Punëtorët e RTK-së hyjnë në grevë
Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës, lidhur me situatën e rënduar financiare të tyre, kanë njoftuar se sot në shenjë revolte, do të mbajnë grevë njëorëshe në oborrin e RTK-së.
Punëtorët e RTK-së nga ora 11:00 deri në ora 12:00 nuk do të punojnë, duke shprehur kështu pakënaqësitë e tyre dhe kërkesën për të gjënë elementare të tyre, pagën të cilën nuk e kanë marrë kur kanë kaluar 16 ditë të muajit nëntor.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së (SPERTK), Gëzim Bimbashi ka njoftuar se kanë dërguar edhe një letër publike tek Roberta Metsola, Kryetarja e Parlamentit Evropian, Ursula von der Leyen, Presidentja e Komisionit Evropian si dhe tek Viola von Cramon, Raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, ku thotë se i kanë njoftuar për gjenden e rënduar të RTK-së.
Njoftimi i plotë i Bimbashit
LETËR PUBLIKE
Nga Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK)
Sindikatë e Punëtorëve të RTK-së njofton opinionin publik, institucionet vendore dhe ndërkombëtare se gjatë ditëve të fundit kemi dërguar letra zyrtare:
• Roberta Metsola, Kryetarja e Parlamentit Evropian
• Ursula von der Leyen, Presidentja e Komisionit Evropian
• Viola von Cramon, Raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian
Në këto komunikime, ne i kemi informuar me përpikëri për gjendjen tepër të rënduar financiare në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), ku punonjësit vazhdojnë të mbeten pa paga ndërsa po hyjmë në muajin dhjetor.
Ne gjithashtu kemi theksuar se mosmarrja e pagave përbën një shkelje serioze të të drejtave të njeriut dhe të drejtave themelore të punëtorëve. Paga është një e drejtë parësore dhe thelbësore, e garantuar nga ligjet e Kosovës dhe nga standardet evropiane të punës, dhe mungesa e saj rrezikon drejtpërdrejt mirëqenien e punonjësve dhe familjeve të tyre.
Për të shprehur revoltën tonë dhe për të mobilizuar solidaritetin, njoftojmë se të hënën, nga ora 11:00 në oborrin e RTK-së do të mbahet një grevë njëorëshe. Ftojmë të gjithë kolegët që ta pezullojnë punën për një orë në të gjitha njësitë e RTK-së, si akt simbolik dhe i vendosur për të kërkuar drejtësi dhe pagesa të rregullta.
Si Sindikatë, ne ripërsërisim se situata është e papranueshme. Kërkojmë masa të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse dhe jemi të gatshëm të vazhdojmë me të gjitha mjetet ligjore dhe sindikale për të siguruar që punonjësit e RTK-së të marrin pagat që u takojnë dhe që shërbimi publik medial të funksionojë në mënyrë të qëndrueshme.

LETRA E OSMANIT DREJTUAR BASHËS
Për shkak të krizës së pagave që ka përfshirë transmetuesin publik, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka drejtuar letër kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, për të adresuar mungesën e komisionit për financa, i cili edhe merr vendimin për aprovimin e mjeteve buxhetore për RTK-në.
Osmani përmes letrës së saj, ndonëse ende s’është formuar Qeveria e re dhe s’dihet se kush është pozitë e opozitë, ka kërkuar nga partitë politike që të krijojnë të paktën komisionet e përhershme parlamentare.
Për mos ekzekutimin e pagës as në ditën e 14 të muajit nëntor për punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Juristja e medias, Flutura Kusari ditë më parë në një intervistë për Ekonomia Online e ka drejtuar gjithë përgjegjësinë mbi kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje, që sipas saj po bëhet vetëm për inate politike meqenëse nuk pati mundësinë ta bëjë gjithë RTK-në të nënshtrohet ndaj pushtetit të tij.
Kusari tha se Qeveria në detyrë po tenton ta përdor RTK si mjet politik për ta bindur opozitën për të votuar komisionet, por që këtu thekson se zgjidhja e buxhetit për RTK-në përmes opozitës është veç një propagandë e LVV-së.700 punëtorët e RTK-së përveç që nuk po marrin paga, ata nuk kanë as kushtet e punës e të cilat Kusari thotë se vendi ku ata punojnë është mjerim.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, insiston se buxheti për RTK-në, ai për Prishtinën, Gjilanin e Zubin Potokun, si dhe buxheti për 2026 dhe Plani i Rritjes i BE-së po mbahen të bllokuara nga opozita.
Murati pretendoi se opozita po refuzon t’i krijojë komisionet parlamentare për t’i kaluar këto.
“Buxheti për RTK-në; Buxheti për 2025 i Prishtinës, Gjilanit, e Zubin Potokut; Buxheti për vitin 2026; Plani i Rritjes i BE-së; Marrëveshja me Bankën Botërore. Të gjitha këto po mbahen të bllokuara sepse opozita po refuzon me i kriju komisionet parlamentare të përhershme (të cilat nuk varen nga përcaktimi pozitë/opozitë)”.

PROTESTAT E PUNËTORËVE TË RTK-së
Për të tretën herë punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) kanë dalë në protestë me 13 nëntor, për të kërkuar që të ekzekutohen pagat e tyre. Gëzim Bimbashi nga Sindikata e Punëtorëve i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë Albin Kurti që të veprojë ngjashëm siç kishte bërë në gusht të këtij viti dhe t’i ekzekutojë pagat.

SINDIKATAT NË MBËSHTETJE TË SË DREJTËS SË PUNËTORËVE TË RTK-së
Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli u ka bërë thirrje institucioneve të vendit që të reflektojnë dhe të ekzekutojnë pagat e punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës, duke thënë se demokraci është kur dëgjohet zëri dhe brenga e punëtorit.
Hykolli nga protesta e punëtorëve të RTK-së tha se është e papranueshme dhe e pafalshme që punëtorët të nxirren në rrugë, duke theksuar se nuk është turpi mbi punëtorët që po kërkojnë asgjë më shumë sesa pagën për punën e tyre, por i atyre që heshtën.
Kur punëtorët e RTK dalin për të protestuar, ky nuk është trupi i tyre, por i atyre që duhej të dëgjonin por zgjodhën të heshtin. Është e papranueshme dhe e pafalshme që punëtori të nxirret në rrugë”, tha ai.

Në përkrahje të 700 punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), ka dalë edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Kulturës (SBASHK), ku kryetari i saj, Rrahman Jasharaj, thotë se mosekzekutimi i pagave për këta punëtorë tregon një inat të kryeministrit dhe ministrit të Financave.
Ai, në protestën e sindikatës së punëtorëve, tha se ashtu siç u gjetën mjetet për studentët dhe pensionistët, njësoj do të mund të bëhej edhe për RTK-në, por që sipas tij, ata nuk duan një zgjidhje.
Jasharaj ka theksuar se të kërkosh pagën nuk është privilegj, por një lutje për të jetuar.

KRITIKAT E AGK-së NDAJ LËVIZJES VETËVENDOSJE DHE QEVERISË KURTI
Situatën me mospagesën për punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha e ka quajtur tjetër presion nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Qeveria në detyrë.
Mosekzekutimin e pagave për 700 punëtorët e RTK-së, Rexha përgjegjës e bënë kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, pa çka thekson se në baza ditore shihet edhe se si kjo qeveri dhe parti politike ka ndikim në përmbajtjen e lajmeve të RTK-së.
Rexha pret që Qeveria të reflektojë e punëtorët mos të hyjnë në grevë, por në rast se jo atëherë ai u bëri thirrje të gjithë punëtorëve të RTK-së që mos të punojnë asgjë përderisa nuk marrin paga.




