
Qeveria dhe SBASHK-u pajtohen për kontratën kolektive dhe pagën e 13-të
Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka bërë me dije se sot me SBAShK-un janë pajtuar për kontratën kolektive, raporton “Epoka e re”.
Në një konferencë për medie, ai ka thënë se nga viti 2023 do të bëhet pagesa e 13-të për arsimin parauniversitar.
“Ka kohë që ministria e Arsimit ka negociuar me SBASHK-un. Kemi pasur para disa ditësh takim me krerët e SBASHK-ut për të diskutuar për disa çështje për kontratat kolektive. I kemi dakorduar të gjitha çështjet për kontratat kolektive për arsim, duke saktësuar të gjitha aspektet kryesore të kontratës lidhur me themelimin e marrëdhënies së punës, avancimit, kriteret e punësimit, mënyrat e funksionimit, të drejtat e mësimdhënësve e të tjera”, ka thënë ai, duke shtuar se janë marrë vesh për dy pagesa shtesë për shkak të punës së ngarkuar në kohë pandemie, për pagesën e ushqimit dhe shpenzimet e transportit.