
Pse shkruaj
Nga: Eduardo Galeano
Përktheu: Bajram Karabolli
sepse prirja ime për mëkat më pengoi të isha i shenjtë,
sepse në futboll kam qenë gjithmonë një këmbë-fortë,
sepse më duhet të besoj se distanca midis dëshirës dhe botës nuk është aq e madhe,
sepse më duhet të besoj se ndonjëherë mund të them atë që dua të them,
sepse më duhet të besoj se ka histori që meritojnë të përhapen,
sepse duke shkruar u kthej të tjerëve atë që vjen prej tyre,
sepse dhimbja e të tjerëve më lëndon,
sepse kënaqem me kënaqësinë e të tjerëve,
sepse më jep gëzim të zbuloj thesare të fshehura,
sepse kam nevojë të ndaj zemërimin dhe melankolinë, verbimet, zbulimet,
sepse nga Sheherazada mësova se një histori vlen edhe një ditë jetë,
sepse nga Oneti mësova se ka fjalë më të mira se heshtja,
sepse unë jam një shëtitës dhe çdo faqe është një udhëtim i ri që fillon,
sepse duke shkruar nuk jam vetëm,
sepse duke shkruar flas në veshët e miqve që nuk i njoh
dhe tek ata njoh veten.
Dhe sepse duke qenë, siç jam, krejtësisht i padobishëm, nuk kam zgjidhje tjetër.