
PSG-ja deklason Realin, kualifikohet në finalen e Botërorit për Klube
Paris Saint-Germain ka kaluar në finalen e Kupës së Botës për Klube, aty ku do të përballet me Chelsean (13 korrik, 21:00), pasi eliminoi Real Madridin me rezultat 4-0.
Ndeshja nisi në ora 21:00 me një ritëm të lartë nga kampionët francezë, të cilët gjetën rrjetën që në minutën e 6-të.
Fabian Ruiz zhbllokoi rezultatin pas një aksioni të shpejtë të ndërtuar nga Ousmane Dembele, me francezin që nuk arriti të godas topin, por kaloi në këmbët e mesfushorit spanjoll, që nuk gaboi.
Vetëm tre minuta më vonë, PSG dyfishoi epërsinë.
Ousmane Dembele, i papërmbajtshëm në krah, përfitoi nga një tjetër gabim në prapavijën e Realit dhe shënoi për 2-0, duke e vënë në vështirësi serioze skuadrën e Xabi Alonsos.
Në minutën e 24-të, Fabian Ruiz realizoi golin e tretë personal dhe të ekipit, këtë herë pas një aksioni të ndërtuar nga krahu i djathtë, ku Achraf Hakimi dhuroi asistin vendimtar ndaj ish-skuadrës së tij.
Real Madridi u duk i shpërqendruar dhe i pasigurt në organizimin mbrojtës, ndërsa PSG shfrytëzoi çdo hapësirë për të krijuar rrezik dhe dominim të plotë në fushë.
Pjesa e dytë ishte larg asaj të parës, pasi PSG uli tempon e lojës, ndoshta duke menduar se e siguruan finalen dhe t’i ruajnë energjitë kundër Chelseat, gjersa shënoi vetëm një gol.
Desire Doue mendoi se kishte shënuar për 4-0 në minutën e 49-të, mirëpo goli u anulua për pozicion jashtë loje.
Më pas, Real Madridi bëri disa zëvendësime, duke shpresuar që t’i kthente gjërat në favor të tyre, por ishte e pamundur.
PSG e ruajti këtë epërsi bindëse, duke shkuar në finalen e Kupës së Botës për Klube, aty ku do të përballet me Chelsean, ndërsa do të mësohet se kush do të jetë klubi më i mirë në botë për katër vitet e ardhshme.