
Putini nënshkruan dekretin: Nga nesër për gazin rus paguhet me rubla
Mediumi britanik “The Guardian” ka raportuar se presidenti Vladimir Putin ka nënshkruar një dekret ku është thënë se nga nesër (e premte) për gazin rus do të paguhet me monedhën kombëtare ruse – rubla.
“Ai (Putini) ka nënshkruar një dekret që thotë se blerësit e huaj duhet të paguajnë në rubla për gazin rus nga 1 prilli dhe kontratat do të ndërpriteshin nëse këto pagesa nuk do të kryheshin. Ai tha se sanksionet perëndimore ishin përgatitur më parë dhe lufta ekonomike kundër Rusisë filloi vite më parë. Ai shtoi se Perëndimi do të përpiqet shumë të gjejë arsye për sanksione të reja”, raporton “The Guardian”.
Putini ka thënë se qëllimi ka qenë minimi i zhvillimit të Rusisë.
Vladimir Putini, javën e kaluar ka urdhëruar Bankën Qendrore ruse, Qeverinë dhe gjigantin e energjisë, “Gazprom”, që kontrollohet nga shteti të prezantojnë propozime deri më 31 mars lidhur me pagesat e gazit për “shtetet jomiqësore”, përfshirë të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian.
Rusia ka thënë më parë se shtetet “jomiqësore” do të duhet të paguajnë gazin rus në rubla nga 31 marsi.
Rusia, prej kohësh, ka qenë furnizuesja kryesore e Bashkimit Evropian me gaz natyror. Gjatë tremujorit të parë të vitit 2021, ajo ka siguruar pothuajse gjysmën e të gjithë gazit natyror të importuar nga blloku.