
PSG-ja dhe Arsenali në kërkim të finales
19 vjet pas zhgënjimit të parë në Ligën e Kampionëve në kryeqytetin francez, historia mund të përsëritet për Arsenalin sonte (e mërkurë), kur përballet sërish me Paris Saint-Germainin në ndeshjen e dytë gjysmëfinale.
Ousmane Dembele shënoi golin e vetëm në ndeshjen e parë në “Emirates”, duke i detyruar “topçinjtë” të tentojnë diçka që vetëm dy ekipe në histori e kanë arritur më parë, përmbysjen e një humbjeje në shtëpi në një gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Historikisht, PSG-ja është eliminuar vetëm një herë nga një raund me eliminim direkt pas fitores jashtë fushës në ndeshjen e parë, e kjo ka ndodhur kundër një ekipi anglez, Manchester United, në sezonin 2018-19.
Në fundjavë, PSG-ja humbi 2-1 ndaj Strasbourgut me një formacion të dytë, ndërsa Arsenali, me shumicën e titullarëve në fushë, pësoi një tjetër humbje zhgënjyese nga Bournemouthi, që përfitoi nga problemet e Arsenalit në mbrojtje. Për më tepër, vetëm Ajaxi më 1996 dhe Tottenhami më 2019 kanë arritur të kalojnë një gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve pas një humbjeje në shtëpi në ndeshjen e parë dhe tifozët e “Spurs”-it nuk do të jenë të prirë t’u japin këshilla rivalëve të tyre të përbetuar.
Megjithatë, nuk është gjithçka negative për Arsenalin: udhëton në Paris me një seri prej shtatë ndeshjesh pa humbje si mysafir në të gjitha garat, me katër fitore radhazi në Evropë, duke shënuar të paktën dy gola në secilën. Një përsëritje e fitores 2-1 ndaj Real Madridit në “Bernabeu” do t’ia jepte shansin për ta kërkuar kualifikimin në kohë shtesë. Por me PSG-në që ka shënuar 14 gola në tri ndeshjet e fundit si vendase në Ligën e Kampionëve, nuk është çudi që tifozët e Arsenalit të kenë frikë nga një tjetër zhgënjim evropian.
Për PSG-në në dyshim janë dyshja Ousmane Dembele dhe mesfushori jugkorean Lee Kang-in. Arsenali do të jetë pa Jorginho, Gabriel Jesus, Kai Havertz, Gabriel Magalhaes dhe Takehiro Tomiyasu. Ndërsa Riccardo Calafiori është në dyshim.
Formacionet e mundshme:
Paris Saint-Germain: Donnarumma; Hakimi, Marquinhos, Pacho, Mendes; Ruiz, Vitinha, Neves; Doue, Dembele, Kvaratskhelia.
Arsenal: Raya; Timber, Saliba, Kiwior, Lewis-Skelly; Odegaard, Partey, Rice; Saka, Merino, Martinelli.
/Epoka e re/