PZAP-i urdhëron KQZ-në të certifikojë Listën Serbe

25 prill 2019 | 17:51

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të certifikojë subjektin politik Lista Serbe për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen në komunat veriore më 19 maj.

Por, PZAP hodhi poshtë apelin e partisë Lista Serbe, e cila kërkoi njoftimin e Prokurorisë, pasi pretendonte se moscertifikimi i saj nga anëtarët e KQZ-së përbën vepër penale.

KQZ-ja ka afat 24 orë për t’u ankuar ndaj këtij vendimi në Gjykatën Supreme të Kosovës.

Më 14 prill, katër kandidatët e subjektit politik, Lista Serbe, nuk u certifikuan nga ana e Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, kjo për shkakun se dy anëtarët e këtij trupi nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Nazlie Balaj dhe Adnan Rrustemi abstenuan në votim, duke pamundësuar certifikimin.

Lista Serbe më pas ushtroi të drejtën e ankesës në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Kryetarët e komunave veriore: Zubin Potok, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Leposaviq, më 26 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë pakënaqësie për vendosjen e taksës doganore prej 100 për qind nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe.

Më pas, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi caktoi datën 19 maj për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Klubet e Premier League regjistruan një rritje të shpenzimeve për…