
Pushimi pranveror në arsim bëhet javën e ardhshme
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka caktuar për javën e ardhshme pushimin pranveror të nxënësve të nivelit parauniversitar.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci, në një njoftim në “Facebook”, ka shkruar se pushimi pranveror do të fillojë më 6 prill 2021 dhe do të përfundojë më 8 prill 2021. Mësimi në arsimin parauniversitar do të vazhdojë nga data 12 prill 2021.
Datat 5 dhe 9 prill janë festa në Kosovë, andaj i bie që pushimi pranveror të zgjasë një javë të plotë.
Nagavci tha se vendimi për pushimin është marrë me rekomandimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Kosova javët e fundit po përballet me rritje të rasteve të të infektuarve me koronavirus. Të mërkurën autoritetet shëndetësore raportuan për 923 raste të reja pozitive, që është shifra më e lartë ditore e raportuar në këtë vit.