Qalaj pas arrestimit të një eksponenti të afërt me VV: “Vendi po përballet me një nivel të lartë të krimit dhe korrupsionit”

04 qershor 2025 | 15:12

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur konferencë sot, pas operacionit të djeshëm antidrogë të policisë “Qielli i thyer”, ku u raportua për arrestimin e një personi të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, vlerëson se vendi po përballet me një krizë të shumëfishtë të sigurisë kombëtare, publike dhe njerëzore.

Anëtarja e kryesisë së PDK-së, Besa Kabashi – Ramaj, ka thënë se ky rast dëshmon se krimi i organizuar ka prekur qeverinë.

“Në operacionin “Qielli i thyer”, u arrestua një person i njohur si organizatori kryesor i një rrjeti të trafikut të drogës, e njëkohësisht i njohur për lidhjet e tij të afërta me Lëvizjen Vetëvendosje, madje duke pasur qasje edhe në ish-Kryeministrin Kurti e Ministrin e Punëve të Brendshme. Kjo nuk është thjesht një çështje penale, është një alarm për të gjithë sistemin tonë politik dhe institucional. Është dëshmi e asaj që ndodh kur njerëzit e gabuar hyjnë në vendimmarrje, dhe kur strukturat e shtetit përdoren për interesa të errëta”, tha ajo.

Sipas Kabashi-Ramajt, edhe dështimi i seancave për konstituimin e Kuvendit dhe mosfunksionalizimi i institucioneve është bllokadë e qëllimshme, që po e lë vendin të pambrojtur në një kohë kur sfidat nuk presin, as ato brenda vendit, e as në rajon.

“Shteti ynë nuk ka ende mekanizma për parandalimin e hershëm të kërcënimeve moderne, siç janë kërcënimet kibernetike, dezinformimi, apo sulmet hibride, ndërkohë që këto janë bërë pjesë e realitetit të përditshëm të vendeve demokratike. Së dyti, krimet me armë dhe rastet e dhunës mbeten shqetësuese. Incidentet me armë dhe plaçkitjet mbeten një kërcënim real, veçanërisht në zonat urbane. Sistemet e emergjencës civile janë të vjetruara dhe pa personel të trajnuar e të trajtuar me dinjitet. Në vend të forcimit të institucioneve të rendit dhe mbrojtjes civile, qeveria e kaluar është marrë me përndjekjen e kritikëve dhe instrumentalizimin politik të institucioneve të sigurisë. Por më e rënda, është goditja ndaj sigurisë njerëzore. Siguria ekonomike është kërcënuar nga veprime të papërgjegjshme si mënyra kaotike e liberalizimit të tregut të energjisë, që rrezikon mbi 140 mijë vende pune dhe rrënon sektorin privat – shtyllën e vetme të mbetur të stabilitetit ekonomik”, theksoi ajo.

Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj u shpreh se moskonstituimi i institucioneve nuk është i rastësishëm, jo vetëm për shkak të mungesës së numrave për zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe kryeministrit, por edhe sepse do të diskutohej për licencimin e kompanive të familjarëve për shitblerje të energjisë, keqpërdorimet për tenderin e mbetjeve shtazore dhe skandale tjera të këtij pushteti.

“Tash arrestohet eksponenti i Lëvizjes Vetëvendosje i pikës “Qyteti i Vjetër” të Degës së Prishtinës. Njeri që qëndron afër ministrit të brendshëm z. Svecla dhe pastaj po ashtu qëndron afër ndaj figurave të ndryshme të partisë në pushtet. Dhe kjo nuk është rastësi. Pra, Shemsi Bahtiri është hetuar edhe në vitin 2019 për gjëra të njëjta”, theksoi Qalaj.

PDK u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve të drejtësisë që të veprojnë me vendosmëri dhe pa kompromis lidhur me këtë rast dhe skandale të tjera të kësaj qeverie.

“Vendi ynë po përballet me një nivel të lartë të krimit dhe korrupsionit, duke ndikuar negativisht në funksionimin e institucioneve dhe besimin e qytetarëve. Këto probleme kanë çuar në degradim të vazhdueshëm në çdo sektor të shoqërisë”, përfundoi Qalaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrat e Mbrojtjes të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior…