Qeveria e Kosovës mbështet projektet e mëdha për Gjilanin

25 janar 2018 | 20:21

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, vizitoi sot Komunën e Gjilanit, që korrespondon me manifestimin tradicional “Flaka e Janarit”.

Në takim me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, kryeministri i shoqëruar nga zëvendësministrat Magbule Shkodra dhe Rexhep Kadriu, është njoftuar me punën dhe angazhimet e kryetarit Haziri dhe të qeverisjes komunale.

Kryeministri Haradinaj tha se janë disa kërkesa të kryetarit Haziri që janë në shërbim të qytetarëve e që dalin jashtë mundësive buxhetore të komunës.

“Jemi në identifikim të rrethanave për investim në impiantin e ujërave të zeza, për projektet e mëdha që janë në territorin e Komunës së Gjilanit, siç është Autostrada, por edhe projekte të tjera” , tha kryeministri Haradinaj.

Po ashtu kryeministri Haradinaj e konsideroi Komunën e Gjilanit shumë të rëndësishme pasi që ndërlidhë shumë komuna tjera të vogla, por edhe komunat e trevave shqiptare.

“Jemi të gatshëm që të bashkërendojmë aktivitetet në relacionin Qeveri-Komunë për shumë projekte, e në këtë rast qeveria nacionale do t’i marr obligimet për shpronësimet në qarkore që është në interes të qytetarëve”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, e cilësoi të veçantë dhe historike vizitën e kryeministrit Haradinaj në Gjilan, duke e falënderuar për vullnetin politik dhe angazhimin për të ndihmuar në zhvillimin e infrastrukturës dhe problemeve bazike që ka kjo komunë.

Po ashtu, kryetari Haziri falënderoi edhe për financimin për herë të parë nga Qeveria të manifestimit kulturor ‘Flaka e Janarit” në nderim të heronjve dhe dëshmorëve të kombit dhe po ashtu për zgjidhjen e problemit pronësor për kampusin e Universitetit ‘Kadri Zeka’, të cilin kryetari Haziri e cilësoi si vendim kapital për zhvillimin e Universitetit dhe qytetit të Gjilanit në përgjithësi.

Ai shprehu besimin se Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Haradinaj do të vazhdojë implementimin e të gjitha zotimeve të përbashkëta për zhvillimet infrastrukturore të Komunës së Gjilanit.

Kryeministri Haradinaj poashtu zhvilloi një bashkëbisedim edhe me asamblistët dhe me personalitete të shquara të Komunës së Gjilanit.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se ka projekte të cilat do ta kenë mbështetjen e Qeverisë së Kosovës, derisa kërkoi angazhim të shtuar të të gjithëve që testi PISA të dalë sa më i suksesshëm.

Gjatë qëndrimit në Gjilan, kryeministri Haradinaj bashkë me kryetarin Haziri vizituan kompaninë e lëngjeve “Fluidi” dhe industrinë e vajit ushqimor “Floil” , ku është pritur nga pronari i kompanisë, Fejzulla Mustafa.

Kryeministri Haradinaj tha se do të jemi afër atyre që punojnë, që paguajnë taksa dhe që hapin vende të reja të punës.

Pronari i kompanisë, Fejzulla Mustafa, e njoftoi kryeministrin me punët, sukseset dhe sfidat me të cilat ballafaqohet ky biznes, duke theksuar nevojën për mbështetjen e qeverisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë…