Qeveria do t’ua subvencionojë përsëri energjinë familjeve të cenueshme – ja kush mund të aplikojë

05 shtator 2023 | 12:56

Programi për mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm të energjisë elektrike, i cili është prezantuar të martën në qeveri do t’i ndihmojë familjet e cenueshme duke ua subvencionuar faturat e energjisë.

Ky program është i dizajnuar për familjet me të ardhura mesatare nën 150 euro për anëtar të familjes.

Subvencionimi do të bëhet përmes formës së aplikimit, ndërsa programi do të zgjasë 1 vjet.

Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, programi do të ketë rendësi të madhe për këto familje.

Ai ka treguar se programi parasheh subvencionim e faturave të energjisë për familjet të cilat kanë të ardhura mesatare nën 150 euro për anëtar të familjes, ndërsa do të zbatohet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

Kurti, po ashtu ka bërë me dje se fokus të veçantë në këtë program do të kenë grupe të caktuara të shoqërisë, si personat me aftësi të kufizuar, prindërit vetëushqyes dhe pensionistët që jetojnë vetëm.

“Sot jemi mbledhur këtu që ta prezantojmë edhe një program të rëndësishëm, atë të mbrojtjes së konsumatorëve të cenueshëm. Programi që po e prezantojmë sot, që do të zbatohet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, ka në fokus subvencionim e faturës së energjisë elektrike për familjet të cilat kualifikohen si konsumatorë të cenueshëm të energjisë elektrike”.

“Fokus të veçantë në këtë program do të kenë grupe të caktuara të shoqërisë, si personat me aftësi të kufizuar, prindërit vetë-ushqyes dhe pensionistët që jetojnë vetëm. Programi  për mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm është program një vjeçar i cili fokusohet në subvencionimin e faturave të energjisë elektrike për konsumatorët e cenueshëm, të hyrat mesatare mujore të të cilëve janë nënë 150 euro për anëtar të familjes”, ka thënë Kurti.

Ndërsa ministri i Financave, Hekuran Murati, ka treguar se për këtë program tanimë është hapur forma e aplikimit, por se së shpejti ministria do të dalë me njoftime se si të plotësohet ky formular.

“Programi parasheh t’i ndihmojë të gjitha familjet të cilat mesatarisht kanë më pak se 150 të ardhura mujore për anëtar të familjes. Pra, nëse një familje ka katër anëtar parashihet që nëse ka më pak se 600 euro të ardhura mujore mesatare mund të kualifikohet për programin dhe shuma e subvencionimit pastaj do të varët varësisht më pak sesa pragu i nevojshëm që merr. Për këtë do të hapet edhe forma e aplikimit që është gati, por që gjatë ditëve në vijim do të dalim me njoftime si Ministri për formularin e aplikimit, ku të gjithë do ta kenë mundësinë që të aplikojnë”, ka thënë Murati.

Më tutje, shefi i bashkëpunimit në zyrën e Bashkimit Evropian (BE), Alessandro Bianciardi, ka thënë se BE-ja është e zotuar se do ta ndihmojë Kosovën për energjinë e se deri tani 200 mijë shtëpi kanë përfituar nga subvencionimi për konsumimin e energjisë.

“BE mbetet e zotuar që ta ndihmojë Kosovën në fushën e energjisë. Presim me padurim që të kemi një përkrahje dhe të kemi energjinë më të kapshme”, ka thënë ai.

Edhe menaxheri i Bankës Botërore në Kosovë, Massimiliano Paolucci, ka thënë se Banka Botërore do ta përkrahë Kosovën, jo vetëm për energji, por në të gjitha fushat. /EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Berat, po zhvillohet ceremonia e nderimit të presidentes së…