Pse ‘Sarajevo Safari’ mund të bëhet dosja më e rrezikshme për Vuçiçin?!
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka kërcënuar se do të padisë disa media ndërkombëtare që, sipas tij, po përhapin lajme të rreme për përfshirjen e tij në skandalin e quajtur “Sarajevo Safari”.
Ky term i rëndë u ringjall pas raportimeve se prokurorët në Milano kanë hapur një hetim ndaj disa shtetasve italianë që dyshohet se kanë paguar shuma të mëdha parash për të marrë pjesë si “snajperistë fundjave” gjatë rrethimit të Sarajevës, duke shtënë mbi civilë gjatë luftës në Bosnjë.
Sipas denoncimit të gazetarit italian Ezio Gavaceni, hetimi përfshin edhe qytetarë nga SHBA, Kanadaja dhe Rusia.
Raste të tilla, të cilat i kanë dokumentuar edhe media ndërkombëtare, përfshijnë akuza se individë të huaj paguanin para për të shtënë nga distanca mbi njerëz të pambrojtur, një histori që britanikja The Guardian e ka cilësuar si një nga aspektet më të errëta të jetës nën rrethim.
Vuçiç është përfshirë në polemikë pasi disa raportime e kanë lidhur indirekt me këtë dosje, çka ai e quan gënjeshtër të pastër dhe “fushatë kundër Serbisë”.
Në një deklaratë të gjatë, presidenti serb tha se do të angazhojë “avokatët më të shtrenjtë në botë”, të cilët do t’i paguajë me sistemin “success fee”, pra vetëm nëse fitojnë çështjen ndaj mediave si The Guardian dhe Daily Mail.
Ai shtoi se nuk do të padisë media brenda Serbisë, të cilat i akuzon se “kanë shpikur gënjeshtra për dhjetë vite”, por do të përqendrohet tek gazetat perëndimore “që kanë shumë para”.
Reagimet në Serbi kanë qenë të forta dhe kryesisht kritike.
Profesoresha dhe politikania Biljana Stojkovi? ironizoi se Vuçiç nuk po e kupton se mediat ndërkombëtare nuk funksionojnë si ato në Serbi dhe se nuk mund të frikësohen me “ulërima përbrenda vendit”.
Ajo thekson se hetimi për “snajper-safarin” duhet të shkojë deri në fund dhe se nëse provohet ndonjë përfshirje e figurave politike të viteve ’90, “vendimi i drejtësisë duhet të jetë i paevitueshëm”.
Gazetari Nedim Sejdinovi? shprehet se Vuçiç me shumë gjasë nuk do ta çojë deri në fund paralajmërimin për padi, sepse artikujt e mediave janë të mbështetur në dokumente dhe nuk ka bazë ligjore për akuzë.
Sipas tij, presidenti serb po përdor kërcënimet me padi për konsum të brendshëm, ndërsa nëse çështja hapet vërtet në gjykatat ndërkombëtare, rrezikon të hapë dosje të vjetra për krimet e së djathtës radikale serbe në vitet ’90, përfshirë periudhën kur vetë Vuçiç ishte ministër i informimit i Sllobodan Millosheviçit.
Në të njëjtën linjë, Bojan Kostreš nga Lidhja e Socialdemokratëve të Vojvodinës e sheh deklaratën e Vuçiçit si “teatër politik për opinionin vendas”, duke shtuar se fakti që media të mëdha ndërkombëtare po raportojnë për këtë histori do të thotë se ka indicie serioze.
Sipas tij, Vuçiç po përpiqet të kontrollojë situatën dhe të shmangë humbjen e mëtejshme të mbështetjes publike.
Kjo çështje është shumë më e thellë sesa një polemikë e radhës mes Vuçiçit dhe mediave perëndimore.
Ajo prek plagët e hapura të luftërave të Ballkanit, çështjen e mosndëshkimit të plotë për krimet e së kaluarës dhe rolin e elitave të sotme politike që kanë trashëguar pozicione nga regjimet e viteve ’90.
Nëse hetimi i Milanos ecën përpara dhe nëse këto akuza marrin trajtë gjyqësore, “Sarajevo Safari” mund të kthehet në një nga historitë më të rëndësishme të ridimensionimit të së vërtetës së luftërave në Bosnjë, dhe të rolit që disa aktorë politikë të sotëm kanë luajtur në to.



