Puna shtesë në polici nuk paguhet, kompensohet me pushim por jo të gjithë mund ta marrin

08 qershor 2025 | 21:58

Që nga marsi, zyrtarët e Policisë së Kosovës nuk marrin mjete financiare për punën shtesë, dhe televizioni mëson se ata po kompensohen me ditë pushimi. Nga Policia e Kosovës dhe Ministria e Financave nuk dhanë përgjigje, kurse njohësit e fushës thonë që kjo ndikon direkt në efikasitetin e punës nga këta zyrtarë.

Përveç shtesave të rrezikshmërisë, Policia e Kosovës nuk po merr mjete financiare as për punën jashtë orarit në këtë institucion që nga muaji mars.

Televizioni mëson se menaxhmenti i policisë ka vendosur që zyrtarët, t’i kompensojë me ditë pushimi.

Por, këto ditë pushimi, burimet e televizionit bëjnë të ditur se policët, nuk mund t’i marrin kur ato iu nevojiten, veçanërisht në disa sektorë.

Ministria e Financave heshti në pyetjet e televizionit se kur do të fillojë dhënien e mjeteve për shtesat jashtë orarit, e përgijgje nuk ktheu as Policia e Kosovës, në interesimin për të marrë sqarime shtesë për situatën.

Ish-nënkoloneli Refki Morina thotë se asesi nuk mund të vazhdohet në këtë mënyrë dhe idealja është kthimi i dhënies së mjeteve financiare.

“Ka shumë orë jashtë orarit të punës, më e mira do të ishte të kompensoheshin me para për shkak të rrogave të vogla që i kanë. Është e nevojshme në mënyrë që edhe pushimet dhe kreditet që i kanë do t’i kishin mbuluar”, ka theksuar Refki Morina, ish-nënkolonel në Policinë e Kosovës.

Morina thotë që beson se menaxhmenti do të bëjë një menaxhim të mirë të pushimeve, në mënyrë që të njëjtit të mos mbesin keq në ndonjë sektor.

“Unë mendoj që menaxhmenti do të ketë një mobilizim brenda policisë dhe nuk do të ketë pengesa në patrullë, operativë, hetime e të tjera, për arsye se një pushim kërkon organizim të brendshëm”, ka deklaruar Morina.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve të sigurisë, Valdet Hoxha thotë që kjo ndikon automatikisht në efikasitetin e punës në këtë institucion.

“Duhet që kjo temë të trajtohet seriozisht nga MPB-ja dhe Qeveria e Kosovës, sepse për punët shtesë dhe ato jashtë orarit duhet të paguhet. Pushimet nuk janë zgjidhje e duhur”, ka deklaruar Valdet Hoxha, ekspert i sigurisë.

Përveç policisë, orët shtesë nuk u paguhen as pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tash e 18 muaj, Serbia e strehon e i ofron…