Publikoi fotografi intime të ish-të dashurës në “Snapchat”, vushtrriasi dënohet me 1800 euro gjobë

20 janar 2023 | 23:44

Me 1800 euro gjobë është dënuar A.R. nga Vushtrria për veprën penale “ngacmim seksual”.

Më 23 dhjetor 2022, Gjykata e Mitrovicës – Dega në Vushtrri, e ka gjetur atë fajtor për ngacmim seksual pasi i njëjti më 30 prill 2020, në vendimin e gjykatës thuhet se ka ngacmuar të dëmtuarën duke i publikuar fotografi intime, pa pajtueshmërinë e saj, në rrjetin social “Snapchat”.

Në aktgjykim thuhet se e dëmtuara ato fotografi ia ka dërguar të pandehurit gjatë kohës sa ishin në lidhje.

I pandehuri ka pranuar në tërësi fajësinë dhe ka theksuar se i vjen keq për gjithë atë që ka ndodhur dhe se e ka kuptuar që veprimi i tij ka qenë i pamatur dhe në të ardhmen do të jetë i vëmendshëm që të mos bjerë në kundërshtim me ligjin.

Gjykata ka cilësuar si rrethana lehtësuese pranimin e fajësisë, sjelljen e tij korrekte gjatë gjykimit, shprehjen e keqardhjes, faktin që nuk ka kryer vepra të tjera penale dhe tani i është përkrahës i familjes dhe jeton e punon jashtë vendit, faktin se me palën e dëmtuar tashmë i kanë ndarë rrugët dhe nuk kanë pasur më asnjëherë mosmarrëveshje mes vete.

Po ashtu gjykata ka vlerësuar si rrethanë lehtësuese faktin se ka kaluar një kohe nga kryerja e veprës penale e që nënkupton se tani shqiptimi i një dënimi më të rëndë ndaj tij nuk do të arrinte efektin e tij dhe qëllimin e dënimit siç parashihet me Kodin Penal.

Ndërkaq, si rrethana rënduese janë marrë shkalla e përgjegjësisë penale, motivet e ulëta për kryerjen e kësaj vepre penale, ndjeshmërinë e viktimës, dëmtimin e vlerës se mbrojtur si dhe dëshminë e shkeljes së besimit.

Gjobën ai duhet ta paguajë në afat prej 15 ditësh, e nëse nuk do apo nuk mundet ta paguajë, dënimi me gjobë do t’i shndërrohet në dënim burgu, duke llogaritur 20 euro për një ditë burgim.

Sipas paragrafit të parë të nenit 183 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që ngacmon seksualisht personin tjetër, në veçanti personin i cili është i ndjeshëm për shkak të moshës, sëmundjes, paaftësisë, varësisë, shtatzënisë, paaftësisë së rëndë fizike apo mendore, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tri vjet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Spektakli i sotëm Prime i Big Brother VIP Kosova po…