Qelia!

25 korrik 2025 | 13:21

Shkruan: Ilir Gashi

Liria që buron nga qelia dhe burgimi që vjen nga pushteti

“Një njeri i fortë mund të mungojë në trup, por prania e tij mbetet aty ku e preku me mendje” – Friedrich Nietzsche

Nëse nuk do të kisha qenë vetë dy herë në Hagë, do të besoja se Hashim Thaçi është ende në Prishtinë, mes institucioneve, korridoreve të vendimmarrjes, apo në ndonjë zyrë pa emër, nga ku jep këshilla dhe udhëzon drejtim.

Por kjo nuk është realiteti. Është një paradoks i trishtë që një njeri, i mbyllur në një qeli të ftohtë prej pesë vitesh, të jetë më i kthjellët, më i freskët në mendje, më i informuar për rrethanat ndërkombëtare dhe më këshillues për vendin sesa kryeministri që drejton Kosovën pa ndërprerje prej gjysmë dekade.

Kjo nuk është thjesht ironi. Është pasqyrë tragjike e realitetit tonë politik. Izolimi fizik në burg nuk e ka zbehur mendimin e Thaçit, përkundrazi, e ka kristalizuar atë. Ai flet më pak, por fjalët e tij kanë më shumë peshë. Ai është larg, por ndikimi i tij prek zemrën dhe shpirtin e shqiptarëve më afër se shumica e atyre në pushtet. Ndërkohë që ata që kanë në dorë mjetet e shtetit, shpesh janë vetëm spektatorë të ngjarjeve që i kalojnë si mjegull para syve.

Në vend që të udhëheqin, ata presin. Në vend që të marrin vendime, fajësojnë të tjerët. Në vend që të komunikojnë me botën, janë të zënë në kurthin e mendimeve të tyre të mbyllura.

No photo description available.

Këtu qëndron tragjedia më e madhe: sot, nuk është qelia që kufizon mendjen, por pushteti. Pushteti i mbyllur brenda vetes, arrogant dhe i paditur, është burg më i rrezikshëm se çdo tribunal ndërkombëtar.

Hashim Thaçi nuk është fizikisht në Prishtinë, por mendja e tij është më prezente në debatin politik, diplomatik e në familjet tona sesa mendja e atyre që janë zyrtarisht në krye të shtetit.

Nëse nuk e pyesim veten kush është i lirë dhe kush është i burgosur në këtë vend, atëherë jemi më të humbur se ç’duhet ta kuptojmë. Nga Haga na vjen kthjelltësia, nga Prishtina na vjen mjegulla. Një paradoks tragjik për një vend që ka dhënë shumë për lirinë, por sot nuk di se çfarë të bëjë me të.

“Kur mungon njeriu i duhur në kohën e duhur, historia fillon të përsëritet si farsë.”

Nëse kjo nuk është një nga tragjeditë e mëdha ballkanike, ku heroi ndëshkohet dhe mediokrit marrin fronin, atëherë ndoshta nuk kemi më sy për të parë tragjeditë tona.

Të ngritemi sa nuk është vonë. Në qeli të Hagës po përcaktohet fati i kombit shqiptar. Hashim Thaçi ishte i destinuar të shkruante historinë e tashme, por tani duket i dënuar të përcaktojë edhe të ardhmen e saj.

Në vend që të jetë në tryezën ku merret vendimi për Kosovën, ai është në qelinë ku pritet të gjykohet vetë historia e saj.

Prandaj, fati i tij nuk është vetëm personal, është fat kombëtar. Nëse ai rrëzohet, rrëzohet edhe rrëfimi ynë për veten. Nëse qëndron, mbijeton edhe kujtesa për kohën kur shteti kishte dinjitet.

Ndoshta, për të rikthyer vetëdijen që kemi humbur në liri, na duhej një zë i mbyllur që të na flasë më fort se të gjithë ata që janë të lirë.

Liri për çlirimtarët

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kuadër të programit “Ditët e Partisë”, organizuar nga NDI…