Pse udhëheqësit rusë janë gjithmonë kaq të dhunshëm?

20 prill 07:55

Nga Costica Bradatan

Pse Smerdiakovi i vriste macet? Thjesht për qejf. Shërbëtori është një nga personazhet më të çuditshëm tek romani “Vëllezërit Karamazov” të Dostojevskit. Ai është i padukshëm, i pakuptueshëm, i rrëshqitshëm, gjithmonë i fshehtë, duke i bërë gjithnjë gjërat me dinakëri.

E megjithatë pas kësaj maske anonimiteti fshihet diçka e frikshme:detyrimi për të bërë gjëra të këqija. Kur prezantohet si personazh, për Smerdiakov mësojmë se “kur ishte fëmijë i pëlqente të varte macet, dhe më pas t’i varroste me ceremoni”.

Njeriu ndihet i detyruar – sidomos kur vjen nga Evropa Lindore – të kërkojë tek letërsia përgjigje për pyetjet më të mëdha rreth historisë dhe pranisë së Rusisë në botë. Vëllezërit Karamazov është një libër shumë simbolik, dhe Smerdiakov është ndoshta një ndër simbolet më të spikatura.

Teksa rritet, ai bëhet gjithnjë e më i aftë për t’u bërë keq të tjerëve. Kur rritet, Smerdiakov u mëson fëmijëve në lagje një truk të lig: “Merrni një copë bukë… futni brenda një gjilpërë dhe jepjani qenit në oborrit. Ai është aq i uritur sa do të gëlltisë çfarëdolloj gjëje që të ketë para, dhe më pas shihni se çfarë ndodh”.

Pse i torturon qentë? E pse jo? Përfundimisht Smerdiakov e bën atë një sjellje sistematike dhe koherente. Ai e vret Fjodor Pavlloviçin pa ndonjë motiv të qartë. E planifikon vrasjen deri në detaje dhe e kryen me gjakftohtësi, por ne nuk e dimë pse. Ai thjesht vret.

Smerdiakovizmi është një forcë e errët, por e jashtëzakonshme që e dominon të gjithë historinë ruse. Parimi i tij themelor është formuluar në mënyrë të përmbledhur nga vetë shërbëtori: “Popullit rus ka nevojë për dajak”. Pse? Sepse ashtu duhet. Smerdiakovizmi vihet re veçanërisht në formën e liderëve dhe institucioneve që sundojnë vetëm përmes terrorit; dhe represionit për hir të represionit.

Ndikimi i tij është dërrmues, kujtesa e tij traumatike, dhe efektet e tij sociale përgjithmonë paralizuese. Xhozef Konrad sheh tek këto institucione smerdiakoviane “diçka çnjerëzore”, të një bote tjetër. Qeveria e Rusisë cariste, e mbështetur tek një polici sekrete e gjithë-pranishme, e gjithëpushtetshme “torturonte dhe vriste trupat e nënshtetasve të saj si një ndëshkim i dërguar nga Zoti”.

Ishte Stalini ai që e përsosi dukurinë e smerdiakovizmit. Nën sundimin e tij, ai vrau nëpërmjet urisë miliona fshatarë ukrainas, por edhe dhjetëra mijëra të burgosur polakë. Në Siberi, Stalini ndërtoi një rrjet të gjerë kampesh dhe burgjesh, ku një pjesë e konsiderueshme e popullsisë ruse u shndërrua në skllevër.

Dhe e gjithë kjo pa ndonjë arsye të veçantë, vetëm sepse ashtu donte ai. Në librin e tij “Arkipelagu Gulag”, Aleksandër Solzhenicin e dokumenton në detaje atë çmenduri. Terrori i madh që orkestroi dhe zbatoi në praktikë Stalini me ndihmën e NKVD në fundin e viteve 1930, është ndoshta shembulli më elokuent i smerdiakovizmit në Rusinë e shekullit XX-të.

Pa asnjë gjurmë arsyetimi racional, elitat artistike, shkencore, politike dhe ushtarake të vendit u shfarosën brenda pak vitesh. Disa nga shkrimtarët, shkencëtarët, inxhinierët dhe gjeneralët e saj më të mirë morën nga një plumb në kokë.

Midis tyre ishte Pavel Florenski (1882-1937), filozof, teolog, matematikan, fizikan, një nga mendjet më të mëdha që ka pasur ndonjëherë Rusia, i quajtur shpesh si “Da Vinçi i Rusisë”. Po kështu edhe Osip Mandelshtam (1891-1938), një nga poetët e saj më të mirë.

Por ndoshta nuk duhet të habitemi pse Stalini vrau poetë. Tek e fundit, Smerdiakovi nuk e ka pëlqyer kurrë poezinë. “Vargu është i pakuptimtë!”, “Kush flet me rimë në këtë botë?”- ankohet ai. “Vargu nuk është i mirë”. Sa më magjepsëse që janë idetë filozofike tek “Vëllezërit Karamazov, aq më i çuditshëm është autori i këtij libri.

Dostojevski është një rast i ndërlikuar. Si një artist krijues, ai është shumë i mprehtë. Na ka dhënë akses në ato skuta të shpirtit njerëzor, si pak apo aspak shkrimtarë para tij kanë bërë. Ai është i guximshëm, vizionar dhe çuditërisht profetik.

Secili prej romaneve të tij shfaqet si një univers më vete, si një botë polifonike ku personazhet kanë zërat e tyre të veçantë, të pavarur nga ai i autorit. Megjithatë si gazetar Dostojevski mund të jetë i turpshëm. Ai ishte mendjengushtë, shpesh mediokër dhe i padukshëm, kur nuk ishte haptazi ksenofob dhe antisemit.

Ky Dostojevsk – nacionalist, një sllavofil i zjarrtë për të cilin Rusia ishte një “vend që mbante Zotin”, dhe që kishte disa të drejta natyrore mbi të tjerët – ka të ngjarë t’i kishte miratuar përpjekjet e Putinit për të shpëtuar Ukrainën nga kthetrat e Perëndimit të pafe.

Që prej vdekjes së tij, Dostojevski nuk ka pushuar së furnizuari me ide establishmentin politik rus, njëra më fantastike se tjetra. Por nuk duhet të habitemi dhe aq shumë. Edhe për këtë, mjafton të kthehemi sërish tek Vëllezërit Karamazov.

Gjatë gjithë romanit, Ivani luan me idenë se “nëse Zoti nuk ekziston, atëherë gjithçka lejohet”. Ai e shtjellon këtë zë pa kujdes nëpër biseda, dhe çdo idiot mund ta marrë dhe ta përdorë. Pastaj, një ditë, Smerdiakovi i thotë se ai thjesht e përdori atë për të vrarë të atin.

Vrasja “u bë në mënyrën më të natyrshme zotëri, sipas vetë fjalëve tuaja”, thotë shërbëtori, që supozojmë se mezi e mban ngërdheshjen e tij sardonike. Sigurisht që Smerdiakov gënjen. Ai e vrau Fjodor Pavloviçin pa ndonjë arsye të fortë. Por tallja e tij me idenë e Ivanit është e vërtetë. Tallja e ideve filozofike, është një tjetër aspekt që e karakterizon Rusinë.

Këshilltarët e Putinit janë gjithnjë të gatshëm ta lidhin politikën e tij me një linjë të mendimit sllavofil që depërton në zemrën e Rusisë dhe që të çon drejt e tek vetë Dostojevski. Putini shihet shpesh duke bërë kryqin në praninë e klerit ortodoks dhe duke ndezur qirinj në mes të popullit të devotshëm e të thjeshtë rus.

Kamerat janë gjithmonë atje pranë për të filmuar momentin kur ai shkon në kishë, ashtu siç e filmojnë kur del në gjueti për tigra, kalëron, kur peshkon gjysmëzhveshur, kur drejton një tank apo fluturon me një avion ushtarak. Putini duhet të qeshë si i çmendur me sllavofilinë e Dostojevskit, ashtu siç po qeshte Smerdiakov me filozofinë e Ivanit.

Sepse Putini kujdeset po aq pak për idetë (sllavofile apo jo) sa për tigrat që vret. Putin mund të jetë një politikan, mendimtar, gjuetar, peshkatar, një lojtar hokej, një pilot luftarak. Ai mund të jetë çdo gjë që i pëlqen, pasi ai nuk është asgjë e veçantë.

“Ai është një imitues i shkëlqyer. Ai është i aftë të veshë rrobat e njerëzve të tjerë dhe shumë njerëz janë të kënaqur nga kjo performancë”- shkruante gazetarja Ana Politkovskaja, e vrarë në rrethana të dyshimta në vitin 2006 para shtëpisë së saj në Moskë.

Gazetarët e kanë vënë re shpeshherë se sa e vështirë është ta “lexosh” Putinin, pasi ai është gjithmonë kaq i rrëshqitshëm. Megjithatë, për çdo lexues serioz të “Vëllezërit Karamazov” kjo është diçka e njohur. Vetë mungesa e veçorive mund të jetë një veçori. Kjo është një nga gjërat që gjejmë tek Smerdiakov.

Edhe Putin është gjithashtu një Smerdiakov. Institucioni që e krijoi atë (KGB-ja) është një nga institucionet më smerdiakoviane të krijuara ndonjëherë. Mbrojtja e tij e fortë ndaj Bashkimit Sovjetik dhe përpjekjet e tij për ta ringjallur atë, riciklimi i makinerisë staliniste të propagandës, shtypja e lëvizjeve për të drejtat e njeriut në të gjithë Rusinë, mënyra sesi ai i asgjëson kundërshtarët e tij – që të gjitha janë shenja se smerdiakovizmi po gëzon një jetë të re në Rusinë e sotme.

Megjithatë, më e rëndësishmja nga të gjitha ishte sulmi i parë ndaj Ukrainës 8 vite më parë.

Një ushtri “me burra me uniforma jeshile”, pa fytyrë, pa emër, pa simbole, mësynë në një fshat gjatë natës, dhe para se dikush ta kuptojë, masakruan një pjesë të banorëve.

Meqenëse e bëjnë gjithçka me dinakëri dhe i gjithë operacioni duket më shumë mafioz sesa ushtarak, njerëzit e krahasojnë ushtrinë e Putinit me një bandë gangsterësh. Kjo është e pasaktë: “burrat e vegjël me jeshile” nuk janë banditë, ata janë smerdiakovë në veprim.

Sigurisht, Vladimir Putin nuk është Josif Stalin. Ata janë të dy smerdiakovianë. Por për nga natyra e tij, smerdiakovizmi është shumë dimensional dhe kompleks. Smerdikovizmi i Stalinit shfaqet veçanërisht në veprimet e tij brutale, ndërsa Putini në mënyrën e tij anonime dhe burracake të funksionimit si lider.

Por ky është një ngushëllim i vogël për një Evropë Lindore të traumatizuar për shekuj nga fqinji i saj më i fortë, gjithmonë kaotik, gjithnjë i dehur. Për këto vende rreziku nuk vjen domosdoshmërisht nga Putini apo Stalini personalisht, por nga smerdiakovizmi i përjetshëm i Rusisë, ndaj të cilit ata janë vetëm mishërime të përkohshme.

Në aspektin politik, tragjedia e Evropës Lindore buron nga fakti se siguria e saj varet në fund të fundit nga ajo që ndodh në Rusi. Këtu legjitimiteti politik prodhohet jo nëpërmjet praktikave të zakonshme demokratike, por nëpërmjet krizave të sajuara, brenda dhe veçanërisht jashtë vendit. Putini e ka zhvilluar disa herë farsën e zgjedhjeve të lira. Ai është argëtuar me të, por duhet të jetë i lodhur. Njëkohësisht, siç e di edhe vetë, për të qëndruar në pushtet nuk mund të mbështetet vetëm tek butaforia.

Pasi u tall me demokracinë, Putini ka arritur në një pikë ku vetëm shpikja e konflikteve dhe pushtimi i shteteve të tjera mund t’i sjellin atij atë që në Rusi përbën një legjitimitet politik. Kjo është e vërtetë për “Smerdiakovin” që po e sundon Rusinë aktualisht, ashtu siç është për ata që do ta sundojnë atë në të ardhmen.

Shënim: Costica Bradatan, profesor i Shkencave Humane në Universitetin Teknik të Teksasit, SHBA. / “Unherd” – Bota.al

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në një intervistë për gazetën italiane ”Il Giornale”, analisti Alessandro…