutimit dhe as e negocimit.  Sipas dokumentacionit arkivor, ndërtimi i Liqenit të Ujmanit ka filluar në vitin 1972 ka përfunduar në vitin 1977. Hidrocentrali ka përfunduar së ndërtuari në vitin 1986. I gjithë projekti është realizuar pas miratimit të Ligjit për Ratifikimin e Kontratës mbi Projektin në mes të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (KSAK) së atëhershme dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim e Zhvillim, Nr. 777-YU (Ndërtimi i hidrosistemit ‘Ibër” për disa qëllime). Ligji është publikuar në Fletoren Zyrtare të KSAK Nr. 12 datë 26 Prill 1972.  Financimi i ndërtimit të projektit është bërë nga kredia e marr nga Banka për Rindërtim dhe Zhvillim ( 45 milionë dollarë) dhe një pjesë është siguruar nga Buxheti i Kosovës. Në kohën e ndërtimit të projektit Komuna e Zubin Potokut nuk ka ekzistuar. Procedurat e eksporpruimit (shpronësimit), vlerësimit dhe kompensimit të pronarëve i ka bërë Komuna e Mitrovicës.

 A ka nevojë për një studim të ri të fizibilitetit me qëllim që të shihen mundësitë e përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit si burim i energjisë?

Liqeni i Ujmanit është pjesë e Hidrosistemit “Ibër-Lepenc”, i cili përbën një sistem kompleks të pendëve, hidrocentraleve dhe kanaleve të ujitjes. Ky hidrosistem përbëhet nga dy njësi: pjesa veriore e cila bazohet në rrjedhat dhe potencialin e lumit Ibër dhe pjesa jugore e cila bazohet në resurset e lumit Lepenc. Pjesa veriore e hidrosistemit përfshinë pendën dhe hidrocentralin “Ujmani”. Hidrocentrali i instaluar në pendën e Ujmanit ka fuqi të prodhimit të energjisë prej 32 megavat për orë energji elektrike.  A mund të prodhohet më shumë energji elektrike nga Liqeni i Ujmanit dhe a është i nevojshëm një studim i ri për këtë çështje? Të dhënat e studimit të Bankës Botërore të realizuar në vitet e 70-ta tregojnë se nga Ujmani mund të prodhohen maksimalisht 36 megavat energji elektrike në orë. Aktualisht, hidrocentrali i instaluar në pendën e Ujmanit prodhon 32 megavat energji elektrike në orë, dhe që është maksimumi i shfrytëzimit për prodhim të energjisë, meqenëse sikur dihet një pjesë e ujit nga liqeni dërgohet për furnizim për nevoja ekonomike, industriale, për ujë të pijes dhe për ujitje. Tendenca për të prodhuar edhe më shumë energji nga hidrocentrali i Ujmanit do të rrezikonte furnizimin me ujë për nevojat e ekonomisë, për ujitje dhe ujë të pijes, dhe së këndejmi nuk shihet i nevojshëm ndonjë studim i ri i fizibilitetit për çështje te prodhimit te energjisë.

A ka nevojë për një studim të ri të fizibilitetit me qëllim që të shihet mundësia e përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit për ujitje dhe për nevoja e tjera?

Kanali apo hidrosistemi Ibër-Lepenc që furnizohet me ujë nga Liqeni i Ujmanit është 49 kilometra i gjatë dhe ka kapacitet për ujitjen e rreth 12 mijë hektarëve të tokës bujqësore në disa rajone të Kosovës. Ky hidrosistem menaxhohet nga Ndërmarrja publike “Ibër-Lepenci”. Sipas të dhënave që ofron ndërmarrja Ibër Lepenci, asnjëherë nuk janë shfrytëzuar 100 për qind të kapaciteteve të sistemit për ujitje.  Andaj edhe pretendimi që të bëhet një studim i ri i fizibilitetit për të shikuar mundësitë e rritjes së potencialit për ujitje është i panevojshëm. Ndërsa sa i përket shfrytëzimit për nevoja tjera, tashmë dihet se Ujmani është burimi kryesor i furnizimit të TC Kosovës A dhe B, furnizimit të fabrikës së Feronikelit, furnizimit të ndërmarrjes së Trepçës, dhe furnizim me ujë të pijes për disa komuna. Po ashtu, nuk duhet harruar fakti se në rastet e thatësisë ekstreme, uji nga Ujmani përdoret për mbushje të dy liqeneve tjera akumulues (Liqenit të Batllavës dhe Liqenit të Badovcit) uji i të cilëve përdoret për pije për banorët e komunave të Regjionit të Prishtinës. Andaj pretendimet që të shikohen edhe mundësi tjera për shfrytëzim të përbashkët të resurseve të këtij liqeni do e rrezikonin qëndrueshmërinë e shfrytëzimit me ujë të sektorëve që u përmendën më lartë.

 Disa dilema të tjera që kërkojnë sqarime dhe përgjigje?!

Në planin e veprimit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e marrëveshjeve të Uashingtonit lidhur me Ujmanin thuhet se: “Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, do të sigurojnë bashkëpunimin e nevojshëm për Departamentin e Energjisë në SHBA dhe njësive tjera të qeverisë së ShBA-së duke krijuar grupin punues për studimin e fizibilitetit”. Deri me tani nuk kemi parë asnjë iniciativë për formimin e grupit punues dhe as ndonjë propozim për përbërjen e tij. Opinioni publik dhe Kuvendi i Kosovës, duhet të dijë se: Deri ku ka shkuar iniciativa për formimin e këtij grupi punues. Kush e ka mandatin ta udhëheqë këtë grup? Kush janë anëtarët e grupit? Cila është përgatitja e tyre profesionale? Kush i ka nominuar ata? Kur pritet të filloj studimi i fizibilitetit? Cilat janë obligimet e Kosovës në kuadër të këtij procesi? Këtu duhet të ketë transparencë të plotë dhe debat të mirëfilltë e jo të mbesim para një akti të kryer sikur ndodhi me marrëveshjen e Uashingtonit. Kur jemi te marrëveshja e Uashingtonit dhe përfshirja e Liqenit të Ujmanit në kuadër të zotimeve të këtij dokumenti ka edhe dilema tjera që po ashtu kërkojnë sqarime dhe përgjigje.  Opinioni publik dhe Kuvendi i Kosovës duhet të dijë: A ka qenë i përgatitur sa duhet delegacioni i Kosovës për të diskutuar për këtë çështje? Me cilët ekspertë të ujërave lidhur me Ujmanin është konsultuar Qeveria e Kosovës dhe delegacioni kosovar? Pse ishte e domosdoshme që kjo çështje të përfshihej në kuadër të bisedimeve me Serbinë? Kërkesë e kujt ishte integrimi i kësaj teme në marrëveshje? A ka transkripte të bisedimeve për këtë pikë?

 Konkluzion

Nga kjo që u tha më lart mundë të nxjerrim konkludimet si vijon:

Liqeni i Ujmanit, është pronë e Republikës së Kosovës, që menaxhohet nga institucionet e Kosovës, dhe që shfrytëzohet për të mirën e përgjithshme të të gjithë qytetarëve të saj dhe në shërbim të zhvillimit ekonomik të vendit, andaj çfarëdo pretendimi për të marrë hise në shfrytëzimin e resurseve të tij nga kushdo qoftë është i paqëndrueshëm dhe i papranueshëm.  Aktualisht nga Liqeni i Ujmanit shfrytëzohet maksimumi i tij për prodhim të energjisë, për ujitje, për furnizim për ujë të pijes dhe për furnizim për prodhim për nevoja të industrisë, andaj pretendimet për studime shtesë për të shikuar mundësitë e shfrytëzimit të përbashkët me çfarë do pale tjetër janë të panevojshme dhe të papranueshme dhe do të rrezikonte qëndrueshmërinë e furnizimit për këta sektorë. Republika e Kosovës, sikurse ka vepruar deri me tani duhet të jetë e gatshme të respektojë normat ndërkombëtare dhe evropiane që rregullojnë menaxhimin e integruar ndërkufitarë të resurseve ujore në nivel të pellgjeve ujore me qëllim të monitorimit dhe mbrojtjes nga ndotja, hartimit të programeve dhe politikave ndërkufitare të menaxhimit të qëndrueshëm, apo edhe çfarë do forme tjetër të bashkëpunimit që është në të mirë të mbrojtjes së resurseve ujore dhe që janë në harmoni me Kushtetutën e  Republikës së Kosovës (Neni 17, 18, 19); Ligjit për Marrëveshjet Ndërkombëtare (Nr. 04/L-052- Neni 12;) dhe Ligjit për Ujërat e Kosovës (Nr. 04/L-147, Kreu IV).

No description available.

Aneks 1 (Ekstrakt nga Ligji/Kontrata e projektit për ndërtimin e Liqenit të Ujmanit të publikuar në Fletoren Zyrtare të ish-KSA Kosova)

 

No description available.

Aneks 2: (Harta skematike e sistemit të ujitjes Ibër-Lepenc)

Shkruar enkas për “Epokën e re”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Beyonce është një ndër emrat më të shquar të muzikës…