Pse ShBA-ja është e interesuar për naftën e Venezuelës?
Presidenti Donald Trump tha të shtunën se ShBA do të merrte kontrollin e rezervave gjigante të naftës së Venezuelës dhe do të angazhonte kompani amerikane që të investonin miliarda dollarë për të rinovuar industrinë e naftës të vendit, e cila është shkatërruar.
Venezuela “ulet” mbi rreth 303 miliardë fuçi naftë bruto – afërsisht një e pesta e rezervave globale të botës, sipas Administratës së Informacionit për Energjinë të SHBA-së (EIA).
Një rindërtim i udhëhequr nga ShBA mund ta kthente me kalimin e kohës Venezuelën në një furnizues shumë më të madh të naftës dhe mund të krijonte mundësi për kompanitë perëndimore të naftës, si dhe të shërbente si një burim i ri prodhimi. Kjo mund të ndihmonte edhe në mbajtjen nën kontroll të çmimeve në një shkallë më të gjerë, megjithëse çmimet më të ulëta mund t’i dekurajonin disa kompani amerikane nga prodhimi i naftës.
Lloji i naftës që ka Venezuela – naftë e rëndë, me përmbajtje të lartë squfuri (heavy, sour crude) – kërkon pajisje të posaçme dhe një nivel të lartë ekspertize teknike për t’u përpunuar.
Shtetet e Bashkuara, prodhuesi më i madh i naftës në botë, kanë naftë të lehtë dhe “të ëmbël” (light, sweet crude), e cila është e mirë për prodhimin e benzinës, por jo shumë më tepër. Nafta e rëndë dhe me përmbajtje të lartë squfuri, si ajo e Venezuelës, është thelbësore për disa produkte që dalin nga procesi i rafinimit, përfshirë dizelin, asfaltin dhe karburantet për fabrika dhe pajisje të rënda të ndryshme.
Shfrytëzimi i naftës venezuelane mund të ishte veçanërisht i dobishëm për Shtetet e Bashkuara: Venezuela është afër dhe nafta e saj është relativisht e lirë.
Venezuela ka rezervën më të madhe të provuar të naftës në Tokë, por potenciali i saj i tejkalon shumë prodhimin real: Venezuela prodhon vetëm rreth 1 milion fuçi naftë në ditë — rreth 0.8% të prodhimit global të naftës bruto.
Sanksionet ndërkombëtare ndaj qeverisë venezuelane dhe një krizë e thellë ekonomike kontribuan në rënien e industrisë së naftës së vendit, por, sipas EIA-s, ndikuan edhe mungesa e investimeve dhe e mirëmbajtjes.



