Puna në institucione i shpëtoi nga paraburgimi të dyshuarit për manipulim të votave

09 shkurt 2026 | 08:24

Dy zyrtarë të Komunës së Gjakovës dhe një punëtor i Postës figurojnë si të dyshuar për falsifikim të rezultateve të votimit që po e heton Prokuroria Themelore në Gjakovë.

Kjo prokurori ka kërkuar për ta dhe për 19 të tjerë, të dyshuar masa paraburgimi, ndërsa Gjykata Themelore në Gjakovë ia ka refuzuar kërkesën të shtunën duke ia vendosur atyre masën paraqitje në stacion policor në një ditë të caktuar të javës.

Në njërin prej rasteve me shtatë të dyshuar, Gjykata në Gjakovë kur ka vendosur ta refuzojë kërkesën e Prokurorisë e ka cekur faktin se disa prej të dyshuarve janë deklaruar se punojnë në institucione publike.

“Andaj marrë parasysh se të pandehurit janë të moshave te ndryshme dhe disa prej tyre janë të punësuar në vende të ndryshme te punës, po ashtu kemi të gjinisë femërore të cilat janë edhe nëna me fëmijë si dhe faktin se kanë familje po ashtu ju dihet vendbanimi, kane vende te punës në institucione, kjo gjykatë konsideron se masa e paraburgimit në rastin konkret është masa më e rëndë që mund të caktohet, andaj gjykata është e mendimit se me masën paraqitja në stacionin policor në këtë fazë të procedurës penale është i bazuar me ligj”, thuhet në aktgjykim.

Në këtë aktvendim u theksua po ashtu se të dyshuarit praktikisht s’kanë se si t’i dëmtojnë apo asgjësojnë provat, meqë ato i ka tashmë Policia dhe se prokuroria nuk e ka cekur se cilët dëshmitarë mund t’i ndikojnë të dyshuarit.

Ndër të tjera, për të dyshuarit Gjykata në Gjakovë ka vlerësuar se të pandehurit nuk kanë karakteristika të tilla personale që e arsyetojnë caktimin e paraburgimit.

“Veprimet e asnjërit të pandehur nuk janë specifikuar në mënyrë konkrete, po ashtu prokuroria është thirrur në karakteristika personale të pandehurve, mirëpo gjykatës nuk i ka ofruar për asnjërin të pandehur prova se kanë të kaluar kriminale dhe sipas të dhënave personale të marra gjatë procedurës të gjithë janë të punësuar dhe janë qytetar që nuk kanë rëndë ndesh me ligjin, po ashtu është theksuar bash kryerja por nuk kemi asnjë person me emër konkret, andaj edhe ky fakt është cekur në mënyrë hipotetike, andaj gjykata e ka refuzuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit si masë tejet e rëndë…”, thuhet në aktgjykimin e gjyqtarit Drilon Haraçia.

Zyrtari komunal D.K dyshohet për manipulim me 913 vota, zyrtarja tjetër komunale M.B për 213 vota, pastaj A.R për 164 vota, S.R për 556 vota, V.H për 473 vota, L.H – 358 vota dhe A.G për keqpërdorimin e 474 votave. Të gjithë ishin kryesues të komisioneve në QNR.

Të dyshuarit kanë profile nga më të ndryshmet – në Prizren është në paraburgim një nga djemtë e vëllezërve të kandidatit Fetah Paçarizi i dënuar tetë herë nga Gjykata përfshirë edhe për tentimvrasje.
Të dyshuar për falsifikim rezultatesh janë edhe djali i axhës së kandidatit të deputetit të zgjedhur të LVV-së, Valon Hoti, një ish-kandidat për asamble nga radhët e PDK-së në Gjakovë, një mësuese në Prizren, një edukatore në Malishevë, dhe mbi 10 studentë.

Në mesin e janarit pas pranimit të një raporti ku ishin gjetur abuzime në Qendrat Komunale të Numrimit, KQZ-ja vendosi të çojë në rinumërim të gjitha vendvotimet në 10 komuna e në 28 të tjera nga 10%. Ndërkaq më 19 janar, KQZ-ja vendosi për rinumërim të plotë pas manipulimeve të hasura nga rinumërimi i pjesshëm. Posaçërisht problematike ishte komuna e Prizrenit. 40,497 vota janë shtuar e janë hequr 27,520 vota që nënkupton se ka pasur abuzim me 68,017 vota për kandidatët e partive politike. Në këtë komunë vetëm ish-drejtori i teatrit, kandidati i PDK-së, Fetah Paçarizi i ka mbi 6,700 vota të manipuluara. Paçarizi e ka mohuar përfshirjen dhe dijeninë për vjedhjen e votave në favor të tij.

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se po heton 109 persona të angazhuar në numërim votash. Deri më tani, njoftim për hetime parapenale dhe penale ka pasur Prokuroria në Prizren, Gjilan, Prishtinë, Mitrovicë, Gjakovë, Ferizaj – që nënkupton se të gjitha prokuroritë të paktën e kanë autorizuar policinë për të mbledhur informata. /Koha

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se gjyqi ndaj…