Qeveria e dorëhequr “dënon” Policinë: Që 4 muaj nuk ua ekzekuton paratë për orët shtesë

30 prill 2025 | 21:11

Për të thur lavde për Policinë e Kosovës, Qeveria në dorëheqje nuk kursehet, por kur vie puna për t’ia mbushur xhepin për mundin e tyre nuk e ka primare. Fiks që nga janari ata që kujdesen për sigurinë e vendit dhe qytetarëve të saj nuk i kanë marrë shtesat për festa dhe të orëve jashtë orarit.

Burime të Periskopit kanë konfirmuar se Policia e Kosovës ende po vazhdon të injorohet nga Qeveria, anipse muaj më parë edhe Sindikata pati reaguar ashpër.
“Sindikata e Policisë e Kosovës kërkon nga Ministria e Financave që të ekzekutojë menjëherë pagesat e prapambetura, duke siguruar kompensimin e plotë për ndërrimet e natës dhe orët shtesë, në përputhje me të drejtat ligjore të zyrtarëve policorë. Kjo është e nevojshme për të ruajtur motivimin dhe angazhimin e tyre në shërbim të qytetarëve dhe sigurisë publike”, thuhej mes tjerash në reagimin e Sindikatës.

Ndërkohë Periskopi pati kontaktuar edhe Minsitrinë e Financave në lidhje me procesin e ekzekutimit të shtesave, kjo ishte përgjigja e tyre:

“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) shpreh mirëkuptimin e saj për shqetësimet e ngritura në lidhje me ekzekutimin e pagave dhe shtesave. Përgjegjësia mbi përgatitjen e listave të pagave, e njëkohësisht edhe sigurimin se shuma e urdhëruar për pagesë është brenda kufijve buxhetorë të miratuar në ligjin për ndarje buxhetore, i takon secilës organizatë buxhetore përkatëse. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, përkatësisht Thesari sigurohet që shuma është në përputhje me ndarjen buxhetore, dhe e bën procesimin e pagesës nëpër llogari individuale. Ndërsa, u takon organizatave buxhetore përkatëse që të planifikojnë buxhetin vjetor nëpër muaj, dhe të sigurohen se kanë buxhetin e mjaftueshëm kur miratojnë shtesa tjera mbi pagën bazë”, thuhej në përgjigjen e Ministrisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i ka reaguar…