Qëndresa heroike e luftëtarëve çlirimtarë dhe tërheqja në anën e djathtë të Pashtrikut

14 dhjetor 2019 | 17:09

LULZIM SAHITI

Eshaloni i UÇK-së në luftë me forcat armike të pritës dhe dimrin e acartë në Pashtrik (6)

Duke qëndruar si heronj të pamposhtur, pjesa tjetër e ushtarëve të UÇK-së vazhdojnë t’i godasin armiqtë me kundërzjarr të fuqishëm. Mirëpo, para syve të ushtarit Bajram Gashi vritet luftëtari guximtar Fadil Bajrush Rashiti (23) nga Petrova e Shtimes, ndërsa ushtarët e tjerë për ta çelë rrugën e kalimit nëpër luginë hapin zjarr pa mbarim në drejtim nga vinin krismat e armiqve. Kështu arrijnë ta çajnë rrethimin: Rrahman Tafa nga Carraleva, Vesel Aruqi-“Rambo” nga Rrezalla, Bajram Gashi nga Pjetërshtica, Aziz Amrushi nga Pjetërshtica, Hazir Murati nga Krojmiri, Ylber Spahija nga Pjetërshtica, Osman Zeqiri nga Varigoci, Selajdin Krasniqi nga Duga, Emrush Behluli nga Carraleva, Daut Kastrati nga Kizhnareka, Enver Deliu nga Rrezalla, Gazmend Nebihu nga Damaneku, Xhevdet Qeriqi- “Rrapi” nga Krojmiri, Isuf Abazi nga Godanci i Epërm, Pajazit Thaçi nga Dabidoli, Bekim Gashi nga Balinca. Haxhi Kiqina nga Bainca e Elshanit, Fehmi Hoti nga Çikatova e Vjetër, Elmi Shala (vëllai i Shaban Shalës) nga Gjurgjica, Avdull Leci nga Gradica, Mehmet Fazliu nga Gradica, Naim Ferizi nga Plluzhina, Sabit Morina nga Balinca, Mujë Ramadani nga Llapushniku, Xhevdet Topalli nga Bainca, Fetah Kiqina nga Bainca, Avni Lestrani nga Bainca, Haki Morina nga Radosta, Mehmedali Ballazhi nga Hani i Elezit, Xhemshit Krasniqi nga Prizreni, Rexhep Morina nga Gjurgjica, Ramadan Bytyqi nga Gjurgjica, Jashar Shala nga Negrovci, Emin Thaqi, Imer Thaqi, Nasuf Thaqi, Ismet Thaqi nga Llapushniku dhe Esat Halilaj nga Llapçeva e Malishevës. Gjatë tërheqjes, vështirësi në vete ishin edhe të plagosurit, të cilët gjatë gjithë kohës janë ndihmuar nga bashkëluftëtarët e tyre. Xhevdet Qeriqi nga plaga e marrë kishte gjakderdhje të madhe, andaj gjatë tërheqjes është ndihmuar nga Aziz Amrushi, Selajdin Krasniqi, Bajram Gashi, Isuf Abazi e të tjerë. Ka pasur raste kur ushtarët e plagosur kanë kërkuar me ngulmë të vriten nga dora e bashkëluftëtarëve të tyre, vetëm të mos mbeteshin të gjallë në duar të forcave armike. Megjithëse ishte plagosur në herdhe, Pajazit Thaçi gjatë gjithë kohës u mbante moral ushtarëve dhe shquhej për trimëri dhe karakter të fortë luftarak. Gjatë rrugëtimit, i plagosuri Xhevdet Qeriqi, me dorën e djathtë vazhdonte ta mbante shtrëngueshëm dorën e plagosur me sa fuqi që kishte pa e lëshuar asnjëherë. Përndryshe ishte rrezik që t’i këputej. Gjaku vazhdimisht i rridhte nga plaga dhe nga acari i madh i ishte ngrirë sikur stalaktit. Ishte borë e madhe me fërfëllizë, mezi arrinin të ecnin. Mali ishte i pakrasitur me degë të thyera të mbetura gjithandej duke rënduar kështu ecjen e tyre. Me t’u ngjitur në majë të Pashtrikut, orientimi i ushtarëve ishte vështirësuar.

Në Stacionarin e UÇK-së nr. 210, në Tiranë, nga e djathta në të majtë: Bajram Gashi, Idriz Hysenaj, Xhevdet Qeriqi i plagosur, Isuf Abazi dhe Emrush Behluli

Kishte rrezik për të humbur rrugën ngaqë atje mbretëronte furtunë e madhe me borë e cila shoqërohej me erë të fuqishme e fërshëllimë. Po të bëje vetëm dytre hapa para, kur ktheje kokën mbrapa, gjurmët e këmbëve ishin të mbuluara nga dëbora. Në rrugë e sipër detyrohen të ndezin një ngjyrë të këpucëve për t’u ngrohur sadopak. Duke parë vështirësitë e mëdha të ushtarëve, Xhevdeti kërkon nga bashkëluftëtarët e vet që ta lënë atë e të ecin tutje, mirëpo kur dëgjon këto fjalë, Selajdin Krasniqi niset i vetmuar drejt staneve për të kërkuar ndihmë nga ushtarë të tjerë për tërheqje të të plagosurve. Nga mjegulla e madhe, ai kishte humbur orientimin, ndërsa shokët e tij me shumë peripeci kanë mbërritur te stanet, ku ishte një zjarr për ngrohje, por që për shkaqe të efekteve negative që mund të sjellë ngrohja e shpejtë njerëzve të ngrirë, nuk janë lejuar të ngrohen meqë ata ishin të mërdhirë dhe ngrohja e trupit të tyre duhej të bëhej gradualisht. Aty u kishte ndihmuar Riza Alia “Hoxha”, Atom Avdyl Krasniqi (vëllai i Xhevë Lladrovcit) dhe 3-4 ushtarë të tjerë. Prej staneve, ushtarët kanë mbërritur në mbrëmje në Vlahën. Mandej janë transferuar për mjekim intensiv në Krumë, Kukës dhe në Stacionarin e UÇK-së nr. 210 në Tiranë, që udhëhiqej nga dr. Shaip Muja. I fundit ka ardhur në Vlahën, Selajdin Krasniqi, i cili kishte humbur rrugën në majë të Pashtrikut.

Përgjegjësi i ushtarëve të Nerodimës dhe Batalonit “Ruzhdi Salihu”, Afrim Musliu, së bashku me luftëtarët e vet rezistojnë trimërisht, ku në këtë betejë të ashpër kanë rënë dëshmorë: Hafir Imri Bajrami (18) nga Zborci, Isa Xhemshir Olluri (19) nga Krojmiri, Naser Shefki Kelmendi (22) nga Karaqica, Qamil Hysen Olluri (22) nga Krojmiri, Ramadan Deli Elshani (29) nga Shtimja, Mentor Ramadan Ibriqi (19) nga Komarani, Arben Rexhep Hyseni (18) nga Godanci i Epërm, Xheladin Hamdi Xheladini (22) nga Carraleva e Kadri Haki Ademaj (23) nga Petrova. Trupat e këtyre dëshmorëve u bënë mburojë e çeliktë për ta mundësuar tërheqjen e shokëve të tyre. Forcat serbe bërtitnin me zë të lartë në gjuhën shqipe dhe serbe “Predajte se, opkoljeni ste!” (Dorëzohuni, jeni të rrethuar!). Dhe këta trima të pamposhtur, britmave të tilla iu përgjigjen vetëm me plumba. Madje, duke dëgjuar ftesën serbe për dorëzim nga zemërimi i madh, ushtari trim e sypatrembur, Hysni Shaip Kajtazi (19) nga fshati Tërn i Ferizajt, për një çast ngritët në këmbë si vigan, që nuk kursej asgjë për lirinë e Kosovës, duke gjuajtur në drejtim të forcave armike me sa fuqi që kishte deri në rënien e tij heroike, ashtu siç bien trimat e vërtetë. Kjo betejë ishte humbje e madhe për UÇKnë, mirëpo u bë motiv për shumë djem dhe vajza të reja, që të vazhdohet rruga drejt lirisë dhe çlirimit të vendit.

Vlahën, nëntor 1998, luftëtarë të Batalionit të Dytë “Ruzhdi Salihu”, të Brigadës 121 “Ismet Jashari – Kumanova”, nga e majta në të djathtë, ulur: Emrush Behluli, Hafir Bajrami, Aziz Amrushi, Ramadan Elshani, Bajram Gashi, Xheladin Xheladini, Ylber Spahija dhe Naser Kelmendi, ndërkaq në këmbë janë: Xhevdet Qeriqi, Xhavit Krasniqi, Astrit Bytyqi, Rrahman Tafa, Bashkim Krasniqi, Isa Olluri, Bekim Gashi, Selajdin Krasniqi dhe Sadri Krasniqi

Ndërkohë një cifël e bombës e godet në kokë luftëtarin e ditëve të para të UÇK-së, Bashkim Beqajn, të cilin e përshkon gjaku fytyrës. Ky më nuk mund të fliste, por vetëm me lëvizje të duarve kishte kërkuar nga Beqir Luma një xhaketë. I dridhej tërë trupi nga ethet. Pak më lart, ciflat e bombës e kapin në këmbën e djathtë edhe luftëtarin tjetër, Sadri Krasniqi, të cilin fuqia e bombës e rrotullon në vend. Më vonë ka vërejtur se në të njëjtën kohë e kishte goditur në këmbën e majtë edhe një cifël e predhës. Sadriu tërhiqet teposhtë luginës, ku takon Bashkimin, të cilit ende i rridhte gjaku fytyrës. Meqë goja i ishte marrë, Bashkimi përmes gjesteve kishte kërkuar nga Sadriu dhe ushtarë të tjerë që ta vrasin me revolen e tij, të cilën e barte në brez e mos ta lënë në duar të armikut. Pranë tyre një plagë përmbi gju e kishte marrë edhe Avni Shiti, në këmbën e djathtë.

Pak pa aguar mëngjesi, forcave armike u vjen në ndihmë edhe një helikopter ushtarak, mirëpo ndodhi fati në fatkeqësi, kishte rënë një mjegull e dendur nga e cila një pjesë e ushtarëve të UÇKsë tashmë kishte arritur të tërhiqen dhe shpëtojnë nga ky rrethim i hekurt. Pra, deri në mëngjes kishin vazhduar luftimet për jetë a vdekje. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fabjan Alameti, shqiptari 21-vjeçar që banonte në New York është…