PSG-ja, favorit për të fituar Botërorin e Klubeve

27 qershor 2025 | 11:22

Në prag të ndeshjeve të para të fazës së 1/8-ve të Botërorit për Klube 2025, që po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Opta ka publikuar projeksionet e saj mbi fituesit e mundshëm. Paris Saint-Germain ruan statusin e favoritit kryesor për triumfin final me 20,61% të mundësive, i ndjekur nga shumë afër Manchester City me 20,40%. Diferenca minimale pasqyron balancën mes dy prej skuadrave më të forta në Evropë.

Në vendin e tretë qëndron Interi i trajnerit Cristian Chivu me një përqindje jo të vogël: 14,47%. Pavarësisht humbjes së befasishme në grupe ndaj Botafogos, parisienët kanë rikthyer statusin e favoritëve falë cilësisë së lartë të skuadrës dhe fitores së fundit në Ligën e Kampionëve.

Sfida e tyre e parë do të jetë kundër Inter Miami të Lionel Messit (të dielën më 29 qershor), ndërsa në çerekfinale do të përballen me fituesin e përballjes mes Flamengo dhe Bayern Munich.

Në gjysmëfinale, PSG mund të përballet me një prej skuadrave si Real Madrid, Juventus, Borussia Dortmund apo me meksikanët e Monterrey ku luan Sergio Ramos, një tjetër ish-lojtar i tyre.

Manchester City, nga ana tjetër, do të përballet me Al-Hilal të Simone Inzaghit. Nëse kalon këtë fazë, skuadra e Guardiolës mund të sfidojë Interin ose Fluminense në çerekfinale. Gjysmëfinalja e mundshme për “Citizens” mund t’i përballë me Chelsean në një tjetër duel anglez.

Në fund të klasifikimit të favoritëve është Fluminense, me vetëm 0,11% shanse për të fituar turneun. Ndërkohë, Real Madrid i Kylian Mbappe renditet vetëm i gjashti, me 9,69%, një shifër që lë hapur çdo skenar. Gara për trofeun mbetet e hapur dhe emocionet pritet të rriten me afrimin e fazës me eliminim direkt.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Para fillimit të përpjekës së 38-të për konstituimin e Kuvendit…