Putin “gjen zgjidhjen” për mbushjen e radhëve në ushtri, “mbledh” të alkolizuarit dhe të pastrehët nga Siberia
Disa e bëjnë për para, të tjerët për atdheun. Ndërsa disa të tjerë sepse “nuk kanë asgjë tjetër për të bërë”.
Pavarësisht motivit të tyre, një numër i panjohur i të pastrehëve në Siberi kanë nënshkruar kontrata për të luftuar në Ukrainë, teksa Moska, që po tenton të shmangë edhe një mobilizim ushtarak, po përballet me vështirësi që t’i mbushë radhët. Nevoja për ushtarë është rritur më shumë, pasi tri javë më parë Ukraina ka nisur një ofensivë në rajonin perëndimor rus, Kursk.
Ministria e Mbrojtjes raportoi se afër 190.000 persona kanë nënshkruar kontrata për t’iu bashkuar ushtrisë ruse gjatë këtij viti. Më herët gjatë këtij viti, Rusia miratoi një ligj që krijon kushte të favorshme për kriminelët e dyshuar dhe të dënuar që rastet e tyre penale të pezullohen apo të zhbëhen nëse ata shkojnë në luftë vullnetarisht. Për më tepër, burimet i thanë Siberia.Realities të Radios Evropa e Lirë se zyrtarët në mënyrë aktive po kërkojnë ushtarë të rinj në strehimoret e të pastrehëve në mbarë Siberinë dhe Lindjen e Largët.
Kjo fushatë rekrutimi duket se po ndodh herë pas here, thanë për REL-in vullnetarët dhe stafi që punon në këto strehimore.
Gjatë mobilizimit të pjesshëm ushtarak në Rusi në shtator të vitit 2022, mediat ndërkombëtare dhe ato të pavarura ruse raportuan se policia dhe ushtria po shënjestronin për rekrutim burrat nëpër strehimore.
Përpjekje të tilla si duket kanë vazhduar në mënyrë sporadike që atëherë. Një vullnetare në një strehimore në periferi të qytetit Angarsk, në rajonin e Irkutskut, tha se më 2023 rekrutuesit “pothuajse çdo muaj erdhën te ne me fletushka që u bënin thirrje qytetarëve të nënshkruanin kontrata”.
“Sigurisht, këta budallenj u joshën [nga pagesa e kontratës]”, tha ajo duke iu referuar banorëve të strehimores. Radio Evropa e Lirë fshehu identitetin e burimeve të saj në Rusi, me qëllim që t’i mbrojë.
Një fletushkë e publikuar në ueb-faqen e administratës së një fshati në rajonin e Irkustskut, u ofron burrave një pagesë prej 4.388 dollarësh për të nënshkruar kontratën, pagesë mujore prej 2.304 dollarësh dhe përfitime të tjera. Zgjatja e kontratës përtej një viti paguhet me një bonus prej 2.139 dollarësh.
Kjo do të thotë se nga një kontratë njëvjeçare, nëse respektohet, një person mund të përfitojë 32.000 dollarë, shumë që është 72 herë më e lartë se paga mesatare në Rusi, që sipas agjencisë zyrtare të statistikave në Rusi është 2022 dollarë. Për më tepër, oferta premton “mundësi për të zgjidhur problemet e banimit” dhe “garanton punësim pasi kontrata të ketë skaduar”.
“Askush nuk kthehet i gjallë”
Dy banorë të rregullt të një strehimoreje të madhe të të pastrehëve në rajonin e Irkutskut, i thanë themeluesit të organizatës se, së fundi, kishin nënshkruar kontrata sepse u duheshin para “për të zgjidhur problemet që kishin me strehim” pasi gratë e tyre i dëbuan nga shtëpitë për shkak të problemeve që kishin me varësinë nga alkooli. Këta dy burra shpresonin se lufta do t’iu mundësonte që të merrnin kredi për të blerë shtëpi, tha themeluesi i organizatës.
Vullnetarja nga Angarsku tha se të pastrehët, që “zakonisht janë njerëz të varur” nuk e kuptojnë plotësisht se ata po luajnë bixhoz me jetën e tyre.
“Ata besojnë se është e mundur të kthehen nga lufta”, tha ajo. “Ata nuk e kuptojnë se përveç burrave të parë [që nënshkruan kontrata gjashtëmujore më 2022], askush nuk është kthyer i gjallë”.
Rusia nuk ka publikuar shifra për të vrarët në luftë në Ukrainë që nga shtatori i vitit 2022. Qeveria amerikane në qershor vlerësoi se më shumë se 350.000 trupa ruse ishin vrarë apo plagosur që nga shkurti i vitit 2022, ndërkaq Ukraina pretendon se pothuajse 579.500 ushtarë rusë janë vrarë apo plagosur.
“I çuan dëm të gjitha paratë”
Një vullnetare për të pastrehët, e cila foli me REL-in, tha se nga më shumë 50 burra të pastrehë që u zhdukën nga strehimorja nga vera e vitit 2022, vetëm dy janë kthyer. Të dy, pa para.
“Të tjerët… Dashtë Zoti, kanë mbetur rrugës për në luftë, duke i çuar në alkool të gjitha paratë e fituara”, tha vullnetarja. “Me shumë gjasa, ata të gjithë kanë vdekur”.
Një vullnetar tjetër nga strehimorja në Angarsk tha se një ish-banor i strehimores e telefonoi dhe i tha se vetëm ai dhe një ushtar tjetër kishin mbijetuar nga njësia e tyre ushtarake që përbëhej nga 50 persona. Ai tha se pasi kishte refuzuar të shërbente te njësia e topave, u dërgua në “gropën e ndëshkimit”, një burg i improvizuar për ushtarët, të cilët vendosen në gropa të hapura në tokë apo në qeli.
Vullnetari tha se ky person më nuk u përgjigj kur një anëtar i stafit të strehimores e thirri sërish në telefon.
Asnjë nga vullnetarët, me të cilët me të cilët foli REL-i, nuk ishin në dijeni të ndonjë rasti kur një i pastrehë ishte kthyer nga Ukraina dhe kishte një jetë “normale”, apo që kishte përdorur paratë e fituara nga shërbimi ushtarak për të blerë ndonjë shtëpi.
Themeluesi i strehimores në Irkutsk rikujtoi se një i pastrehë, i alkoolizuar, nënshkroi një kontratë më 2023, luftoi për gjashtë muaj, pranoi një medalje sepse ai shpëtoi jetën një bashkëluftëtari, por së fundi u kthye në strehimore.
Lufta “vërtet e kishte ndryshuar” këtë person, nuk e kishte përmirësuar situatën në jetën e tij, tha themeluesi i strehimores.
“Ai pinte shumë dhe i çoi dëm të gjitha paratë që kishte fituar duke marrë pjesë në luftë”, tha themeluesi.
Megjithëse, organizatat jofitimprurëse u ndihmojnë veteranëve që t’i kthehen jetës si civilë, nuk ka programe që do të adresonin në mënyrë specifike nevojat e ish-veteranëve të pastrehë, që janë kthyer nga lufta në Ukrainë.
Themeluesi i strehimores në rajonin e Irkutskut beson se gjatë dy vjetëve të para të luftës, të pastrehët shpesh nënshkruajnë kontrata për të përmirësuar pozitën e tyre në shoqëri. Përveç se i duan paratë që ofrohen për të luftuar, disa kanë shkuar “për të mbrojtur atdheun” e të tjerët sepse “nuk kanë qëllime në jetë”, tha ai.
Por, tani, shtoi ai, ata e kuptojnë se nga shërbimi në Ukrainë ata nuk “fitojnë ndonjë respekt të veçantë”.
“Si mund ta refuzoni?”
Në një video të publikuar në kanalin e tij zyrtar në Telegram më 9 korrik, kryetari i qytetit të Irkutskut, Pavel Berezovsky, mohoi se ndonjë i pastrehë nga ky qytet ka luftuar në Ukrainë.
“Disa nga ta pretendojnë se kanë luftuar në mënyrë që të ndjellin keqardhje te të tjerët”, tha ai.
Disa kilometra më në verilindje, në rajonin Saka-Jakutia, zyrtarët kanë përdorur rekrutimin ushtarak si një prej disa masave për të larguar nga rrugët të pastrehët në Jakutsk, para se qyteti të jetë mikpritës i një ngjarjeje sportive në fund të qershorit, raportoi media lokale, SakhaDay.
Në maj, në një ngjarje bamirëse për të pastrehët dhe të paprivilegjuarit, Avokatja e Popullit në Saka-Jakutia, Sardana Guryeva, zyra e së cilës ka bashkëpunuar në grumbullimin e të pastrehëve, u bëri thirrje të pranishmëve të ndjekin shembullin e 19 të pastrehëve, të cilët kishin nënshkruar kontrata për të luftuar në Ukrainë më 2023.
“Ju jeni patriotë”, iu drejtua ajo një grupi të të pastrehëve gjatë ngjarjes së organizuar në maj, të quajtur “Ndryshoni jetën”, sipas SakhaDay.
“Si mund të refuzoni që ta ndihmoni shtetin tuaj kur na duhet më së shumti?”./REL