PZAP refuzon ankesën e PDK-së për parregullsitë e evidentuara Mitrovicë, reagon Arian Tahiri
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka refuzuar ankesën e PDK-së lidhur me parregullsitë e evidentuara në procesin zgjedhor në Mitrovicë.
“Partia Demokratike e Kosovës shpreh zhgënjimin e saj të thellë me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili sot ka refuzuar ankesën tonë lidhur me parregullsitë e evidentuara në procesin zgjedhor në Mitrovicë”.
“Ne e konsiderojmë këtë vendim të padrejtë dhe të pambështetur në realitetin e asaj që ka ndodhur në Mitrovicë. PDK ka paraqitur fakte, dëshmi dhe situata të dokumentuara që tregojnë qartë se procesi zgjedhor është cenuar dhe se vullneti i qytetarëve nuk është respektuar në mënyrën siç e kërkon ligji dhe standardet demokratike”, ka shkruar në Facebook Tahiri.
Prandaj, sipas tij, Partia Demokratike e Kosovës nuk do të ndalet. “Ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha mekanizmat ligjorë që garanton Republika e Kosovës. Hapi ynë i radhës është paraqitja e ankesës në Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës, e cila është instanca përfundimtare dhe vendimtare për të garantuar drejtësi dhe integritet të procesit zgjedhor”.
“PDK është dhe mbetet në mbrojtje të votës së lirë, të drejtë dhe të pastër të qytetarëve. Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa respektimin e ligjit dhe të vullnetit të shprehur të qytetarëve të Mitrovicës. Drejtësia do të vijë. Ne do të vazhdojmë deri në fund”, ka shkruar Arian Tahiri.



