Putini nuk përjashton mundësinë e bisedimeve direkte me Zelenskyn
Presidenti i Rusisë , Vladimir Putin nuk e përjashton mundësinë e bisedimeve të drejtpërdrejta me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, por beson se një takim i tillë nuk është ende gati të zhvillohet.
Kjo, siç raportojnë mediet e huaja është thënë nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
“E gjithë puna përgatitore për një takim të tillë [midis Putinit dhe Zelenskyt] nuk është bërë ende. Dua t’ju kujtoj se Putini nuk e përjashton mundësinë e mbajtjes së bisedimeve të tilla pasi të përfundojnë punimet e nevojshme në nivel ekspertësh dhe të bëhet përparimi i duhur”, citohet të ketë thënë Peskov.
Zelensky ka deklaruar më parë se Ukraina është e hapur për një samit udhëheqësish nëse Rusia është vërtet e përkushtuar për t’i dhënë fund luftës dhe për të vendosur paqe të qëndrueshme.
Më 14 korrik, presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ka lëshuar një ultimatum 50-ditor që synonte të bënte presion mbi Rusinë për paqe.
Megjithatë, më 28 korrik, ai e ka shkurtuar afatin e tij kohor në 10-12 ditë, duke thënë se nuk dëshironte më të takohej ose të fliste me Putinin, megjithëse këmbënguli që Rusia duhet të arrijë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Kujtojmë se raundi i fundit i negociatave ukrainaso-ruse u zhvillua në Stamboll më 23 korrik.



