Qendra e Studentëve do t’i nënshtrohet rinovimit 70 milion eurosh për Lojërat Mesdhetare
Në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, ka nisur faza e zhvillimit të projekteve madhore infrastrukturore. Në mesin e tyre, fokus të veçantë do të ketë edhe në Qendrën e Studentëve e cila do të shndërrohet në qendrën kryesore të akomodimit për mijëra sportistë nga vende të ndryshme të Mesdheut.
Në një intervistë për KosovaPress, shefi i Agjencisë për Sport, në MKRS Fidan Shatri, shpalos detaje për kapacitetet, investimet, afatet kohore dhe trashëgiminë që do të mbetet për sportin dhe studentët pas vitit 2030. Shatri thekson se Qendra e Studentëve është zgjedhur si vendi kryesor ku do të strehohen sportistët pjesëmarrës në Lojërat Mesdhetare. “Pikërisht Qendra e Studentëve do të jetë vendtakimi i shumë sportistëve nga e gjithë Mesdheut, të cilët do të vendosen dhe do të akomodohen pikërisht në Qendrën e Studentëve, për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030… Shpresoj që po, do të jetë e mjaftueshme, pasi që do të bëhet një rinovim i tërësishëm i të gjitha objekteve të Qendrës së Studentëve, si dhe do të ndërtohen edhe objekte të reja për të rritur hapësirën, për pritjen e sportistëve për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030”, thotë fillimisht Shatri. Sipas Shatrit, aktualisht Qendra e Studentëve ka rreth 3300 vende akomodimi, por kapaciteti do të zgjerohet ndjeshëm për Lojërat e vitit 2030. Rinovimet e thella dhe ndërtimi i objekteve të reja do ta çojnë numrin e shtretërve mbi 4500.
“Do të bëhet rinovimi i hollësishëm i të gjitha objekteve në Qendrën e Studentëve, po ashtu në të njëjtën kohë do të ndërtohen edhe objekte të reja që të rritet hapësira për sportistët të cilët do të akomodohen në Qendrën e Studentëve. Pra, aktualisht e kemi diku rreth 3300 vende, hapësirë të banueshme, dhe kjo hapësirë do të rritet mbi 4500 hapësirë, vende për akomodim për të gjithë sportistët të cilët do të akomodohen në Qendrën e Studentëve. Do të ndërtohen objekte të reja të cilat do të hyjnë në shërbim pastaj, do të lënë trashëgimi edhe për organizime të tjera të aktiviteteve sportive. Pra, do të jenë në formatin, do të jenë me standardet më të larta evropiane, që kemi mundësi pastaj ndoshta me një çmim solid që të shfrytëzohen për aktivitete të tjera ndërkombëtare të cilat do të organizohen pas vitit 2030”, bëri të ditur Shatri. Tutje, Shatri sqaron se projekti përfshin një kosto të përgjithshme rreth 70 milionë euro, e cila mbulon rinovimin e Qendrës së Studentëve, Sallës “1 Tetori” dhe Menzës së Studentëve. “Kosto financiare në bazë të planifikimit do të jetë rreth 70 milionë euro, e cila do të investohet në Qendrën e Studentëve në tërësi, Sallën “1 Tetori”, Menzën e Studentëve. Investim ky që do të bëhet nga Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministria e Arsimit, me marrëveshje me kredinë e Agjencionit Zhvillimor Francez… Do të ndërtohen dy objekte të reja për pritjen, akomodimin e studentëve, të cilat Do të shfrytëzohen edhe për aktivitete të tjera ndërkombëtare. Pra, do të rritet hapësira, pasi që vendosja, pritja e sportistëve normal është një kusht që të ketë hapësirë të saktë, ku siç edhe e thashë do të jetë rreth 4500 vende të akomodimit të cilët do të akomodohen sportistët”, vijoi më tutje ai.
Një pjesë e rëndësishme e projektit lidhet me modernizimin e Menzës së Studentëve, e cila do të rikonfigurohet për të përballuar fluksin e madh të sportistëve gjatë lojërave. Po ashtu, Salla “1 Tetori” do të rinovohet tërësisht me pajisje bashkëkohore.
“Do të rikonfigurohet Menza e Studentëve, do të rritet kapaciteti i Menzës së Studentëve ku do të hyjë në shërbim për ushqimin për sportistët që do të vijnë për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030…”1 Tetori” do të riparohet tërësisht dhe do të investohet me pajisjet e fundit moderne të cilat do të hyjnë në shfrytëzim për sportistët për Prishtina 2030. Gjithashtu, risi e këtyre investimeve është edhe pishina gjysmëolimpike, e cila do të jetë me standardet më të larta, dhe normal që përveç Lojërave Mesdhetare, do të shfrytëzohet pastaj, do të jetë trashëgimi edhe për studentët dhe për qytetarë të tjerë, e cila do të menaxhohet normal nga Qendra e Studentëve”, theksoi Shatri. Sipas shatrit, punimet parashihen të fillojnë në pjesën e parë të vitit 2027, dhe do të përfundojnë në pjesën e dytë të vitit 2029.



