
Qëndron Kastrati prezanton profesionistët e shëndetësisë në listën për asamblenë komunale të Kamenicës
Kandidati për kryetar të komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka prezantuar kandidatët e fushës së mjekësisë Kushtrim Ramabaja, Albana Ajvazi dhe Ramize Dërmaku-Kastrati të cilët janë pjesë e listës zgjedhore për kuvendin komunal të Kamenicës.
Njoftimi i plotë i Kastratit:
Nga hallet te shërimi në një foto të vetme
Kushtrim Ramabaja, ai laboranti me “dorën e lehtë” është ai që mirëpret pacientët me një buzëqeshje të pandërprerë në fytyrë. Shembull i atij që punon vetëm për hir të punës. Sado që takimi me të nuk është takimi i ëndrrave, askush asnjëherë nuk ankohet për të. Kushtrimi në politikë angazhohet për t’i dhënë një hije më njerëzore asaj. Në listë është me numër 22.
Albana Ajvazi, ajo e librave, e dalluar jo vetëm në nivelin fillor e të mesëm të shkollimit, por edhe në atë universitar si studente e Mjekësisë. Prandaj është këtu, e 19-ta me radhë. Me besim të plotë në kontributin e saj të ardhshëm për atë që është më i rëndësishmi, shëndeti, pas një përvoje në Kuvendin Komunal, e prezantojmë prapë me mburrje para jush.
Ndërkohë Ramize Dërmaku Kastrati, me numër 18, që nga bankat e shkollës e dinte që të shërbente në fushën e shëndetit është një detyrë bujare, të cilën e realizon me përpikëri. E diplomuar në Farmaci, ajo është adresa e fundit për shërim duke zbatuar gjithmonë rregullin e pashkruar se është e lehtë të marrësh qindra receta të barnave, por e vështirë të marrësh një ilaç.
Krenarë për këta profesionistë!