
Qeveria amerikane buzë mbylljes së parë pas gati shtatë vjetësh
Një mosmarrëveshje mes partive për shëndetësinë dhe shpenzimet mund ta shkaktojë mbylljen e Qeverisë amerikane për herë të parë pas gati shtatë vjetësh.
Demokratët dhe republikanët në Kongres nuk po arrijnë dot marrëveshje, pavarësisht se mijëra punonjës federalë rrezikojnë të dërgohen në pushim të detyruar nga puna ose të shkarkohen.
Qeveria do të mbyllet në orën 12:01 të mëngjesit të së mërkurës, nëse Senati nuk e kalon një projektligj të Dhomës së Përfaqësuesve, i cili do ta zgjaste financimin federal për shtatë javë, për t’u dhënë kohë ligjvënësve ta përfundojnë punën mbi projektet vjetore të shpenzimeve, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Demokratët në Senat thonë se nuk do ta votojnë projektligjin, nëse ai nuk përfshin zgjatjen e benefiteve shëndetësore që po skadojnë, mes kërkesave të tjera. Presidenti Donald Trump dhe republikanët nuk duan bile as të bisedojnë, duke argumentuar se bëhet fjalë për një projektligj të “pastër” që nuk duhet të jetë i diskutueshëm.
Nuk është e qartë nëse ndonjëra palë do të lëshojë pe para afatit.
“Tani është në duart e presidentit”, tha të hënën udhëheqësi demokrat i Senatit, Chuck Schumer, pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë me Trumpin, i cili nuk duket se solli ndonjë përparim të dukshëm.
“Ai mund ta shmangë mbylljen nëse arrin t’i bindë udhëheqësit republikanë të pranojnë atë që duam ne”, tha ai.
Nënpresidenti JD Vance, i cili gjithashtu ishte në takim, tha: “Mendoj se po shkojmë drejt mbylljes, sepse demokratët nuk po e bëjnë gjënë e duhur”.