Putini iu nënshtrua trajtimit për kancer të avancuar në prill, thotë raporti i inteligjencës amerikane

04 qershor 2022 | 00:49

Gjendja shëndetësore e presidentit rus, Vladimir Putin është një temë e një bisede intensive brenda administratës së presidentit amerikan Joe Biden, pasi komuniteti i inteligjencës bëri vlerësimin e tij të katërt gjithëpërfshirës në fund të majit.

Raporti i klasifikuar i SHBA-së thotë se Putini duket se është rishfaqur pasi iu nënshtrua trajtimit në muajin prill për kancer të avancuar, thanë për Newsweek tre udhëheqës të inteligjencës amerikane që kanë lexuar raportet, transmeton Telegrafi.

Vlerësimet konfirmojnë gjithashtu se ka pasur një atentat ndaj Putinit në muajin mars, thonë zyrtarët.

Zyrtarët e rangut të lartë, të cilët përfaqësojnë tre agjenci të veçanta të inteligjencës, u shprehën të shqetësuar se Putini është gjithnjë e më shumë paranojak për pozitën e tij në pushtet, një status që krijon një kurs të vështirë dhe paparashikueshëm në Ukrainë. Por është një, thonë ata, që gjithashtu i bën më pak të mundshme perspektivat e luftës bërthamore.

Të tre zyrtarët – njëri nga zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare (DNI), një oficer i lartë në pension i Forcave Ajrore dhe një nga Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes (DIA) – paralajmërojnë se izolimi i liderit rus e bën më të vështirë për inteligjencën amerikane për ta vlerësuar saktë statusin e Putinit dhe gjendjen e tij shëndetësore.

“Ajo që ne dimë është se ka një ajsberg atje, megjithëse i mbuluar me mjegull”, thotë drejtuesi i DNI-s, i cili komunikoi me Newsweek përmes emailit dhe kërkoi anonimitetin për të diskutuar çështje të ndjeshme.

Ndryshe, muajve të fundit spekulime të ndryshme kanë qarkulluar për gjendjen shëndetësore të Putinit duke qenë se veprime të dyshimta u panë te presidenti rus.

Gjatë një takimi që pati Putini me homologun e tij francez, Emmanuel Macron ra në sy tryeza shumë e gjatë që përdori udhëheqësi rus në Kremlin, gjë që sipas Newsweek simbolizonte paranojën dhe frikën e tij fizike.

Takimi ndodhi më 7 shkurt, vetëm dy javë para pushtimit të Ukrainës. Për komunitetin e inteligjencës, tavolina e gjatë dhe sjellja e Putinit me Macronin u bënë bazë për të matur rënien e presidentit rus.

“Nuk kishte asnjë shtrëngim duarsh, asnjë përqafim të ngrohtë dhe ne vumë re këtë”, thotë drejtuesi i DNI-s. Ai tha se inteligjenca franceze kishte shumë vëzhgime nga takimi dhe udhëtimi në Moskë, duke refuzuar të shtjellojë atë që iu raportua qeverisë amerikane.

Më pas erdhi takimi i Putinit më 21 prill me ministrin rus të Mbrojtjes, Sergey Shoigu, këtë herë në një tryezë të vogël. Shumë u fokusuan te Shoigu, i cili kishte munguar në sy të publikut. Por ishte Putini ai që kishte munguar kryesisht për pjesën më të madhe të muajit, dhe një gjë ra në sy në takim, ai u pa i shtrirë në karrige dhe kapte tryezën me dorën e djathtë.

Disa vëzhgues sugjeruan se lideri rus kishte sëmundjen e Parkinsonit. Të tjerë këmbëngulën se ishte vetëm trajnimi i tij për armë në KGB, duke iu referuar qëndrimit dhe ecjes së tij të ngurtë, gjithmonë me krahun e djathtë gati për të marrë armë brenda një xhakete.

Videoja u shqyrtua nga afër nga analistë të komunitetit të inteligjencës, disa të trajnuar në diagnostikimin në distancë dhe të tjerë në psikiatri.

Shumë pjesë të inteligjencës u analizuan për Shtëpinë e Bardhë: konsensusi ishte se Putini ishte i sëmurë dhe ndoshta po vdiste. Ai dukej se po bënte një shfaqje të mirë.

Paraqitja e Putinit në “Ditën e Fitores” më 9 maj gjithashtu ra në sy.

Udhëheqësi i Rusisë u pa derisa dukej se po çalonte kur po ecte, në një moment tjetër ai u pa i mbuluar me qebe.

Tre ditë më vonë, kreu i inteligjencës së Ukrainës, gjeneralmajor Kyrylo Budanov tha për Sky News se Putin ishte në “një gjendje shumë të keqe psikologjike dhe fizike dhe ai është shumë i sëmurë”, duke shtuar se brenda Kremlinit kishte plane për të rrëzuar liderin rus.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sipas zyrtarëve ukrainas, forcat ukrainase kanë rifituar rreth 20 për…