Psikologu Visar Sadiku tregon se si duhet ta menaxhojmë gjendjen psikologjike pas shfaqjes së koronavirusit

17 mars 2020 | 20:46

Psikologu Visar Sadiku ka folur rreth situatës së fundit në vend pas shfaqjes së koronavirusit, menaxhimit të gjendjes psikologjike nga qytetarët me rastin e kësaj pandemie.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, psikologu Sadiku ka thënë se duke pasur parasysh se po përballemi me një pandemi të re, në këto rrethana ka shumë pyetje të cilat kërkojnë përgjigje dhe si të tilla shkaktojnë shumë pasiguri, ndërkaq, sipas tij, pasiguria është themeli mbi të cilën ndërtohet ankthi.

“Një nivel i arsyeshëm ankthi ndikon në ngritjen e vigjilencës dhe kjo padyshim që i kontribuon pozitivisht mbrojtjes nga virusi, duke i inkurajuar individët të jenë të kujdesshëm në aplikimin e masave me qëllim mbrojtjeje si dhe duke e respektuar kohën e izolimit”, ka thënë ai.

Psikologu Sadiku ka theksuar se mënyra më e mirë e menaxhimit të ankthit në këtë kohë është të provojmë të mbajmë mendimet tona të orientuara drejtë aktivitetit që jemi duke kryer, duke reduktuar të lexuarit e vazhdueshëm për koronavirusin, shpërndarjen dhe statistikat.

Ai ka pohuar se është përgjegjësi e individit të menaxhojë emocionet së pari për veten e më pas të jetë i gatshëm ta ndihmojë edhe familjen.

“Në mënyrë që ta përballojmë sa më mirë izolimin, duhet të jemi të kujdesshëm në informacionin të cilin e pranojmë dhe po ashtu të jemi të kujdesshëm në reduktimin e kohës të cilën e kalojmë për t’u informuar rreth koronavirusit”, ka thënë Sadiku.

Ai ka folur edhe se si prindërit duhet të sillen më fëmijët e tyre në këtë situatë. “Ata janë në dijeni se diçka është duke ndodhur, dhe si rrjedhojë ata janë kureshtar për të kuptuar për arsyet. Duke i njohur arsyet, ata mund të jenë më të gatshëm në aplikimin e masave mbrojtëse. Ju ndani një kohë të caktuar dhe krijoni një mundësi që fëmijë të flasin. Mos filloni i pari, ju duhet të jeni të kuptoni fillimisht se çfarë di fëmija rreth situatës. Afrojuni mundësinë që ata të parashtrojnë pyetje”, ka theksuar Sadiku.

“Epoka e re”: Z. Sadiku edhe Kosova tashme ka raste të prekur nga koronavirusi. Si duhet të menaxhohet ana psikologjike e qytetarëve në raste të tilla?
Visar Sadiku: Duke pasur parasysh se po përballemi me një pandemi të re, në këto rrethana ka shumë pyetje të cilat kërkojnë përgjigje dhe si të tilla shkaktojnë shumë pasiguri ndërkaq pasiguria është themeli mbi të cilën ankthi ndërtohet. Një nivel i arsyeshëm ankthi ndikon në ngritjen e vigjilencës dhe kjo padyshim që i kontribuon pozitivisht mbrojtjes nga virusi, duke i inkurajuar individët të jenë të kujdesshëm në aplikimin e masave me qëllim mbrojtjeje si dhe duke e respektuar kohën e izolimit. Ankthi i lartë dhe i paarsyeshëm do të ndikojë në shfaqjen e panikut e që në këto rrethana është shumë i dëmshëm sepse: Në situata paniku, individët nuk reagojnë sipas arsyes dhe kjo e rrezikon mirëqenien e tij apo të të tjerëve përreth tij; Gjendjet e panikut shoqërohen me nivele të ngritura të stresit dhe kjo ndikon në uljen e sistemit tonë mbrojtës (imunitetit) duke na bërë më të margjinalizuar ndaj viruseve apo sëmundjeve të ndryshme; Ata që manifestojnë panik, e afektojnë shëndetin mendor të fëmijëve, mirëqenia e të cilëve mbështetet tek prindi i cili në rast se nuk është në gjendje të kujdeset për veten, ai nuk do të jetë në gjendje të kujdeset për fëmijët për të cilët në këto ditë është tejet e rëndësishme t’u ofrojmë ambient të sigurt dhe mbështetje për ta reduktuar nivelin e ankthit që ata mund ta përjetojnë. Si qenie sociale, njerëzit shpesh aplikojnë një mekanizëm mbrojtës e që është kërkimi i informacionit dhe mbështetja sociale. Që të dyja mund të kenë anët pozitive por edhe negative. Mënyra më e mirë e menaxhimit të ankthit në këto kohë është të provojmë të mbajmë mendimet tona të orientuara drejtë aktivitetit që jemi duke kryer dhe kjo nënkupton të reduktojmë të lexuarit e vazhdueshëm për koronavirusin, shpërndarjen dhe statistikat.
Përderisa sigurohemi në aplikimin e masave të cilat janë rekomanduar paraprakisht për mbrojtjen personale dhe të familjes, tani është koha t’i kthejmë vëmendjen familjes e cila ka pasur shumë nevojë për ne. Mbështetja social e përfshinë kontaktin me njëri-tjetrin brenda ambientit ku jetojmë, ndërveprimin me njëri- tjetrin, ndarjen e përgjegjësive dhe kryerjen e aktiviteteve të përbashkëta. Duke pasur parasysh se tani rutina jonë ka ndryshuar, duhet të jemi të kujdesshëm të përdorim shkathtësitë tona apo aktivitete të cilat në kushtet e zakonshme nuk përsëriten shumë, (shpalosja e një albumi me fotografi, diskutimi i tyre, i ngjarjeve kur kanë ndodhur, kujtimet që ato sjellin mund të jenë një mundësi shumë e mirë për përdorimin e kohës në mënyrë kualitative), lojërat e ndryshme që mund të bëhen që kërkojnë gjykim mendor dhe që eventualisht e zgjerojnë diapazonin tonë apo të fëmijëve, apo kryerja e një veprimtarie të thjeshta artizanale. Duke i realizuar këto, ne humbim gjurmët e kohës por përfitojmë nga prezenca e njëri- tjetrit dhe e realizojmë një ambient me harmoni në të cilin emocionet negative nuk e afektojnë mirëqenien e familjes. Orët e mbrëmjes dhe pa prezencën e fëmijëve, mund të jenë një moment për të ndjekur zhvillimit e fundit dhe një film me përmbajtje komike mund të jetë një alternativë e shëndetshme për përmbylljen e ditës, dhe një nxitje për të filluar të nesërmen me aktivitet që ngjallin kënaqësi.

“Epoka e re”: Cili do të duhej të ishte reagimi institucional në këtë aspekt në anën psikologjike, sepse paniku po ekziston te qytetarët, sidomos kur ka filluar izolimi nëpër shtëpi.
Visar Sadiku: Aktualisht institucionet tona janë duke e kryer një punë të mrekullueshme në menaxhimin e situatës sa i përket ofrimit të kujdesit primar dhe të specializuar shëndetësor. Është përgjegjësi e individit të menaxhoj emocionet së pari për veten e më pas të jetë i gatshëm ta ndihmoj familjen. Në një jetë dinamike në të cilën familja një pjesë të konsiderueshme të kohës është e ndarë për shkak të obligimeve, aty padyshim janë krijuar shumë hapësira në ndërveprim me njëri- tjetrin, janë krijuar shumë barriera të cilat mund të kenë penguar komunikimin e mirëfilltë dhe tani është koha ta kthejmë vëmendjen për të plotësuar këto hapësira dhe kjo kërkon punë dhe kohë e që në këto rrethana do të ishte e dobishme të vëzhgohet sjellja e fëmijëve, të diskutohet me ta për rrjetet sociale, efektet e tyre dhe të punohet në aspektin e edukimit të fëmijëve për botën virtuale, efektet e mundshme në jetën e tyre, si dhe të provojmë të fuqizojmë më tutje dinamikat e atashimit (lidhjeve emocionale) të cilat kërkojnë përkushtim dhe ndërtojnë raporte më të mira për familjen. Ndërkaq për të rinjtë që akoma nuk kanë krijuar familje, kontaktet e shpeshta sociale përmes rrjeteve sociale, diskutimet në grup apo leximi i veprave që e ndjejmë se duhet lexuar, janë një mënyrë e përshtatshme për të kaluar kohën në mënyrë kualitative dhe të bëjmë zhvendosje të vëmendjes nga portalet apo lajmet të cilat nuk janë kredibile dhe ngjallin panik.

“Epoka e re”: Po me fëmijët si do të duhej të sillemi në raport me këtë situatë. Çfarë këshilla duhet t’u japim?
Visar Sadiku: Me pak përkushtim, fëmijët do ta kujtojnë këtë periudhë për kohë të gjatë dhe jo për frikën, ankthin apo nivelet e stresit por për kohën që e kaluat bashkë, ndjenjat që ju investuat në këtë periudhë dhe aktivitetet të cilat ju i realizuat duke u përfshirë dhe duke i ndihmuar ata të ndjehen të barabartë. Padyshim që fëmijët kanë pasur rastin të shohin njerëz që kanë vënë maskat mbrojtëse dhe dorezat. Ata janë në dijeni se diçka është duke ndodhur, dhe si rrjedhojë ata janë kureshtar për të kuptuar për arsyet. Duke i njohur arsyet, ata mund të jenë më të gatshëm në aplikimin e masave mbrojtëse. Ju ndani një kohë të caktuar dhe krijoni një mundësi që fëmijë të flasin. Mos filloni i pari, ju duhet të jeni të kuptoni fillimisht se çfarë di fëmija rreth situatës. Afrojuni mundësinë që ata të parashtrojnë pyetje. Ju duhet të dini të përshtatni mënyrën e komunikimit bazuar në moshën e fëmijës. Fëmijët e periudhës së kopshtit duhet ta kuptojnë problemin aktual në formë të një tregimi, ndërkaq fëmijët më të vjetër mund të kuptojnë se është një situatë në të cilën ne duhet të mbrohem sepse virusi mund të na japë temperaturë apo kollë dhe pastaj mund të humbasim disa ditë të lojës sonë, ndërkaq adoleshentët duhet të dinë më tepër dhe ata mund të kenë lexuar për virusin edhe në mediat sociale, por sigurohuni se a e kanë pranuar informacionin e drejtë. Kjo do të parandalojë nivelet e ngritura të ankthit, panik apo nivele të larta stresi. Mos kini frikë nga faktet ndërkaq për vdekjet nga ky virus, preferohet të mos flasim me të vegjlit pasi ata janë të prirur të reagojnë me emocione të fuqishme ndaj humbjes dhe diskutimi për vdekjen në këtë kohë, mund të ngjall emocione të fuqishme të cilat nuk i kontribuojnë pozitivisht situatës. Mos ofroni shumë informacione, pasi shumë informacione në një interval të shkurtër po ashtu do t’i bëjnë anksioz fëmijët. Jini të qetë, rezultoni siguri, flisni qartë, ngadalë dhe patjetër sigurohuni të fëmijët të kenë kuptuar drejtë atë që ju keni dashur të thoni. Në këtë mënyrë ata do të ndjehen të sigurt edhe kur shohin njerëz të cilët janë duke përdorur mjete mbrojtëse.

“Epoka e re”: Kjo ngjarje sa do të lë pasoja te qytetarët, kur gjatë izolimit i mbyllur në shtëpi dëgjon çfarëdo lajme dhe jeta është ndryshe nga ajo para se të shfaqej koronavirusi?
Visar Sadiku: Ne jemi popull që kemi përjetuar shumë ndër vite dhe ndër vite jemi bërë rezilient, të qëndrueshëm dhe padyshim që edhe pas kësaj sfide ne do të jemi të gatshëm të bëjmë jetën që kemi bërë përpara se të përballemi me këtë pandemi. Në mënyrë që kjo periudhë të kaloj sa më shpejtë, duhet të jemi të kujdesshëm t’i respektojmë me korrektësi të gjitha masat mbrojtëse të rekomanduara nga Ministria e Shëndetësisë të cilët janë dëshmuar për punën e tyre. Në mënyrë që ta përballojmë sa më mirë izolimin, duhet të jemi të kujdesshëm në informacionin të cilin e pranojmë dhe po ashtu të jemi të kujdesshëm në reduktimin e kohës të cilën e kalojmë për t’u informuar rreth koronavirusit. Familja ka nevojë për ne, andaj t’i kalojmë këto ditë së bashku. Një ambient i shëndetshëm dhe me harmoni do të ndikoj që ditët e izolimit të kaluara bashkë, të mbesin gjatë në kujtesën e qytetarëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mali i Zi ka konfirmuar të martën mbrëma dy rastet…