
Putin: Nëse sulmohemi me raketa Tomahawk, përgjigjja jonë do të jetë shkatërruese
Presidenti rus Vladimir Putin ka dhënë përgjigjen e tij të parë të drejtpërdrejtë ndaj sanksioneve të SHBA-së të shpallura kundër Rusisë ditën e mërkurë.
Putin thotë se sanksionet nuk do të ndikojnë në ekonominë e Rusisë (një pretendim i kundërshtuar gjerësisht nga shumica e analistëve), por i përshkroi ato si një “akt jo miqësor” që nuk i forcon marrëdhëniet me SHBA-në, sipas medias shtetërore ruse TASS.
Sanksionet janë një përpjekje për të ushtruar presion mbi Rusinë, thotë Putin, duke shtuar se “dialogu është gjithmonë më i mirë se lufta”.
Ai thotë se Rusia nuk do t’i nënshtrohet kurrë presionit nga jashtë.
Putin theksoi se në rast të sulmeve me raketa Tomahawk mbi territorin e Rusisë, reagimi i Moskës do të jetë i fuqishëm, serioz dhe mund të konsiderohet edhe “shkatërrues”.
Në fjalimin e tij në Shoqërinë Gjeografike Ruse në Moskë, Putin thotë se zëvendësimi i naftës ruse në tregun global do të kërkojë kohë dhe do të çojë në rritje të çmimeve.
Duke diskutuar samitin e anuluar me Donald Trump në Budapest, Putin thotë se takimi u propozua nga SHBA-të.
Ai shton se Trump në komentet e tij në Shtëpinë e Bardhë dje, ka shumë të ngjarë të ketë dashur të thotë që samiti ishte “shtyrë”.
Rusia dëshiron të vazhdojë dialogun me SHBA-në pasi të dy vendet kanë shumë fusha për bashkëpunim, shton Putin.
Ky paralajmërim vjen ndërsa SHBA-të kanë vendosur sanksione të reja ndaj Rusisë, duke synuar ushtrimin e presionit mbi Moskën.
Megjithatë, Putin shtoi se “asnjë vend që respekton veten nuk vepron nën presion”, duke nënvizuar qëndrimin e vendosur të Rusisë përballë këtyre masave.
Megjithatë, ndikimi i parë i sanksioneve të mëdha dhe të ashpra amerikane po ndihet.
Gjigantët shtetërorë të naftës në Kinë – PetroChina, Sinopec, CNOOC dhe Zhenhua Oil – kanë ndalur ose reduktuar blerjet detare të naftës ruse pas sanksioneve të reja amerikane ndaj kompanive Rosneft dhe Lukoil, nga frika e penaliteteve dytësore.