Pushteti dhe nepotizmi: Osman Hajdari, ish-asamblist i LVV, emërohet drejtor i QKUK-së

31 janar 2024 | 20:38

Ish asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, Osman Hajdari, u emërua ushtrues detyre i drejtorit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), më 22 janar.

Ngjashëm si Hajdari, pozitë të ushtrueses së detyrës në Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), kishte pasur edhe Narqize Arënliu Hoxhaj, e cila në vitin 2020 ishte emëruar drejtoreshë e Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit gjatë mandatit të Mytaher Haskukës.

Pasuesi i saj në këtë pozitë u emërua Elvir Azizi, mik i studimeve të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, më 5 korrik të 2023-ës.

Përkundër se Kryeministri aktual, sa ishte në opozitë, Albin Kurti thoshte se “me ne s’do të ketë punësime partiake”, emërimet në pozitat kryesore në institucionet shëndetësore rezultojnë të jenë vetëm të tilla.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit në QKUK, Osman Hajdari, i kontaktuar nga mediumi Albanian Post e ka konfirmuar që në të kaluarën ka qenë asamblist në Lëvizjen e Vetëvendosjes.

Por, që u arsyetua duke thënë se, “s’kam qenë anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje”.

“Po, është e vërtetë që kam qenë asamblist në Lëvizjen Vetëvendosje, unë kam qenë drejtor i administratës në mandatin e Mytaher Haskukës”.

“Kryetari në atë kohë i komunës më ka propozuar që të jem pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, thjesht si një qytetar pa parti kam hyrë dhe kam fituar zgjedhjet si kandidat. Pastaj, kam qenë për 5-6 muaj anëtar i Kuvendit në kuadër të LVV-së, që është fakt publik, por s’kam qenë anëtar i subjektit politik”, ka thënë Hajdari.

Sipas tij, s’ka ndonjë ndërlidhje emërimi në këtë pozitë me partinë në pushtet, duke thënë se ai vazhdon të jetë në marrëdhënie të punës me Spitalin e Prizrenit.

“Emërimi si ushtrues detyre i QKUK-së, s’ka të bëjë as me parti e as me Lëvizjen Vetëvendosje. Unë jam në marrëdhënie të punës me Spitalin e Prizrenit, në pozitën e drejtorit të administratës”.

Ai thotë se në këtë pozitë do të jetë derisa të zhvillohen procedurat e konkursit për drejtorin e ri.

“Drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së në këtë rast zotëri Azizi, më ka caktuar mua si ushtrues detyre brenda njësisë. Në bazë të ligjit për zyrtarë publikë zakonisht 6 muaj llogaritet periudha kur qëndrojmë si ushtrues detyre, s’besoj që do të jetë më e gjatë”.

Një arsyetim të ngjashëm për punësimin e Hajdarit në këtë pozitë e ka dhënë edhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK).

Përmes një përgjigje për Albanian Post edhe ShSKUK-ja ka theksuar se Hajdari, ka pozitë edhe në Spitalin e Prizrenit.

“Bazuar në Statutin e ri të ShSKUK-së, ku parashihet pozita e drejtorit të QKUK-së, drejtori i ShSKUK, ka caktuar zëvendësues të drejtorit të QKUK, z. Osman Hajdari, deri në procedim të konkursit të rregullt”.

“I njëjti është drejtor administrate në Spitalin e Prizrenit dhe ishte bashkë me ish zëvendësuesen e drejtorit ShSKUK, znj. Narqize Hoxhaj”.

ShSKUK-ja ka konsideruar se ai ka njohuri dhe përvojë në ekip menaxhimi.

“Këto elemente janë marrë parasysh dhe është caktuar z. Hajdari deri në procedim të konkursit që do të ndodhë  sa me shpejtë që të jetë e mundshme”, është thënë nga ShSKUK-ja për AP.

”Qëllimi s’është përmirësimi i shëndetësisë, por akomodimi i militantëve”

Anëtari i Komisionit për Shëndetësi dhe deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, deklaron se gjatë kësaj qeverisje ajo që kanë parë përmes veprimeve ka qenë vetëm “pozicionim i njerëzve të tyre në pozita të rëndësishme”.

Haxhiu, në një bisedë për Albanian Post, thotë se pushteti s’ka qëllim përmirësimin e sistemit shëndetësor.

“Në qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje, s’kemi parë që ka qëllim ose angazhim për përmirësim të sistemit shëndetësor ajo që po shohim është pozicionimi i njerëzve të tyre në pozita udhëheqëse. Fatkeqësisht, edhe në ato që do të duhej të ishin krejt personale, po shohim emërtime krejtësisht politike”, deklaron Haxhiu.

Duke shtuar se, “qëllimi nuk është përmirësimi i sistemit shëndetësorë” por “akomodimin e militantëve politikë”.

Kritika ai drejton edhe tek ministria e Shëndetësisë për mos përmirësimin e shëndetësisë në asnjë drejtim.

“Ministria e Shëndetësisë, s’ka qenë në gjendje një strategji për shëndetësi ta miratoj. As nuk ka ligj për sigurime shëndetësore, as në ligjin për shëndetësi s’kanë punuar, asnjë të cilat i kanë premtuar s’janë duke u realizuar”.

Akuza për punësime partiake nga pushteti ka pasur vazhdimisht edhe nga shoqëria civile dhe nga partitë opozitare.

Në 2022-ën, në adresë të partisë në pushtete, Vetëvendosje, ishin drejtuar kritika e akuza të shumta me pretendimet se zyrtarë nga ky subjekt politik kanë interferuar në konkursin e fundit në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), duke punësuar militantë partiakë dhe familjarë të tyre.

Pas këtyre akuzave publike Prokuroria Themelore në Prishtinë, kishte iniciuar hetime lidhur me këto punësime.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nëpërmjet një postimi…