Punëtorët e RTK-së pa paga, paralajmërohet grevë nëse nuk ekzekutohet buxheti

03 nëntor 2025 | 11:34

Sindikata e Pavarur e Radiotelevizionit të Kosovës dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës kanë reaguar ashpër ndaj mostransferimit të buxhetit të miratuar për Radiotelevizionin e Kosovës (RTK), duke paralajmëruar se kjo vonesë po e vë në rrezik serioz funksionimin e transmetuesit publik dhe mirëqenien e punëtorëve të tij.

Në reagimin e përbashkët është thënë se buxheti i RTK-së është miratuar me ligj në Kuvendin e Kosovës që para një viti, por se deri më sot nuk është ekzekutuar nga institucionet përkatëse.

“Këto vonesa në transferimin e buxhetit po e vënë në rrezik serioz funksionimin e transmetuesit publik dhe po ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë ekonomike e sociale të punëtorëve të mediumit publik, të cilët edhe sot, më 3 nëntor, janë pa paga dhe, rrjedhimisht, pa mundësi për të kryer obligimet ndaj bankave dhe nevojave familjare”,  është thënë në reagim.

Sipas sindikatës, me këtë veprim po cenohet jo vetëm e drejta themelore e punëtorëve për pagë të rregullt, por edhe pavarësia institucionale dhe misioni publik i RTK-së si transmetues shtetëror.

“Sindikata e Punëtorëve të RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës e konsiderojnë të papranueshme që një institucion publik, me mision kushtetues të informimit të qytetarëve, të vihet në pozitë pasigurie për shkak të mosveprimit institucional”, është thënë në reagim.

Organizatat sindikale kanë kujtuar se financimi i plotë dhe në kohë i RTK-së nuk është privilegj, por obligim ligjor dhe moral ndaj mediumit publik dhe punëtorëve që e mbajnë atë në funksion.

Më tutje, këto sindikata kanë theksuar se RTK-ja nuk duhet të shndërrohet në instrument të pazareve politike, duke kërkuar që çështjet buxhetore të mos përdoren për kalkulime partiake.

“Financimi i RTK-së nuk mund të mbetet peng i marrëveshjeve mes partive politike. Si transmetues publik, RTK ka një mision të qartë: t’u shërbejë qytetarëve me informim të pavarur, profesional dhe të paanshëm”, është thënë në reagim, duke i bërë thirrje  Kuvendit të Kosovës, Presidentes dhe Qeverisë në detyrë që të ndërmarrin menjëherë hapat e nevojshëm për ekzekutimin e buxhetit të mbetur të RTK-së.

Sipas tyre, çdo vonesë e mëtejshme do të detyrojë punëtorët të ndërmarrin masa sindikale, përfshirë protesta dhe greva, në një periudhë të ndjeshme politike për vendin – vetëm një javë para balotazhit të zgjedhjeve lokale dhe pak javë para zgjedhjeve të mundshme nacionale.

Në përmbyllje, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës kanë deklaruar se mbeten të vendosura në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe të integritetit të transmetuesit publik, duke mos përjashtuar “asnjë formë demokratike të reagimit sindikal” në rast se situata nuk zgjidhet menjëherë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropali ka…