Putini, Ukraina dhe ringjallja e Perëndimit

18 prill 08:41

Nga: Gideon Rachman / Financial Times
Përktheu: Agron Shala 

Dy foto të shkrepura gjatë krizës në Ukrainë, i përmbledhin mirë pozicionet e Rusisë dhe të aleancës perëndimore. E para është e Vladimir Putinit në tryezën e tij të gjatë, tashmë të famshme – distanca e tij fizike nga udhëheqësit vizitorë e simbolizon izolimin e Rusisë. Imazhi i dytë është i Joe Bidenit në mes të një grupi të liderëve të NATO-s – me presidentin amerikan të rrethuar nga miqtë dhe nga aleatët.

Në kohën e tmerrit të luftës në Ukrainë, disa në ShBA dhe në Evropë e kanë kuptuar shansin për ringjalljen e aleancës perëndimore. Ish-ambasadori i ShBA-së në NATO, Ivo Daalder, gjendjen e re e përthekoi në një artikull të kohëve të fundit – bashkautor me James Lindsayn – me titullin: “Pse Putini e nënvlerësoi Perëndimin”?

Siç e pranuar ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, shpejtësia, forca dhe uniteti i reagimit perëndimor ndaj pushtimit rus të Ukrainës, e ka befasuar Kremlinin. Madje, mund t’i ketë befasuar edhe liderët perëndimorë.

Pak ditë pas pushtimit, u ngri një pjesë e madhe e aseteve të Bankës Qendrore të Rusisë. Nga sanksiohet u prekën një sërë e institucioneve financiare, si dhe oligarkët rusë. Hapësira ajrore evropiane u mbyll për linjat ajrore ruse. U kufizuan eksportet e teknologjisë në Rusi. Rusia u përjashtua nga Kupa e Botës në futboll. U pezullua tubacioni i gazit Nord Stream 2 – që kalonte nëpër Gjermani – dhe Berlini njoftoi për rritjen historike të shpenzimeve në ushtri. Ndërsa, vendet perëndimore u pajtuan ta furnizonin Ukrainën me armatim të rëndë – me BE-në që e bëri lëvizjen e saj të parë ndonjëherë, drejt ndihmës së drejtpërdrejtë ushtarake.

Këto reagime nuk ndodhën veç një herë. Vazhdojnë të shpallen sanksionet e reja ose sekuestrimet e aseteve ruse. Po del se aleanca perëndimore gjithashtu do të zgjerohet me Finlandën dhe ndoshta me Suedinë, që kanë vendosur të aplikojnë për t’u bashkuar me NATO-n. Pushtimi i Rusisë në Ukrainë, i justifikuar pjesërisht si përgjigje ndaj zgjerimit të NATO-s, në fakt e ka provokuar zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s.

Krizat e mëparshme ndërkombëtare – si lufta e Irakut ose sulmi i Rusisë ndaj Gjeorgjisë në vitin 2008 – ose e kanë ndarë aleancën perëndimore ose e kanë zënë në befasi. Për dallim nga kjo – siç thekson historiania e shquar Margaret Macmillan – këtë herë “Perëndimi ishte i përgatitur dhe po shihet se ka menduar mirë se si do të përgjigjet”.

Tërheqja kaotike e ShBA-së dhe e aleatëve nga Afganistani në verën e vitit 2021, përshtatet në mënyrë të përkryer me narrativat e promovuara me të madhe në Moskë dhe në Pekin, për gjoja izolimin amerikan dhe për rënien e perëndimorëve. Por, forca e reagimit për Ukrainën, e udhëhequr nga ShBA-ja, po i sfidon këto ide dhe u ka dhënë zemër gjithë atyre që besojnë në aleancën atlantike.

Gjithashtu, u bë e qartë se “Perëndimi” si koncept gjeopolitik, nuk përcaktohet më nga gjeografia. Aleatët amerikanë në Azi, përfshirë Japoninë, Korenë e Jugut, Singaporin dhe Australinë, janë bashkuar në angazhimet për sanksionet kundër Rusisë. Po kështu edhe Zvicra, një vend neutral dhe një qendër e rëndësishme financiare ndërkombëtare. Zyrtarët amerikanë u ndjenë më të qetë për vendosjen e sanksioneve ndaj Bankës Qendrore Ruse, duke e ditur se qendrat tjera të mëdha financiare në botë do të veprojnë në bashkëpunim me Uashingtonin. Janë shumë të vështira përpjekjet e Rusisë dhe të Kinës për t’i diversifikuar asetet larg dollarit, kur dihet se monedhat kryesore alternative – euro, jeni, paundi dhe franga zvicerane – gjithashtu nuk vinë në shprehje.

Por, ndërkohë që për forcën dhe për unitetin e reagimit perëndimor ekziston një ndjesi e kënaqësisë në Uashington dhe në Bruksel, edhe optimistët janë të vetëdijshëm se uniteti perëndimor mund të jetë i brishtë dhe i shkurtër.

Për momentin, e gjithë vëmendja është te zgjedhjet presidenciale franceze që do të mbahen të dielën e ardhshme. Marine Le Pen – kandidatja e partisë së ekstremit të djathtë – në këto votime është në garë të ngushtë me presidentin Emmanuel Macron. Le Pen ka një sfond armiqësie ndaj BE-së dhe ndaj NATO-s dhe mbetet mbështetëse e afrimit me Rusinë. Në një fjalim për politikën e jashtme në Paris, gjatë kësaj jave, ajo pohoi se “barazia” duhet të jetë parim qendror i politikës së jashtme franceze – duke nënkuptuar se Franca nuk duhet të favorizojë marrëdhëniet me ShBA-në mbi marrëdhëniet me Rusinë.

Në aspektin më afatgjatë, shumë evropianë po e marrin si alarm rënien e numrave të Bidenit nëpër sondazhe. Perspektiva e rikthimit të Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024, po i shqetëson disa zyrtarë në NATO dhe në BE.

Edhe pa Trumpin apo Le Penin në pushtet, tensionet po rriten përbrenda vetë BE-së. Kohët e fundit – pas kritikave të kryeministrit polak për vendimin e Macronit për të bërë telefonata të shumta me Putinin – Macroni e sulmoi Mateusz Morawieckin duke e quajtur “antisemit të së djathtës ekstreme që i ndalon  njerëzit LGBT”,

Këto tensione në Evropë, mund të rriten gjatë muajve të ardhshëm nëse zvarritet lufta në Ukrainë. Euforia fillestare rreth fuqisë së sanksioneve perëndimore mund t’ia hapë vendin ndjenjës së pafuqisë dhe të dëshpërimit teksa Rusia kryen krime lufte në gjithë Ukrainën e Perëndimi shikon nga anash. Rritja e inflacionit në Perëndim – veçanërisht rritja në koston e energjisë – mund të bëjë që vëmendja e votuesve të largohet nga Ukraina dhe të përqendrohet te vështirësitë ekonomike në vend.

Koston e jetesës Le Pen tashmë e ka në qendër të fushatës së saj – dhe kjo do të rritet në gjithë Evropën. Për shembull, në këtë trajektore janë konsumatorët britanikë të cilët sapo kanë parë një rritje prej 50 për qind në faturat e tyre të energjisë – e ka të ngjarë që në vjeshtë ata të goditen me një rritje tjetër prej 50 për qind. Këto probleme ekonomike tashmë po çojnë në një ndarje në lidhje me sanksionet. Gjermania vazhdon t’i rezistojë presionit për ta ndaluar menjëherë importet e gazit rus duke argumentuar se një reduktim i shpejtë mund të çojë në rritjen e inflacionit dhe të papunësisë.

Po ashtu, në Perëndim po gdhin ideja se është gënjeshtër se e gjithë bota është e bashkuar në dënimin e veprimeve ruse. Sigurisht, ka pasur pasoja të rëndësishme diplomatike për Kremlinin. Pushtimi fillestar rus u dënua në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së me votimin 141:4. Nga ana tjetër, pati shumë abstenime domethënëse. Në fakt, vendet që nuk arritën ta dënojnë Rusinë në OKB, përfshirë Kinën dhe Indinë, e përbëjnë më shumë se gjysmën e popullsisë së botës.

Përgjigja e Indisë ndaj luftës në Ukrainë është shqetësim i veçantë dhe paralajmërim për Perëndimin. Të cilësuar shpesh si demokracia më e madhe në botë, indianët janë partnerët vendimtarë në planet e Amerikës për ta kundërshtuar Kinën e Xi Jinpingut. Uashingtoni madje ka shkuar më larg duke e riemëruar zonën e njohur si rajoni i Azi-Paqësorit, në si Indo-Paqësor – një akt i rëndësisë gjeopolitike të Indisë. Së bashku me Australinë, me Japoninë dhe me ShBA-në, indianët janë pjesë e Quad-it – një grup sigurie të cilin Kina e ka denoncuar si pjesë e embrionit të “NATO-s aziatike”.

Por, ndërkohë që Australia dhe Japonia i janë bashkuar “Perëndimit” për t’u kthyer kundër Rusisë, India ashiqare e ka mbajtur njërën anë. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Lavrov, së fundmi e bëri një vizitë miqësore në Delhi ku e pati një takim privat me Narendra Modin, kryeministrin e Indisë. Shpjegimi më pak i pakëndshëm për neutralitetin e Indisë është thjeshtë realpolitika: indianët blejnë shumë armë nga Rusia dhe shqetësimet e tyre kryesore strategjike janë Pakistani dhe Kina, ndaj nuk e shohin të arsyeshme për të pasur grindje edhe me Rusinë.

Por, është e qartë se këtu përfshihen edhe ndjenjat. Reagimet e mediave të Indisë për luftën janë plot me referenca për miqësinë e gjatë të vendit me Rusinë – si dhe për hipokrizinë e Perëndimit, me çdo gjë të saj, që nga Perandoria Britanike deri e te Lufta në Irak, të cituara këto si dëshmi. Kapil Komireddi, komentator indian i cili është kritik i ashpër i qëndrimit të qeverisë së tij ndaj Ukrainës, e dënon gjithashtu “moralizimin e patolerueshëm të Perëndimit”.

India është larg një rasti të izoluar. Brazili dhe Afrika e Jugut po ashtu abstenuan në votimet kryesore të OKB-së për Ukrainën. Dy javë pas pushtimit rus, presidenti Cyril Ramaphosa i Afrikës së Jugut – i konsideruar si kampion i sundimit të ligjit dhe i demokracisë në vend – shkroi në Twitter për një mirënjohje ndaj “shkëlqesisë së tij Vladimir Putin, që e pranoi sot thirrjen time”. Presidenti Jair Bolsonaro i Brazilit – dikur aleat i ngushtë i Trumpit – e urren administratën e Bidenit. Ai ishte një nga liderët e fundit të huaj që përpara pushtimit të Ukrainës e vizitoi Putinin në Moskë dhe që qëndroi neutral ndaj luftës.

Edhe autokratët e preferuar të Perëndimit në shtetet e Gjirit, kanë mbajtur një anë në këtë konflikt. Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite gjithashtu kanë abstenuar në votimet e OKB-së për Rusinë. Princi i kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, duke shprehur pakënaqësitë e tij ndaj administratës së Bidenit, i ka rezistuar në mënyrë të prerë thirrjet e perëndimorëve për ta rritur prodhimin e naftës e për ta kompensuar kështu humbjen e furnizimeve me energji nga Rusia.

Të gjitha këto raste të mospajtimit tregojnë se është mashtrim përshtypja fillestare se e gjithë bota është e bashkuar në zemërimin kundër Rusisë. Në vend të kësaj, ekziston një “bosht zemërimi” i përqendruar në aleancën perëndimore dhe një “bosht indiferencë” me qendër në Jugun Global.

Pascal Lamy, ish-kryetar i Organizatës Botërore të Tregtisë, mendon se Perëndimi duhet ta marrë këtë seriozisht. Ai argumenton se “aleanca Kinë-Rusi është pjesërisht aleancë narrativash”. Historia e zakonshme e treguar nga Moska dhe nga Pekini është për hipokrizinë perëndimore dhe për marrëdhëniet e dyfishta, thotë Lamy, dhe kjo narrativë ka shumë pranues në Jugun Global.

Edhe nëpunësit e shquar ndërkombëtarë, si drejtori i përgjithshëm i OBSh-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, e akuzon Perëndimin për standarde të supozuara të dyfishta. Këtë javë vuri në pikëpyetje nëse “bota vërtet i kushton vëmendje të barabartë jetëve të bardha e të zeza”, duke pasur parasysh interesimin modest ndaj emergjencave në vendet si Etiopia, Jemeni dhe Afganistani.

Këto vlerësime e vënë në pikëpyetje çdo ndjenjë të triumfalizmit perëndimor në lidhje me përpjekjet për ta izoluar Rusinë. Megjithatë, është e vërtetë se Perëndimi e përjetoi një krizë të mirë. Për Macmillanin, një nga mësimet është se “është e parakohshme të thuhet se ShBA-ja është në rënie … sepse ShBA-ja ende ka asete dhe fuqi të jashtëzakonshme”.

Siç thekson historiania, më herët ishin ca periudha kur para kohe u përshkrua fuqia dhe qëndrueshmëria amerikane – pas Krizës së Madhe Ekonomike dhe pas luftës së Vietnamit. Edhe për BE-në ka pasur gjithashtu shkrime të shumta nekrologjie – së fundi gjatë krizës së borxhit grek dhe pas Brexit-it. Por, BE-ja është elastike, siç është edhe ShBA-ja. Dhe, kur BE-ja dhe ShBA-ja punojnë së bashku me Japoninë, me Britaninë e Madhe, me Kanadanë, me Korenë e Jugut dhe me Australinë, këto demokraci të përparuara ende e me shumë lehtësi e përbëjnë më shumë se gjysmën e ekonomisë botërore.

Ndërkohë, kundërshtarët e Perëndimit duken më pak të frikshëm se dikur – madje se disa muaj më parë. Nga lufta në Ukrainë u godit miti i forcave të armatosura ruse. Ndërsa, Kina – nën drejtimin e Xiut – duket më e trazuar seç ishte disa vjet më parë. Përgjigja zyrtare e Pekinit ndaj luftës në Ukrainë ka qenë bishtnuese meqë Kina po luan me kohën teksa aleati rus po ngec. Në vendin e vet, Xiu po përballet gjithashtu me një krizë në rritje. Politika e tij “zero Covid” – e përshëndetur vazhdimisht nga mediat zyrtare kineze si provë e epërsisë së modelit të qeverisjes së Pekinit – është në telashe serioze e me Shangain në një bllokim të zgjatur dhe gjithnjë e më të paqëndrueshëm.

Tre vjet më parë, Putini i tha Financial Timesit-it se modeli liberal perëndimor është dështim i dëshmuar. Mantra e Xiut ka qenë se Lindja po rritet dhe se Perëndimi është në rënie. Të dy këta burra u ngutën kur folën. /Telegrafi/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot mbushen 23 vjet nga beteja e zhvilluar te Shkëmbi…