Pushohet nga puna, nuk pranoi ta merrte vaksinën kundër Covidit
Një kameriere në Nju Jork është pushuar nga puna pasi i ka dërguar një mesazh shefit të saj ku i thoshte se nuk mund të merrte vaksinën kundër Covid-19.
Arsyeja pse kamerierja nuk dëshironte të vaksinohej ishte sepse ajo dhe burri i saj po përpiqeshin të bënin fëmijë.
“Unë isha e sinqertë, kam rezervat e mia për këtë, fola me një mjek dhe më tha që nuk ka problem dhe nëse nuk vaksinohesh”, ka thënë kamerierja Bonnie.
Ajo ka thënë se pronari i saj i kishte thënë në fillim se vaksina nuk është e detyrueshme, por më pas i kishte dërguar mesazh duke i thënë se ishte e pushuar nga puna.
Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ka thënë se janë të panjohura efektet e vaksinës tek gratë shtatzëna, prandaj nuk është e këshillueshme që të bëhet.
“Sapo Nju Jork lejoi punëtorët e restoranteve të merrnin vaksinën Covid-19, ne menduam se kjo ishte mundësia e përsosur për të vendosur një plan për të mbajtur ekipin tonë dhe mysafirët e sigurt. Askush nuk është përballur me këto sfida më parë dhe ne morëm një vendim që menduam se do të ishte më e mira për të gjithë”, ka thënë pronari i lokalit, Billy Durney.



