
Putin: “Aty ku shkel këmba e ushtarit rus, ajo tokë është e jona”
Presidenti Vladimir Putin tha të premten se Rusia nuk po kërkon kapitullimin e Ukrainës, por që Kievi të njohë realitetin e krijuar në fushëbetejë, shkruan A2 CNN. Duke folur në një forum ekonomik ndërkombëtar në Shën Petersburg, Putin deklaroi: “Ne nuk po kërkojmë kapitullimin e Ukrainës. Ne po këmbëngulim në njohjen e realitetit që është zhvilluar në terren”.
Udhëheqësi rus tha se rusët dhe ukrainasit janë një popull, “dhe në këtë kuptim e gjithë Ukraina është e jona”, dhe shtoi se nuk e përjashton mundësinë që Rusia të marrë nën kontroll qytetin ukrainas të Sumit.
Megjithatë, Putin theksoi se Rusia kurrë nuk e kishte vënë në dyshim të drejtën e Ukrainës për sovranitet, por kujtoi se kur Ukraina shpalli pavarësinë në vitin 1991, e bëri këtë si një “shtet neutral”.
Putin, i cili thotë se Rusia po lufton në Ukrainë për të mbrojtur sigurinë e saj, po përgjigjej ndaj një pyetjeje mbi qëllimet e luftës së Rusisë. “Kemi një shprehje, ose një parabolë”, tha Putin. “Aty ku shkel këmba e ushtarit rus, ajo tokë është e jona”.
Kievi dhe aleatët perëndimorë të tij i kanë hedhur poshtë pretendimet e Moskës për katër rajone ukrainase dhe për Krimenë si të paligjshme, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski ka refuzuar vazhdimisht idenë se rusët dhe ukrainasit janë një popull.
Putin tha se forcat ruse po krijonin një zonë tampon në rajonin e Sumit në Ukrainë për të mbrojtur territorin rus dhe se nuk e përjashtonte mundësinë që ato trupa të merrnin nën kontroll edhe kryeqendrën rajonale të Sumit.