Pse populistët magjepsen me letërsinë fantastike?

30 qershor 2025 | 07:56

Nga: Martin Sandbu / The Financial Times [Why is the right so fascinated with fantasy literature?]
Përktheu: Agron Shala 

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, themeloi një konferencë politike konservatore të emërtuar sipas një heroi të një romani bestseller të zhanrit të fantazisë, të vitit 1979 [Atreju, personazh nga vepra Historia pa mbarim]; dikur ajo vishte kostumin e hobitit, ndërsa në vitin 2023 organizoi një ekspozitë muzeale kushtuar J.R.R. Tolkienit [autor i Kryezotit të Unazave dhe Hobitit]. Peter Thiel, miliarderi i teknologjisë që mbështet Trumpin dhe është skeptik ndaj demokracisë, kryeson një trend në Luginën e Silikonit [Silicon Valley] për emërtimin e kompanive të frymëzuara nga Kryezoti i Unazave – duke filluar nga kompania e tij e inteligjencës së të dhënave, Palantir (gurë magjikë në Tokën e Mesme), deri te prodhuesi i armëve, Anduril (një shpatë, sipas Tolkienit). Nënpresidenti amerikan, J.D. Vance, ka thënë se konservatorizmi i tij është ndikuar nga Tolkieni dhe C.S. Lewisi – autori i Kronikave të Narnisë.

Me fjalë të tjera, magjepsja me letërsinë fantastike i bashkon konservatorët nacionalistë evropianë, sivëllezërit teknologjikë të Trumpit dhe lëvizjen MAGA [Make America Great Again]. A është kjo thjesht një rastësi? Apo ka diçka në vetë natyrën e letërsisë fantastike që, në mënyrë të pazakontë, përputhet me mendësinë e djathtë?

Në rastin italian, adhurimi për letërsinë fantastike ka qenë “më shumë psikologjik sesa politik”, thotë Salvatore Vassallo, profesor i shkencave politike në Universitetin e Bolonjës. Ai kishte rëndësi në kohën kur Meloni dhe shoqëruesit e saj ishin të rinj, dhe pjesa e tyre e së djathtës ishte e përjashtuar nga politika tradicionale për shkak të bagazhit të “referencave kulturore fashiste, të cilat nuk mund t’i shprehnin” publikisht.

Pra, fantazia si një filozofi reaksionare e pranueshme për publikun? Pa dyshim, shumë tema të këtij kodi letrar duket se përputhen me këtë përshkrim.

Për shembull, është e lehtë të kuptosh se si hierarkia shoqërore mesjetare dhe kategorizimi esencial racor – të zakonshëm në botët fantastike – mund të nxisin pikëpamjet reaksionare. Gjithashtu, është e lehtë të shihet tërheqja ndaj traditës dhe ritualit nga ata që e ndjejnë veten të përjashtuar nga moderniteti. (Vassallo thotë se dashuria e Melonit dhe e të tjerëve për Tolkienin ishte “në përputhje me atë që ata mendonin për veten: njerëz ‘të pastër’ që luftonin për vlerat që i çmonin, por që të tjerët përreth i nënvlerësonin”.)

Por, disa nga këto vlerësime janë të padrejta. Në fund të fundit, shumë vepra të letërsisë fantastike mund të interpretohen ndryshe: heronjtë sfidojnë hierarkitë shoqërore; bashkëpunimi ndërmjet racave të ndryshme mposht të keqen. Një mospëlqim i supozuar estetik ndaj modernitetit nuk gjen vend në optimizmin teknologjik të Luginës së Silikonit.

Çelësi, mendoj unë, gjendet më shumë te mënyra se si letërsia fantastike ka prirjen drejt heroikes. Këto janë rrëfime të këmbënguljes personale përballë fatkeqësisë maniheike [sipas dualizmit të maniheizmit, religjionit ku bota shihej si një fushëbetejë midis forcave kundërshtare të dritës dhe errësirës, të së mirës dhe të keqes]. Janë histori ku virtyti fiton; ku individët – nëse marrin vendimet e duhura, përqafojnë vlerat e duhura, ndjekin instinktet e duhura – ia dalin të mundin sistemin. Janë, mund të thuash, rrëfime për triumfin e vullnetit.

Kjo përputhet mirë me populizmin. Ajo mbështet idenë se problemet në jetën e njerëzve shkaktohen nga forcat dashakeqe, dhe se disa individë të veçantë mund t’i përballojnë dhe t’i mposhtin ata armiq. Të dyja këto ide qëndrojnë në themel të retorikës që populistët përdorin për të justifikuar pse njerëzit (hiç më pak se “populli”) duhet të votojnë për ta. “Unë jam hakmarrja juaj”, ka thënë Donald Trump.

Populizmi mund të jetë i djathtë ose i majtë. Por, në një mënyrë tjetër, triumfi i vullnetit që përshkon zhanrin fantastik është (siç i përshtatet vetë termit) më i lehtë për populistët e djathtë që ta përvetësojnë. Ai shndërrohet në një frikë nga të qenit i kontrolluar nga strukturat anonime të shoqërisë dhe në një dëshirë që zgjedhjet dhe vlerat tona personale të përcaktojnë botën përreth nesh. Ai pasqyron një dëshirë për kontroll, pushtet dhe për një mekanizëm të qartë që lidh zgjedhjen individuale me ndikimin shoqëror – një dëshirë, në thelb, për një botë epike, jo për atë moderne.

Fantazia përfaqëson jo aq një rikthim në një idil paramodern, sesa një përmbushje të lirisë që Iluminizmi premtoi, por që kompleksiteti shoqëror ia mohoi individit. Kjo është më e vështirë për të majtën për ta përqafuar, pasi struktura shoqërore është thelbësore për botëkuptimin e saj. Në nivel personal, ekzistencialistët e majtë mund të dëshirojnë të çlirohen nga pritshmëritë shoqërore. Por, politikisht, e majta e pranon rëndësinë parësore të strukturës shoqërore dhe përpiqet ta formësojë atë, ndërsa e djathta synon ta lërë ashtu siç është (në versionet reaksionare), ose ta shkatërrojë (në ato më libertariane).

Ato ëndrra të pastra të djathta janë të destinuara të dështojnë. Ne jetojmë në modernitet, pavarësisht nëse na pëlqen apo jo; shoqëria, pashmangshmërisht, i strukturon zgjedhjet tona. Por, a është për t’u habitur që zhgënjimi që lind nga kjo përvojë nxit një dëshirë për unaza dhe amulete magjike – ose për teknologji të fuqishme, por të vështira për t’u kuptuar?

Megjithatë, nga letërsia fantastike mund të nxirret edhe një mësim tjetër. Një strukturë e thellë që lidh njerëzit me natyrën shfaqet, për shembull, në serinë Tokëdeti të Ursula Le Guinit. Këto janë vepra për kufijtë e asaj që fuqia individuale mund të arrijë dhe për mënyrën se si ajo duhet të përdoret për të rikthyer ekuilibrin dhe për të përforcuar strukturat, e jo për t’i shembur ato.

Ndoshta Giorgia, Peter, JD dhe miqtë e tyre duhet të lexojnë më shumë letërsi fantastike, jo më pak. /Telegrafi.com/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
NASA ka bërë një zbulim të ri e të jashtëzakonshëm.…