Punëtorët e KEK-ut protestojnë nesër, duan rritje pagash

15 mars 2023 | 12:37

Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) nesër (e enjte) nga ora 12:00 do të protestojnë në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet. Ata përmes këtij veprimi sindikal po kërkojnë rritje pagash.

Krahas rritjes së pagës punëtorët e KEK-ut, po kërkojnë edhe pagesën për shujtën ushqimore, rrezikshmërinë në punë, pagesën për punën në vikend sipas Ligjit të Punës, si dhe respektimin e vendimeve të gjykatës po për këtë kërkesë.

Kryetari i Sindikatës së Re Korporata Energjetike e Kosovës, Nexhat Llumnica është shprehur se kjo protestë do të zhvillohet në sheshin “Nënë Tereza”, dhe kërkesat e tyre janë esenciale.

Ai ka thënë se edhe premtimet e bëra për rritje të pagesës për shujtën dhe marrëveshjen kolektive, nuk janë realizuar.

“Me qëllim që të bëjmë edhe ne një presion për ngritje të pagave dhe kjo kërkesë ka rezultuar prej prillit të vitit 2022, e asnjëherë nuk ka gjetur mbështetje, madje gjatë takimeve është thënë se nuk do të ketë ngritje të pagave. Ne e dimë që në Kosovë ka ndodhur një ngritje e pagave edhe prej buxhetit të shtetit, nuk është ndonjë ngritje shumë e madhe, por simbolike dhe sadopak e them atë inflacioni, kurse ne si kompania më e fuqishme në Kosovë, si KEK, që është shumë e domosdoshme dhe jetike, nuk kemi ngritje të pagave. Kemi rrezikshmëri në punë po nuk paguhet rrezikshmëria për punëtorë, kemi punë të rëndë po ushqimi është i lehtë sepse kemi një shujtë të ushqimit 1 euro e 74 cent, pra edhe pse kemi pas premtim nga menaxhmenti, mund të them më shumë drejtori se prej 22 shtatorit, shujta e ushqimit do të ngritet në rast se nuk hapen restaurante por kjo nuk ka ndodhur”, ka thënë Llumnica.

Kërkesë tjetër e punëtorëve të KEK-ut është edhe pagesa e vikendeve për punëtorët me ndërrime. Llumnica tha se menaxhmenti i KEK-ut, nuk po respekton vendimet e gjykatave të Kosovës për këtë çështje.

Në përkrah kësaj proteste i ka dal edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).

Kryetari i BSKPK-së, Atdhe Hykolli është shprehur se kërkesat e punëtorëve të KEK-ut, janë të ligjshme dhe minimale.

Ndërsa nënkryetari Sindikatës së Re Korporata Energjetike e Kosovës, Selatin Sadiku, ka kërkuar që kërkesat e tyre të plotësohen sa më shpejt, në të kundër paralajmëron edhe radikalizim të veprimeve të tyre.

Kurse kryetari i DPQ, Xhelal Jashari, ka kërkuar pjesëmarrje masive të punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës në protestë. /Ksp

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të…