Punëtorët e Postës në grevë, kërkojnë rritje të pagave dhe përmirësim të kushteve të punës

21 nëntor 2025 | 11:43

Punëtorët e Postës së Kosovës nga e hëna kanë hyrë në grevë. E greva ka filluar pasi që kërkesat e tyre si rritja e pagave, pagesa e rrezikshmërisë  dhe plotësimi i numrit të stafit, nuk u janëprealizuar, përkundër kërkesave të vazhdueshme, që ata i kanë bërë tek menaxhmenti.

Driton Gashi, i cili së bashku me 25 punëtorë të tjerë të postës numër 6 në Prishtinë, janë të vendosur që të vazhdojnë grevën, deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

“Nga e hëna jemi në grevë. I kemi paralajmëruar. Kërkesë ka qenë rritja e pagës, pagesa e rrezikshmërisë dhe  plotësimi i numrit të stafit, sepse nuk po mundemi me e mbuluar tërë rajonin e Prishtinës”, ka thënë Gashi për “Indeksonline”.

Ai ka theksuar se prej se ka filluar greva e tyre,  puna është paralizuar dhe se nuk është realizuar asnjë shpërndarje e dokumenteve, letrave as në gjykata dhe as në ndonjë institucion tjetër.

Më tutje, Gashi ka thënë se përkundër takimeve me menaxhmentin e Postës, ata nuk kanë marrë ndonjë konfirmim për realizimin e kërkesave të tyre.

“Gjithçka është paralizuar. Nuk ka shpërndarje as në gjykata as në institucione. Jemi takuar me menaxhmentin, të cilët na kanë thënë nisjani punës dhe ne do të shikojmë për kërkesat tuaja. Por, s’ka reflektim. Nuk na kanë dhënë ndonjë datë apo  konfirmim.  Jemi të vendosur  të vazhdojmë grevën deri në realizimin e kërkesave”, ka thënë Gashi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Chelsea ka marrë një goditje të papritur para një serie…