Punëtorët teknikë dhe të sigurimit paralajmërojnë largim kolektiv nga puna nëse pagat nuk rriten në 600 euro

07 prill 2026 | 16:20

Pa pagë prej 600 eurosh deri në korrik të këtij viti, punëtorët teknikë dhe të sigurimit fizik, të cilët financohen nga Komuna e Prishtinës, kanë paralajmëruar braktisje kolektive të vendeve të punës.

Kështu është thënë në konferencën për medie të Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, ku kryetari Jusuf Azemi, ka bërë me dije se ky është një vendim i prerë, për çka i bëri thirrje komunës që të reagojë.

Ai ka treguar se çfarë është diskutuar në takimin me disa kryetarë të shoqatave sindikale në nivel të Komunës së Prishtinës.

Në mesin e tyre, ai ka paralajmëruar edhe protestën më 1 maj, ditën kur shënohet Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve.

“Është mbajtur një takim, për të cilin sot kemi biseduar për rritjen e pagave të punëtorëve të kompanive publiko-private; kemi biseduar lidhur me pagën e 13-të; është biseduar për pakon që është paralajmëruar nga Qeveria e Kosovës, gjegjësisht ministri Hekuran Murati dhe kemi biseduar për organizimin e protestës më 1 maj, që do të mbahet”, ka thënë Azemi.

Azemi ka paralajmëruar se punëtorët teknikë dhe të sigurimit fizik të Komunës së Prishtinës do ta lënë punën.

“Sa i përket rritjes së pagave deri në 600 euro, për punëtorët teknikë dhe të sigurimit fizik, të cilët financohen nga Komuna e Prishtinës, është marrë vendim unanim që, nëse pagat e tyre nuk kontraktohen në shumën prej 600 eurosh, këta punëtorë në mënyrë kolektive do t’i lëshojnë vendet e tyre të punës, sepse kanë gjetur vende me një shumë më të madhe se kjo që e kanë. Ka qenë një vendim unanim dhe unë i bëj thirrje Komunës së Prishtinës që t’i trajtojë këta punëtorë, ta thërrasë përfaqësuesin sindikal dhe të arrijmë deri… Sepse, nëse një kontratë që do të nënshkruhet më 15 maj për këta punëtorë, ajo kontratë nuk po nënshkruhet për pesë-gjashtë muaj, ajo kontratë po nënshkruhet së paku për tri vjet dhe paramendojeni ju inflacionin, paga prej 600 eurosh sa do të mbetet pas tri vjetësh. Dhe kështu, ky është vendim i prerë dhe nuk kemi çfarë të bisedojmë”, ka thënë ai.

Azemi e ka quajtur diskriminim edhe përjashtimin e punëtorëve të sektorit privat nga paga e 13-të.

“Ne e kemi thënë, dhe punëtorët e shprehën, që paga e 13-të është një diskriminim që u është bërë punëtorëve të sektorit privat të Kosovës dhe ne nuk heqim dorë. Ne mendojmë që ende Qeveria ka kohë që pagën e 13-të duhet ta ndajë, sepse është marrë po nga i njëjti buxhet ku të gjithë kemi qasje; ka qasje punëtori i sektorit publik, ka qasje punëtori i sektorit privat. Ky buxhet, nga i cili janë ndarë këto mjete, trefishi i atij buxheti mbushet nga punëtorët e sektorit privat. Dihet që pagat tona janë shumë më të vogla, dihet që ne punojmë punë shumë më të rënda edhe nga kolegët që i kemi nëpër spitale, nëpër Qendra të Mjekësisë Familjare; këta, përveç që punojnë punë të rënda, edhe jeta e tyre është e rrezikshme”, ka deklaruar Azemi.

Për të gjitha këto pakënaqësi, ai ka thënë se do të protestohet më 1 maj, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.

“Kjo sindikatë ka marrë vendim që më 1 maj, për të gjitha këto që i folëm dhe shumë të tjera që nuk i kemi folur, të protestohet lidhur me mosrealizimin e kërkesave të parashtruara ndaj kësaj dhe qeverive të tjera, që nga 1 maji i vitit të kaluar e deri më tani”, është shprehur Azemi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Hajdin Abazi Më 3 prill erdhi një letër nga…