Putini poshtërohet nga pyetja e një 11 vjeçeje ruse për xhaxhanë e plagosur në luftë
Presidenti rus Vladimir Putin është përballur me një moment të sikletshëm gjatë një takimi publik në Sheshin e Kuq në Moskë, kur një vajzë 11-vjeçare e quajtur Kira i kërkoi ndihmë për të shpëtuar xhaxhain e saj të plagosur në frontin e luftës në Ukrainë.
Sipas mediave të huaja, që citojnë burime nga takimi, vajza i tregoi Putinit se xhaxhai i saj, 46-vjeçar, ishte plagosur në krah gjatë luftimeve, por ishte dërguar sërish në vijën e frontit pa marrë trajtimin e duhur mjekësor.
“Xhaxhai im është në front tani,” i tha ajo Putinit. “Ai u plagos në krah, ishte në spital…”
Raportimet theksojnë se kjo skenë është një pasqyrë e gjendjes në forcat ruse, ku shumë ushtarë të plagosur apo të sëmurë detyrohen të kthehen në luftë pa u shëruar plotësisht.
Kira ka humbur edhe babanë e saj, Vladimir Pimenov (36 vjeç), i cili ishte mobilizuar vitin e kaluar dhe u vra në luftimet në rajonin e Donetskut.
Vajza, megjithëse nuk ia përmendi dhimbjen personale Putinit, iu drejtua atij me lutje për të shpëtuar të afërmin e saj, duke ekspozuar në mënyrë të ndjeshme realitetin e ashpër me të cilin përballen familjet e ushtarëve rusë.
Ky moment, sipas mediave ndërkombëtare, është parë si një poshtërim i rrallë publik për Putinin, pasi përballë një fëmije u shfaq pafuqia e sistemit rus ndaj vuajtjeve të vetë qytetarëve të tij.
Ajo i tha troç: “Ata nuk po e trajtojnë fare, dhe tani po e dërgojnë përsëri në një mision [për të luftuar]”.
“Do të doja që ai të transferohej në një spital të mirë në Rusi”.
Dhe Putini – duke u dukur pak jo rehat – i tha asaj: “Patjetër që do ta gjejmë, në rregull?”.



