Pse po i heshtet deklarimeve të Kurtit?

03 dhjetor 2025 | 10:54

Shkruan: Hisen Berisha

Në Oslo, në një takim elektoral, Albin Kurti kishte deklaruar se nuk e ka parë “të udhës” një koalicion me PDK-në, sepse atje, sipas tij, duhen “reforma”. Madje, me arrogancën e zakonshme, tha se “kryetar eshtë dikush qe s’është kryetar”.
Një goditje e ulët, një përpjekje për zhburrërim politik (meqë zhburrërimin moral e fizik e ka tipar të karakterit vet Kurti) dhe si pasojë e sindromit stokholkmian e ka kthyer në doktrinë veprimi politik, nga ku edhe rrjedh përgjigja e tij primitive ndaj mesazhit konstruktiv të Bedri Hamzës se “PDK nuk ka vija të kuqe”.

Në thelb të veprimit të Kurtit tashmë shfaqet qartë një proces i “kapjës strategjike të shtetit”, ku strukturat paralele serbe dhe aktorë të lidhur me Beogradin e Athinën, si Dejana Mihajlova, janë rivendosur brenda institucioneve. Kjo nuk është thjesht papërgjegjësi politike, por cenim i drejtpërdrejtë i sigurisë, sovranitetit dhe regres historik drejt modeleve të kontrollit të jashtëm.

Dhe këtu del edhe më në sipërfaqe kontradikta morale në raport me Kurtit, e cila doemos të çon te mendimi se dje, “UÇK pati guxim të luftonte regjimin e Millosheviçit”, ndërsa sot, disa ish-eksponentë të saj, me petk politik, janë të dorëzuar para një Dejana Mihajlova, e shpallur non-grata nga vetë qeveria e Kosovës në vitin 2014, e cila si koordinatore e komiteteve politike të VV-së nën drejtimin e Kurtit po i rikthen mekanizmat e Serbisë brenda Kosovës. Kjo nuk është vetëm ironike, është tragjike. Paralajmërim që e bëri Kadri Veseli në foltoren e Kuvendit, kur Albin Kurti po e merrte qeverisjen nga zgjedhjet e tetorit 2019.

Deklarimet e Kurtit dëshmojnë mungesë vetëdijesimi politik dhe mungesë vizioni për zhvillim. Bllokadat, refuzimi i dialogut, destruktiviteti ndaj partnerëve të skenës politike, janë kthyer në metodën e tij të politikëbërjes dhe të qeverisjes. Në vend të stabilitetit, ai prodhon kriza. Në vend të bashkëpunimit, ai kultivon ndasi.

Në të njëjtën kohë, Evropa po e sheh se arkitektura e vjetër e dialogut të Brukselit është konsumuar. BE-ja ka humbur kontrollin mbi procesin dhe, në mungesë rezultatesh, po zhvendos barrën te Kosova. Ky është gabim strategjik që rrezikon sigurinë rajonale dhe e ekspozon Kosovën ndaj lojërave të rrezikshme gjeopolitike të Serbisë dhe Rusisë.
Pikërisht për këtë arsye, është bërë imperativ që faza e ardhshme e dialogut të mos mbetet peng i një kornize evropiane të ezauruar, por të udhëhiqet dhe të përmbyllet nga SHBA-të, në përputhje me Doktrinën Trump për vendosjen e paqes dhe stabilitetit në zonat ku Rusia synon ta ruajë protagonizmin.
Ashtu si në Lindjen e Mesme dhe Indo-Paqësor, ku Uashingtoni rimori iniciativën për të neutralizuar ambiciet ruse dhe kineze, edhe Ballkani duhet trajtuar si vijë strategjike e sigurisë amerikane, duke përfshirë këtu edhe gjeostrategjinë ruse për korridorin e zgjeruar të ndikimit rus që pretendon të shtrihet përmes Mesdheut drejt Atlantikut, përkatësisht SHBA-ve, përmes “proksit” të tyre Serbis apo “Iranit të Ballkanit”.

Në ketë kontekst, po aq përgjegjës mbeten edhe ata liderë të partive të tjera që ende ushqejnë iluzionin se Kurti mund të jetë partner qeverisës. Kjo qasje e gabuar mban peng politikën dhe e zvarrit një bashkëpunim që ka dështuar në çdo provë.

Koha e eksperimenteve ka mbaruar. Çdo energji politike duhet të orientohet drejt 28 dhjetorit, momenti i rikthimit të ekuilibrave demokratikë dhe fillimit të një cikli të ri politik. Vetëm oferta të qarta dhe mobilizim maksimal mund ta nxjerrin vendin nga ky rreth vicioz që po e përball me dezorganizim kushtetues e institucional.

Por përballja e parë pas zgjedhjeve duhet të jetë e pa pardon dhe e qartë, me marrëveshjet e Kurtit të vitit 2023 (ku përfshihet Planin Franko-Gjerman, Aneksin e Ohrit dhe Statuti i “zajednicës”) që janë dokumente pa adresë identitare, tekste që shmangin Deklaratën e Pavarësisë, anashkalojnë Kushtetutën e Republikës së Kosovës, referohen te Rezoluta 1244, mohojnë Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe pranojnë arbitrazhin ndërkombëtar, prekin integritetin territorial dhe sovranitetin politik në territor dhe hapin rrugën për një autonomi territoriale-politike në 1/3 e Kosovës në Veri. Ky është rreziku historik që Kurti e ka fshehur pas propagandës.
Si pasojë, kam kërkuar në foltoren e Kuvendit dhe kam deklaruar publikisht në media nevojën që FBI të hetojë procesin e dialogut të udhëhequr nga Kurti si Kryeministër, si dhe dokumentet e prodhuara nga ky dialog, të cilat cenojnë interesat kombëtare dhe shtetërore të Kosovës.

Vend’bazimet ushtarake të Serbisë rreth kufirit të Kosovës 48 sish, nuk janë thjesht pozicionime taktike; ato përbëjnë atë që në doktrinat ushtarake quhet “Shtylla Serbe e Presionit”, një presion permanent kinetik, paramilitar dhe psikologjik ndaj sovranitetit të Kosovës. Mosadresimi i këtij realiteti strategjik, është papërgjegjësi që dëmton sigurinë kombëtare.

Kosova, pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, nuk duhet të vazhdojë dialogun politik në Bruksel pa u sqaruar plotësisht rasti “Banjska” 2023, objektivat, skenaristët dhe roli i Serbisë, siç e kam theksuar publikisht në analizat e mia. Banjskën e mundësuan dhe prapë mund ta organizojë Serbia me 48 vendbazime ushtarake në territoret shqiptare brenda Serbisë dhe me praninë e ‘Qendrës së Ekselencës Ruse’ që janë vendosur në formë patkoi, përgjatë kufirit verilindor e veriperëndimor me Kosovën, ende të pa demarkuar, e të pa ratifikuar ndërkombëtarisht.

Pas agresionit rus kundër Ukrainës, Evropa ka hyrë në një logjikë të re sigurie. Putinizimi i politikës serbe është bërë rrezik real; ndërsa Perëndimi po kthehet drejt doktrinës së imponimit të paqes përmes forcës, një qasje që përputhet me Doktrinën Trump për garantimin e paqes globale me kapacitete ushtarake dhe shumëdimensionale.
Situata gjeostrategjike e sotme e Kosovës, është rrethanë tërësisht tjetër krahasuar me vitet 2013–2015, kur Kosova as në aspektin diplomatik e as në atë ushtarak nuk ishte në konotacionin e sotëm politik, diplomatik e ushtarak.

Termi historik amerikan “Peace Through Strength”, paqja përmes forcës, sot është rikthyer si instrument kyç i strategjisë perëndimore. Dhe pikërisht këtu bie poshtë propaganda e Kurtit: siguria nuk ndërtohet me improvizime ideologjike, por me aftësi shtetërore, kapacitete dhe pozicionim të qartë në arkitekturën euroatlantike.

Në këtë realitet të ri, Kosova nuk mund të udhëhiqet nga politika e improvizimeve personale të Albin Kurtit. Vendi ka nevojë për seriozitet strategjik, qartësi kombëtare dhe lidership që nuk përkulet para presioneve, mashtrimeve apo aventurave ideologjike.

28 dhjetori nuk është vetëm datë zgjedhjesh, por, është momenti kur vendi duhet të zgjedhë nëse do të udhëhiqet nga vizioni apo nga improvizimi, nga shteti apo nga propaganda, nga përgjegjësia apo nga aventurizmi personal.

Dhe kjo fillon më 28 dhjetor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi është zgjedhur drejtor i Qendrës…