“Putini imiton Millosheviqin, sajon histori të rreme për t’i diskredituar viktimat”

15 gusht 2023 | 08:29

Kremlini sajon histori të rreme për të diskredituar viktimat e tij, duke përsëritur shumë nga akuzat që Beogradi bëri kundër boshnjakëve, kroatëve dhe shqiptarëve.

Kështu mendon Januz Bugajski, ekspert për Ballkanin nga Qendra për Analiza të Politikës Evropiane (CEPA), me seli në Uashington.

Sipas tij, nacionalizmi imperialist rus, nga ana tjetër, është gjithëpërfshirës dhe kërkon t’i kthejë me forcë kombet e tjera në rusë, duke fshirë gjuhën, kulturën dhe historinë e tyre gjatë procesit.

“Megjithatë, ndërsa kjo politikë dështon gjithnjë e më shumë duke kthyer më shumë jo-rusë kundër Perandorisë së Moskës, Putini mund të ndjekë shembullin e Millosheviqit në vetë Rusinë”.

Sipas Bugajskit, nxitja e ksenofobisë, islamofobisë dhe ndjenjave kundër emigrantëve do të ndezë një fitil që Moska është e pafuqishme ta shuajë.

“Moska mund të përpiqet të imitojë Serbinë në vitet 1990 duke mobilizuar rusët etnikë për të nxjerrë rajone etnikisht homogjene nga republikat rebele dhe për të dëbuar popullsinë jo-ruse, por kjo vetëm do të përshpejtojë rënien e shtetit”.

“Ashtu si Putini, edhe Millosheviqi u gjykua dhe u dënua për krime lufte gjatë luftës së Serbisë kundër Kosovës. Aktakuzat specifike nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë përfshinin krime kundër njerëzimit në Bosnje-Hercegovinë, Kosovë dhe Kroaci. Këto përfshinin gjenocid, dëbim, vrasje, persekutim mbi baza politike, racore dhe fetare, akte çnjerëzore, shfarosje, burgosje, tortura dhe shkatërrim të gjerë të pronës”.

Bugajski kujton kohën kur Millosheviq u arrestua dhe u deportua në Hagë dhe vdiq në një qeli burgu gjatë gjykimit të tij.

“Deri në momentin e shkrimit të këtij artikulli, askush në Moskë nuk është i gatshëm të kapë Putinin dhe ta dorëzojë atë në GJPN. Por ndërsa Rusia dobësohet nga humbjet masive ushtarake dhe ekonomike, mundësitë për rrëmbim të pushtetit do të rriten dhe lidershipi i ri mund të zgjedhë ta bëjë Putinin kokë turku për krimet e tyre të përbashkëta. Edhe më e mundshme është vrasja e Putinit nga një prej bashkëpunëtorëve të tij aktual” /TheGeopost

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Juristi Kreshnik Spahiu tha në një intervistë për Euronews Albania…