Që nga paslufta luftoi për këtë të drejtë, Shyhrete Berishës i njihet e drejta e pronësisë së shtëpisë

13 janar 2026 | 17:02

Gjykata e Apelit ia ka rikonfirmuar Shyhrete Berisha të drejtën e shtëpisë në të cilën jetoi me bashkëshortin dhe fëmijët, të cilët iu vranë gjatë luftës. Ky vendim e ka gëzuar shumë Berishën e cila që nga paslufta luftoi për këtë të drejtë.

Lajmin e ka konfirmuar avokati i Berishës, Miftar Qelaj, i cili ka thënë se të martën e ka pranuar aktvendimin e Apelit.

Aktvendimi thotë se Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesat e palëve dhe ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë të Gjykatës Themelore në Suharekë, duke ia njohur Shyhrete Berishës të drejtën e pronësisë mbi shtëpinë e saj.

“Nuk ka pas seancë të mbajtur.. lënda ka qenë e apeluar me ankesë në Apel, ndërsa sot e kemi pranuar një aktvendim nga Gjykata e Apelit përmes Gjykatës Themelore dega në Suharekë me të cilin janë refuzuar ankesat e palëve dhe është vërtetuar  aktgjykimi i shkallës së parë në Suharekë. Kështu që aktgjykimi i shkallës së parë i cili është në fuqi dhe është vërtetuar përmes aktgjykimi të Gjykatës Apelit, zonjës Shyhrete ia njeh të drejtën në pronësi në shtëpinë e saj në të cilën ka luftuar shumë gjatë”, ka thënë ai.

Avokati i saj, Miftar Qelaj, ka thënë se tashmë për vendimin e Apelit e ka njoftuar edhe klienten e saj, për çka tha se ajo u emocionua shumë.

“Është personi i parë me të cilën kam komunikuar pasi që e kam pranuar aktvendimin për shkak se e di lidhjen emocionale të Shyhretes që e ka me këtë rast edhe menjëherë si e kam marr e kam verifikuar…dhe e kam marr  në telefon pasi ajo nuk është duke jetuar për momentin në Kosovë dhe e kam njoftuar e ka pritur me shumë emocion të madh e shumë gëzim sa që tha ma ndreq ditën ky lajm”, ka thënë Qelaj.

Shyhrete Berisha tash e 20 vjet ka qenë në betejë ligjore me familjen e bashkëshortit. Ndërsa bashkëshorti dhe katër djemtë e saj janë vrarë në luftën e  fundit në Kosovë nga forcat serbe.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Themelore pezullon emërimin e drejtorit të ri të ARC-së…