
Punëtorët shëndetësorë dhe personat mbi moshën 80-vjeçare do të vaksinohen të parët
Në mbledhjen e sotme të Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka informuar kryetarët e komunave për shpërndarjen e vaksinave të përfituara nga Covax-i.
Sipas ministrit Vitia me sasinë e pranuar pritet që të vaksinohet stafi shëndetësor, 13 mijë persona dhe sasia tjetër do të përdorët për vaksinimin e personave mbi moshën 80-vjeçare.
Siç ka njoftuar Komuna e Drenasit, kryetari Ramiz Lladrovci, ka adresuar shqetësimet me të cilat po përballet kjo komunë.
“Ministri Vitia, tha se do të shqyrtojë mundësinë e plotësimit të mungesës së stafit nga niveli qendror, ndërsa sa i përket furnizimeve siç duket gjendja do të vazhdojë të mbetet e tillë me tendenca të përkeqësimit. Për vaksinat e premtuara nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ministri Vitia tha se po shqyrtohet mundësia që këto vaksina të ri destinohen për mësimdhënësit”, ka njoftuar Komuna e Drenasit.