Publiku i Gjilanit i presin në mënyrë madhështore formacionin artistik “Besiana&të mirët e kombit”

19 shkurt 2026 | 13:42

Më 17 shkurt 2025, në Teatrin e qytetit të Gjilanit, u mbajt koncert solemn me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, një mbrëmje e mbushur me emocion, kujtesë historike dhe krenari kombëtare. Formacioni artistik “Besiana dhe të mirët e kombit”, e shëndërroi skenën altar kulture, ku arti, fjala dhe muzika u bashkuan për të nderuar sakrificën për liri.

Mbrëmja nisi me intonimin e himnit të Kosovës dhe himnit kombëtar nga kori “Akapella” me studentë të Universitetit të Tetovës, nën drejtimin e profesorit Arifikmet Xhemaili, duke sjellë në një vatër të përbashkët të rinj nga Presheva, Kaçaniku, Vitia, Tetova e Gostivari. Një moment i veçantë ishte interpretimi i himnit tenori i mirënjohur Shkodran Tolaj, solisti i parë që ka interpretuar himnin e Republikës së Kosovës të shoqëruar me tekst!

Koncerti u hap me uverturën nga opera e parë kosovare, Goca e Kaçanikut e kompozitorit Rauf Dhomi, e interpretuar me mjeshtëri nga balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës, Jeta Musolli dhe Isa Gjocaj. Kjo vepër solli në kujtesë figurat e lavdishme të rezistencës, si Idriz Seferi dhe veprimtarët e tjerë të çështjes kombëtare.

Në rrjedhën e programit u përkujtuan figura emblematike të rezistencës shqiptare si Kadri Zeka, Jusuf Gërvalla dhe Bardhosh Gërvalla, si dhe heronjtë Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha. Një vend i veçantë iu kushtua edhe komandantit legjendar Agim Ramadani, si dhe simbolit të qëndresës, Adem Jashari, sakrifica e të cilit mbetet themel i lirisë së Kosovës.

Në skenë u ngjitën artistë të njohur nga Kosova dhe Shqipëria. Pianistja e njohur nga Universiteti i Tiranës, Rudina Ciko, shoqëroi disa prej interpretimeve më të ndjera të mbrëmjes. Baritoni Armando Lika, solist i Operës së Tiranës, interpretoi këngët “Hej ju male” nga filmi Skënderbeu, me muzikë të Çesk Zadeja, si dhe “Për ty atdhe” të kompozitorit Pjetër Gaci.

Fuqia e fjalës artistike erdhi përmes interpretimit të aktorit dhe regjisorit Llesh Nikolla, i cili solli në skenë mesazhin e fuqishëm të poetit Ali Podrimja, duke rikujtuar se “Zgjohu Kosovë”

Kori “Akapella” shkëlqeu me veprën “Bien lodrat” nën dirigjimin e prof.Dr Zhani Ciko!

Një tjetër moment kulmor ishte interpretimi i këngëve “Këngë moj” të kompozitorit Musa Piperkun nga Besiana Mehmedi e cila moderoi mbrëmjen dhe intepretoi me mjeshtëri “Unë biri yt Ksovë” dhe “Legjendat këndoja me mall”! Në fund me diartrokitje frenetike u prit drejtori artistik Shkodran Tolaj i cili interepretoi  “Të uroj Kosovë gëzuar Pavarësia, që u pritën me duartrokitje të gjata nga publiku, “Fjalët e qiriut”

Në këtë mbrëmje festive mori pjesë edhe Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, i cili përshëndeti të pranishmit dhe theksoi rëndësinë e përkujtimit dinjitoz të përvjetorëve shtetërorë përmes artit dhe kulturës.

I ftuar nderi i koncertit ishte maestro Zhani Ciko, një personalitet i shquar i muzikës shqiptare, i cili dirigjoi në fund këngën “Kosova Kosova”, të interpretuar nga të gjithë artistët së bashku me publikun, në një atmosferë uniteti dhe gëzimi.

Koncerti i 18-vjetorit të Pavarësisë në Gjilan dëshmoi se arti mbetet një nga shtyllat më të forta të kujtesës kolektive dhe identitetit kombëtar. Në këtë mbrëmje, Gjilani u shndërrua në një skenë të madhe të historisë, ku heronjtë u përkujtuan me dinjitet dhe brezat e rinj festuan lirinë e fituar me sakrificë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës ka njoftuar ndryshime…